Marton: Vuçiq po rikthen simbolet e epokës së Millosheviqit dhe

0%

Zëdhënësi i Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës (LSV) – Partia e Vojvodinës, Aleksandar Marton, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se po e përdor Ushtrinë Serbe për qëllime politike, duke vlerësuar se veprimet e tij përfaqësojnë një rikthim të narrativave nacionaliste të viteve 1990.

Në një reagim publik, Marton tha se Vuçiq po e poshtëron dhe po abuzon me ushtrinë me qëllim të, siç u shpreh ai, “ruajtjes së strukturave kriminale”, duke e shndërruar një institucion shtetëror në instrument të propagandës politike.

Kritikat e tij u fokusuan në ceremoninë e promovimit të oficerëve më të rinj të Ushtrisë Serbe, ku u interpretua kënga “Të duam, Atdheu ynë”, të cilën Marton e cilësoi si simbol të një periudhe të errët të historisë së Serbisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas tij, përzgjedhja e kësaj kënge nuk ishte rastësore, por një përpjekje e autoriteteve për t’i rikthyer institucionet shtetërore në “narrativat e errëta politike dhe estetike të viteve 1990”.

Ai theksoi se kënga mbahet mend si një nga simbolet e konfliktit të Serbisë me NATO-n dhe Perëndimin gjatë luftës së vitit 1999, por edhe si pjesë e simbolikës së politikave të regjimit të Slobodan Millosheviqit, periudhë e lidhur me luftërat në ish-Jugosllavi dhe spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.

Marton vlerësoi se përdorimi i simboleve të tilla në një ceremoni zyrtare ushtarake është shqetësues, pasi, sipas tij, dërgon mesazhe të gabuara për orientimin e shtetit dhe ushqen nostalgjinë për politikat që e izoluan Serbinë në fund të shekullit të kaluar.

“Në vend që të kthehet nga e ardhmja, vlerat evropiane dhe bashkëpunimi rajonal, qeveria kriminale po përpiqet përsëri të përdorë simbolet e një kohe tragjike, pasojat e së cilës i paguan shtrenjtë qytetarët e Serbisë”, deklaroi Marton.

Ai shtoi se instrumentalizimi i ushtrisë për promovimin e mesazheve politike dhe nacionaliste dëmton besueshmërinë e institucioneve shtetërore dhe e largon Serbinë nga standardet demokratike dhe rruga drejt integrimit evropian.

Deklaratat e Martonit vijnë në një kohë kur retorika nacionaliste në Serbi është intensifikuar, ndërsa opozita dhe organizata të ndryshme civile kanë shprehur shqetësim për përdorimin e institucioneve shtetërore në funksion të propagandës politike dhe glorifikimit të simboleve të periudhës së Millosheviqit./The GeoPost

Burimi: Telegrafi