Shpërndaje në: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar jehonën ndërkombëtare që kanë marrë protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke thënë se vëmendja globale nuk erdhi për shkak të shqetësimeve për lagunën e Nartës, por për shkak të përfshirjes së emrit të Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.
Dje ishte dita e 20-të radhazi e protestave kundër projektit të paraparë në zonën e Zvërnecit, ndërsa protestuesit shprehin shqetësime për ndikimin që mund të ketë në mjedis dhe në ekosistemin e lagunës së Nartës.
Gjatë fjalimit pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama ka thënë se ngjarjet e fundit janë bërë pjesë e një debati global, jo për shkak të fatit të flamingove apo të Nartës, por për shkak të lidhjes së projektit me Kushnerin. Sipas tij, nëse e njëjta histori do të kishte ndodhur dhjetë vjet më parë, ajo do të kishte mbetur një debat brenda Shqipërisë.
Rama ka thënë se brenda 48 orësh, incidenti mes rojeve private dhe një protestuesi u shndërrua në pikënisjen e një “lufte globale”. “Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushnerit dhe sigurisht prej hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urren për vdekje krejt armata globale online”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se shumë aktorë ndërkombëtarë e panë situatën si një mundësi për të sulmuar Trumpin, duke pretenduar se “kujtoi se gjeti në bulevardin e Tiranës Vaterlonë e Trumpit”.
Rama theksoi se rasti është interesant jo aq për atë që tregon për qeverisjen në Shqipëri, por për mënyrën se si debatet lokale mund të marrin përmasa globale në epokën e rrjeteve sociale dhe polarizimit politik ndërkombëtar.
Protestat në Tiranë nisën pas kundërshtimeve ndaj projekteve të zhvillimit turistik në zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit, por me kalimin e ditëve ato janë zgjeruar në kërkesa më të gjera për transparencë, llogaridhënie institucionale dhe kundërshtim të politikave të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Çështja e projekteve turistike në Sazan dhe Zvërnec është pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat ndërkombëtare, ndërsa grupe ambientaliste dhe organizata të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm në zonat e mbrojtura dhe mungesën e transparencës në procedurat e zhvillimit të projektit.
