Shpërndaje në: Gazetari dhe ish-diplomati Avni Spahiu ka zbuluar një detaj interesant nga mënyra e komunikimit të ish-presidentit Ibrahim Rugova me diplomatët ndërkombëtarë, duke thënë se ai shpesh i linte me qëllim fjalitë të papërfunduara për t’i shtyrë bashkëbiseduesit të mendonin dhe të nxirrnin vetë përfundimet.
Në podcastin PIKË, në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi, Spahiu ka thënë se kishte raste kur, si përkthyes i Rugovës, e plotësonte fjalinë gjatë përkthimit në anglisht. “Po e mora guximin dhe e kreva fjalinë. Kur dolëm, Rugova më tha: ‘Shihe, e plotësove fjalinë, po unë me qëllim e lash të paplotësuar. Ata le ta marrin, le t’ia gjejnë atë pjesën tjetër’ “, rrëfeu Spahiu.
Sipas tij, pikërisht kjo mënyrë e të shprehurit, e thjeshtë, e qartë dhe me një dozë urtësie, bënte që mesazhet e Rugovës të linin përshtypje te diplomatët perëndimorë. Spahiu kujtoi edhe një vizitë në Londër, ku delegacioni kosovar zhvilloi takime me zyrtarë të lartë britanikë.
Ai ka thënë se ministri Douglas Hogg e kundërshtonte hapur idenë e pavarësisë së Kosovës, duke mbështetur vetëm autonominë substanciale, por Rugova vazhdonte të këmbëngulte se pavarësia ishte opsioni i vetëm.
Ish-diplomati veçoi edhe takimin me ish-kryeministren britanike Margaret Thatcher, e cila, sipas tij, ndryshoi qëndrim sapo dëgjoi se nxënësit shqiptarë në Kosovë po zhvillonin mësimin nëpër shtëpi e garazhe pasi ishin mbyllur shkollat. “Ajo u ngrit në këmbë dhe tha se ishte e papranueshme që në mes të Evropës t’u mohohej shqiptarëve e drejta për arsimim.
Shtoi se, nëse kjo politikë vazhdonte, Beogradi duhej të bombardohej”, rrëfeu Spahiu.
