Shpërndaje në: Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar për sekuestrimin e pesë veturave të ardhura nga Koreja e Jugut, nën dyshimin se në Vushtrri janë ndërruar të dhënat në libreza në mënyrë që ato të mundësohen për regjistrim në Kosovë.
Siç ka njoftuar Prokuroria, dyshohet se në fillim të korrikut të pandehurit kanë përdorur dokumente false duke i bërë veturat e regjistruara më 2015, si të regjistruara më 2016 për herë të parë, me qëllim që ta mundësojnë importimin në Kosovë. Në Kosovë lejohet që nga jashtë të importohen vetëm veturat më të reja se 10 vjet.
“Dokumentet e dyshuara si të falsifikuara dyshohet se janë përdorur gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të pesë (5) automjeteve, me ç’rast për secilin automjet janë lëshuar Deklarata Unike Doganore (DUD), në të cilat është evidentuar në mënyrë të pasaktë se regjistrimi i parë i automjeteve ishte bërë gjatë vitit 2016, ndonëse nga provat e siguruara deri më tani rezulton se regjistrimi i tyre i parë ishte bërë gjatë vitit 2015.
Pesë (5) veturat të cilave dyshohet se u janë falsifikuar dokumentet janë sekuestruar”, thuhet në njoftim të Prokurorisë. Sipas njoftimit, dyshimet janë për vepra penale të “falsifikimit të dokumenteve”. Nuk janë dhënë detaje të tjera.
