Wayfarer Studios, kompania e produksionit e Justin Baldonit, është urdhëruar nga një gjykatë në Nju Jork të paguajë mbi 171 mijë dollarë (rreth 151 mijë euro) në favor të The New York Times, pas humbjes së padisë për shpifje që kishte ngritur kundër gazetës.
Vendimi u mor nga gjyqtari Gerald Lebovits, i cili miratoi kërkesën e gazetës për rimbursimin e shpenzimeve ligjore, duke u bazuar në ligjin anti-SLAPP, që synon të mbrojë median nga paditë e pabazuara.
Wayfarer kishte paditur gazetën për një artikull të publikuar në dhjetor 2024, ku trajtoheshin pretendimet e Blake Lively për ngacmim seksual dhe hakmarrje gjatë xhirimeve të filmit “It Ends with Us”.
Në deklaratën e saj, The New York Times e përshëndeti vendimin e gjykatës, duke theksuar se ligji anti-SLAPP është krijuar për të penguar përpjekjet për të frikësuar ose heshtur median përmes padive të pabazuara, shkruan DailyMail. Çështja kishte nisur në fillim të vitit 2025, por padia e Wayfarer Studios u rrëzua më pas nga gjykata federale.
Pas kësaj, gazeta kërkoi rikuperimin e kostove ligjore, kërkesë që tashmë është pranuar. Ndërkohë, konflikti ligjor mes Justin Baldonit dhe Blake Lively u mbyll më herët këtë vit me një marrëveshje mes palëve, duke i dhënë fund pjesës tjetër të procesit gjyqësor.
