Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë ka intensifikuar kontrollet në trafik gjatë 10 ditëve të fundit në kuadër të planeve operative “Alkooli” dhe “Vera 2026”, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe janë kryer gjithsej 1,892 alkool-teste, ndërsa 123 drejtues mjetesh kanë rezultuar se po drejtonin automjetet nën ndikimin e alkoolit. Ndaj tyre është zbatuar masa mbrojtëse e konfiskimit të patentë-shoferit, sipas procedurave ligjore.
Përveç kësaj, zyrtarët policorë kanë shqiptuar edhe 1,580 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut, përfshirë tejkalimet e pasigurta, tejkalimin e shpejtësisë, përdorimin e telefonit gjatë vozitjes, mosvendosjen e helmetës dhe kundërvajtje të tjera.
Në kuadër të zbatimit të Planit Operativ “Vera 2026”, Policia ka identifikuar edhe dy raste të posedimit të substancave narkotike, si dhe një rast të armëmbajtjes pa leje.
Policia Rajonale e Gjakovës u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, duke theksuar se kujdesi dhe përgjegjësia në rrugë janë thelbësore për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë.
