Punëtorët teknikë të shkollave fillore në Komunën e Prishtinës kanë paralajmëruar se nga dita e mërkurë do të hyjnë në grevë, pasi ende nuk i kanë marrë pagat për muajin qershor.
Vendimi është marrë në një takim të mbajtur të martën, më , ndërmjet kryetarit të Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, dhe kryetarëve të shoqatave sindikale të punëtorëve teknikë të shkollave fillore të Komunës së Prishtinës.
Sipas njoftimit të Federatës, pas diskutimeve u vendos që nga dita e nesërme punëtorët teknikë të ndërpresin kryerjen e shërbimeve dhe të qëndrojnë në grevë deri në realizimin e pagesave të prapambetura. Në të njëjtin takim, thuhet se përfaqësues të Komunës së Prishtinës kanë bërë të ditur se pagat do të transferohen në llogaritë bankare të punëtorëve më së largu deri të hënën, më .
Federata Sindikale ka ngritur shqetësim edhe për pozitën e punëtorëve teknikë të shkollave të mesme, duke bërë të ditur se ata kanë mbetur pa mbështetje financiare për periudhën nga 1 deri më 21 korrik. Sipas Federatës, kjo çështje kërkon zgjidhje ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe kompanisë ekzistuese që ofron shërbimet.
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë nga afër zbatimin e zotimit për ekzekutimin e pagave dhe do ta informojë opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejmë. / Telegrafi
