Spanja dhe Franca po përballen me një valë të re të nxehti, ndërsa temperaturat në disa rajone pritet të tejkalojnë 40 gradë Celsius. Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Spanjës njofton se kushtet ekstreme të motit do të zgjasin të paktën deri të dielën, duke paralajmëruar për rrezik “ekstrem” të zjarreve.
Paralajmërimi vjen në një kohë kur zjarrfikësit vazhdojnë betejën me disa nga zjarret më të mëdha në historinë e vendit, shkruan BBC. Në Francë, rajonet jugperëndimore të Gironde dhe Landes janë vendosur në nivelin e alarmit të verdhë për shkak të valës së të nxehtit, e cila pritet të arrijë kulmin të mërkurën.
Temperaturat e larta po vështirësojnë më tej përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret, të cilat autoritetet i cilësojnë si “shumë të paparashikueshme”. Kryetari i Bashkisë së Bordosë, Thomas Cazenave, deklaroi se qyteti po përgatitet për çdo skenar të mundshëm, pasi një nga vatrat e zjarrit ndodhet vetëm 15 kilometra larg qytetit.
“Po përgatitemi të strehojmë një numër të madh njerëzish nëse urdhërohen evakuime të tjera ”, tha ai. Sipas autoriteteve, rreth 220 mijë persona janë evakuuar në Francë, ndërsa në Spanjë mbi 100 mijë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre. Në perëndim të Madridit, disa zjarre vazhdojnë të digjen jashtë kontrollit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë një vizite në zonat e prekura nga zjarret në rajonin e Gironde, e përshkroi situatën si “një zjarr plotësisht të paprecedentë”, duke e cilësuar si sfidën më të madhe me zjarret që nga Lufta e Dytë Botërore.
Macron bëri të ditur se një vatër zjarri në rajonin Landes është vënë nën kontroll, ndërsa operacionet për shuarjen e flakëve në rajonin fqinj Gironde vazhdojnë.
