Këto ditë bëra një vizitë të veçantë në një nga vendet më të fuqishme dhe më tronditëse të Tiranës postkomuniste: muzeun Bunk’Art, i cili ndodhet pranë ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky bunker i dikurshëm sekret, që kishte shërbyer si qendër komandimi e regjimit komunist, pas ndryshimeve të mëdha të viteve ’90 është shndërruar në një muze unik.
Ai tregon në mënyrë të drejtpërdrejtë se si funksiononte tortura sistematike e Sigurimit të Shtetit, policisë sekrete famëkeqe të diktaturës së Enver Hoxhës. Gjatë regjimit komunist në Shqipëri (1944–1991) u pushkatuan rreth 6.000 persona, u burgosën mbi 17.500 dhe u internuan mbi 30.000 qytetarë. Të gjithë ata u përballën sistematikisht me dhunë dhe tortura çnjerëzore.
Duke ecur nëpër korridoret e ftohta dhe të ngushta, si dhe në dhomat e betonit dhe dyerve të hekurta, ndjeva peshën e rëndë të historisë. Muzeu nuk tregon thjesht objekte, ai të detyron të përballesh me terrorin e institucionalizuar që përshkoi jetën e shqiptarëve për dekada të tëra.
Ekspozitat me gjësendet zbulojnë mjetet e sofistikuara e mizore të torturës fizike dhe psikologjike që përdorte Sigurimi për të thyer mendjen dhe trupin e çdo personi që dyshohej se ishte kundër regjimit, intelektualë, artistë, qytetarë të thjeshtë e deri te fëmijët.
Të gjithë këtyre regjimi komunist u vuri atë damkë mbi kurriz që nuk iu hoq për gjysmë shekulli asaj pjese të popullit shqiptar : «Armiq të popullit». Nga qelizat e izolimit dhe dhomat e marrjes në pyetje, deri te mjetet e teknikat e dizajnuara për të nxjerrë «rrëfime», gjithçka tregon një sistem që e shihte popullin e vet si armik.
Çdo hap në këtë muze të kujton vuajtjet e paimagjinueshme, jetët e shkatërruara dhe frikën që sundonte mbi të gjithë. Kjo vizitë nuk ishte e lehtë. Duke qëndruar në ato hapësira ku është ushtruar kaq shumë dhimbje, ndjeva qartë rëndësinë e kujtesës historike.
Ku diktatura komuniste la plagë të thella në trupin e kombit tonë, plagë, që nuk duhet t’i harrojmë kurrë nëse duam të ndërtojmë një shoqëri vërtet të lirë e demokratike. Bunk’Art nuk është thjesht një muze. Ai është një dëshmi e fuqishme dhe një paralajmërim i së kaluarës. Prandaj u rekomandoj çdo shqiptari, sidomos brezave të rinj, që ta vizitojnë këtë vend.
Ngase do të mësojnë më shumë sesa kanë dëgjuar deri tani. Vetëm duke u përballur sinqerisht me historinë mund të sigurojmë që errësira e tillë të mos kthehet më kurrë. Dhe, ndoshta, do të na ndihmojë të shohim më qartë(të hapim sytë) edhe hipokrizinë e kësaj demokracie 35-vjeçare në Shqipëri.
