Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër B.B., drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe ndaj personit A.M., përgjegjës i operatorit ekonomik “A.G.”, nën dyshimin për mashtrim në prokurim publik.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., akuzohet se prej datës deri më , në cilësinë e menaxherit të kontratës në projektin “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve (1912-1945)” në fshatin Samadraxhë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që t’i mundësojë përfitim operatorit ekonomik “A.G. Sh.p.k’.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., në kuadër të kontratës në vlerë të përgjithshme prej 28,650.00 euro, për realizimin e projektit të lartëcekur, ka nënshkruar pagesën në vlerë prej 5,000 euro sipas situacionit të katërt të kontratës, duke konstatuar se punimet ishin realizuar sipas paramasës dhe parallogarisë, ndonëse në terren ato nuk ishin kryer në përputhje me kontratën dhe nuk ishte paraqitur asnjë kërkesë për kolaudim apo për ndryshim të punimeve.
Sipas prokurorisë, nga këto veprime Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material në shumën prej 5,000 euro, dëm ky, i vërtetuar edhe me ekspertizën e ndërtimtarisë.
Ndërsa, i pandehuri A.M., po akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të operatorit ekonomik “A.G.” Sh.p.k., me dashje, nuk ka zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata e prokurimit publik për realizimin e projektit “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve (1912-1945)” në fshatin Samadraxhë.
Sipas Prokurorisë, i njëjti ka pranuar pagesën në shumën prej 5,000 euro sipas situacionit të katërt të kontratës, ndonëse punimet e parapara nuk ishin realizuar sipas kontratës dhe specifikimeve teknike, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme dhe duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm material.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartëcekur, për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
