Nga: Faton Polisi Shpërndaje në: Futbolli i Kosovës në Budapest e ka arritur fitoren më të madhe në histori. Një dekadë më parë, Kosova u bë anëtare e UEFA-s. Vendimi u mor në Kongresin e mbajtur më në Budapest. Në Budapest, Kosova ka pasur edhe suksese të tjera. Dhe synohen edhe më shumë.
Tani janë futbollistet e Mitrovicës që do të paraqiten në kryeqendrën hungareze, në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kalimin në raundin e dytë kualifikues, Mitrovica e arriti pas shkëlqimit në Kosovë, përkatësisht pas fitoreve 10:0 dhe 2:0. Në gjysmëfinale të raundit të parë kualifikues, Mitrovica fitoi 10:0 ndaj Zimbru Chisinau të Moldavisë.
Në finale të raundit të parë kualifikues, futbollistet mitrovicase e mposhtën kampionin e Bullgarisë, Ludogorets Razgrad, me rezultatin 2:0. Kjo ndeshje u zhvillua të shtunën mbrëma në “Fadil Vokrri”. “Jemi përgatitur jashtëzakonisht mirë për këto dy ndeshje. Vitin e kaluar ndoshta ka qenë për mua eksperienca e parë me futbolliste dhe nuk ia kemi dalë.
Por këtë vit kemi gjetur forcën, bashkëpunimin dhe me ambicie e përkushtim arritëm ta kalojmë raundin e parë. Nuk ka qenë e lehtë, marrë parasysh kundërshtarët që i kishim. Kishim përballë ekipe si Zimbru i Moldavisë dhe Ludogoretsi i Bullgarisë.
Futbolli bullgar është i avancuar, por ne kemi treguar karakter, disiplinë dhe me shumë vetëbesim kaluam grupin e parë të kundërshtarëve drejt synimeve tona”, ka thënë trajneri i Mitrovicës, Shpëtim Idrizi. Shtatë herë kampionia dhe shtatë herë fituesja e Kupës së Kosovës, Mitrovica, në gjysmëfinalen e raundit të dytë kualifikues do të luajë më 5 gusht ndaj Brannit norvegjez.
Mini-turneu zhvillohet në Budapest. Fituesi i këtij ballafaqimi luan më 8 gusht në finale me fituesin e ndeshjes Ferencvarosh – PAOK. Në rast se e fiton edhe turneun në Budapest, Mitrovica do të avancojë në raundin e tretë dhe të fundit kualifikues, para fazës së ligës. Raundi i tretë kualifikues luhet me një kundërshtar, në dy ndeshje.
Ekipet që përfundojnë në vendin e dytë dhe të tretë në fazën e dytë kualifikuese të Ligës së Kampionëve, barten në Kupën e Evropës për futbolliste. Më 8 gusht, pos finales luhet edhe ndeshja për vend të tretë. “Ambiciet tona janë të paktën të shënojmë një fitore në raundin e dytë. Pra nga dy ndeshje të fitojmë një dhe të mbetemi në Evropë.
Besoj se ai është edhe qëllimi ynë, pa e përjashtuar, nëse na jepet mundësia, pse jo ta kalojmë edhe raundin e dytë”, është shprehur Idrizi për KOHËN, të dielën. Por trajneri mitrovicas pranon se nuk do të jetë e lehtë. “Kemi të bëjmë me tri ekipe si Branni, PAOK-u dhe Ferencvaroshi. Janë ekipe me traditë, por pavarësisht kësaj ne nuk do të udhëtojmë atje vetëm sa për të mbyllur ndeshjet.
Qëllimi është ta kalojmë grupin dhe do të ishte sensacion nëse do të ishim në fazën e ligës. Nuk do ta nderonim vetëm Mitrovicën, por gjithë Kosovën dhe futbollin e femrave në përgjithësi”, thotë ish-futbollisti e trajneri i Trepçës ’89. Idrizi ka qenë prej lojtarëve të dalluar në Kosovë.
Ai ishte kapiten i skuadrës mitrovicase, Trepçës ’89 për kohë të gjatë, që luajti në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve në edicionin 2017/2018. Idrizi për vitin e dytë rresht po i udhëheq me sukses futbollistet e Mitrovicës. “Ka një dallim të mirë nga e kaluara, sidomos në edicionin e kaluar. Po investohet dhe ka ngritje.
Po investohet në futbollin e femrave, jo si te meshkujt, por po bëhet shumë më interesant”, ka thënë Idrizi. Ai dhe futbollistet e Mitrovicës nuk kanë kohë për pushim. Pas dhjetë ditësh i pret ndeshja e vështirë me kampionin norvegjez.
