Aleanca ka mbajtur mbledhjen konstituive të kryesisë së re, pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve të brendshme në parti. Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes është miratuar agjenda vjetore e punës dhe plani i aktiviteteve, të cilat pritet të zbatohen së shpejti në të gjitha degët e Aleancës, në Kosovë.
Sipas Gjinit, përveç çështjeve organizative, anëtarët e kryesisë kanë diskutuar edhe për zhvillimet politike në vend pas zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe për sfidat me të cilat po përballet Kosova. “Aleanca është e përkushtuar vetëm për një proces politik që garanton stabilitet, përgjegjësi dhe orientim të qartë për Kosovën”, ka shkruar Gjini.
Ai ka theksuar se gjashtë pikat e propozuara nga Aleanca përbëjnë parime thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë kombëtare, duke shtuar se ato janë të panegociueshme. “Sipas tij, kushdo që synon ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme duhet të kuptojë se këto projekte strategjike janë të domosdoshme për të ardhmen e Kosovës” , thuhet në reagimin e publikuar nga Gjini në Facebook.
