Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Zyrtarë ukrainas dhe amerikanë kanë diskutuar një propozim për t’i ofruar Rusisë një armëpushim ajror, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar një burim ukrainas. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, në Washington të martën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të dielën se Rusia e konsideronte të parakohshëm komentimin e çdo propozimi të tillë për armëpushim. “Ne nuk e dimë se sa të besueshme janë këto raportime apo nga vijnë ato. Këto janë raportime gazetash dhe asgjë më shumë. Prandaj, është e parakohshme të komentojmë mbi to në këtë fazë”, ka cituar agjencia e lajmeve Interfax të thoshte Peskov.
“Kemi dëgjuar deklarata se mund të ketë formula të reja. Duhet ende të mësojmë më shumë rreth tyre… Ajo që do të ndodhë më pas do të varet nga sa përputhen ato me interesat tona”, ka shtuar ai. Ndërkohë, Rumania ka njoftuar se do të thërriste ambasadorin e Rusisë, pasi ushtria e këtij vendi anëtar të NATO-s ka rrëzuar të dielën dronin e tretë brenda tri ditësh.
Një avion luftarak rumun F-16 ka rrëzuar dronin mbi Detin e Zi, pesë minuta pasi ai kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit, ka thënë ministri rumun i Mbrojtjes, Radu Miruța. Presidenti rumun, Nicusor Dan, ka thënë se sipas një hetimi, një dron i rrëzuar të premten ishte i “modelit Shahed, që përdoret nga Federata Ruse në luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës”.
Zelensky do të pritet të hënën nga kryeministri i ri i Britanisë së Madhe, Andy Burnahm, i cili ka deklaruar se do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën.
