Autoritetet indiane kanë pezulluar një zyrtar policor, pasi ai qëlloi disa herë në ajër me pushkë automatike gjatë një proteste studentore në shtetin lindor të Biharit. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë policin me uniformë speciale duke vrapuar drejt protestuesve në qytetin Siwan, para se ta drejtonte armën AK-47 dhe të qëllonte të paktën tri herë në ajër.
Policia e ka konfirmuar vërtetësinë e pamjeve, ndërsa ka bërë të ditur se nga incidenti nuk ka persona të lënduar. Zëvendësinspektori i përgjithshëm i Policisë së Biharit, Nilesh Kumar, tha se përdorimi i armës ishte i pajustifikueshëm dhe se ndaj policit do të ndërmerren masa ligjore. “Polici e përdori AK-47 gabimisht. Kjo nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë”, deklaroi Kumar.
Ai shtoi se protestuesit ishin studentë dhe se nuk kishte nevojë për një ndërhyrje të tillë. Policia indiane po përballet me akuza për përdorim të tepruar të forcës gjatë protestave të fundit, përfshirë goditjen e studentëve me shkopinj gome dhe përdorimin e gazit lotsjellës.
Më 20 korrik, dhjetëra mijëra protestues marshuan drejt ndërtesës së parlamentit në New Delhi, ndërsa protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në pjesë të tjera të vendit. Pakënaqësitë nisën pas rrjedhjes së pyetjeve të provimit kombëtar të pranimit në shkollat e mjekësisë, të cilit iu nënshtruan më shumë se dy milionë studentë. Tashmë ata pritet ta përsërisin provimin.
Protestat kanë çuar edhe në dorëheqjen e ministrit federal të Arsimit. Analistët vlerësojnë se pakënaqësia e të rinjve lidhet edhe me papunësinë e lartë dhe frikën se inteligjenca artificiale mund të rrezikojë vende pune në sektorin e teknologjisë së informacionit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
