Hulumtimi disamujor i Kallxo Përnime ka zbardhur prapaskenat e bllokimit të punës në njërin prej institucioneve më të rëndësishme për ekonominë e vendit. Ndërkohë, përplasjet mes zyrtarëve kanë shpërthyer në rrahje fizike e kërcënime me jetë. Autoriteti i Konkurrencës është institucion i thirrur për të luftuar monopolet dhe marrëveshjet e fshehta mes bizneseve.
Por, në Kosovë, për më shumë se 14 muaj Komisioni i Autoritetit të Konkurrenës nuk ka mbajtur asnjë mbledhje. Një hulumtim disa mujor i KallxoPërnime ka zbuluar prapaskenat që kanë çuar në bllokadën e institucionit për të marrë vendime e hetuar bizneset e dyshimta.
Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës Komisioni përbëhet nga pesë anëtarë, por aktualisht ky organ i vendimarrjes ka tre anëtarë, numër i mjaftueshëm për vendimmarrje. Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës përbëhet nga kryetarja Neime Binaku-Isufi, nënkryetarja Kaltrina Sela dhe anëtarja Nafije Osdautaj.
Secila prej tyre ka marrë mbi 16 mijë euro pagë vjetore, megjithatë Komisioni nuk ka mbajtur asnjë mbledhje gjatë vitit të fundit. Në një përgjigje me shkrim, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka dhënë shpjegime të qarta pse nuk janë thirrur mbledhjet nga kryetarja e Komisionit.
“Funksionimi i Komisionit dhe mbajtja e mbledhjeve zhvillohet në përputhje me kërkesat ligjore për kuorum dhe standardet e integritetit institucional. Çështjet që lidhen me konfliktin e interesit trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe opinionet e institucioneve kompetente” – thuhet në përgjigje.
Bllokadën në bordin e Autoritetit të Konkurrencës e ka konfirmuar anëtarja e Komisionit, Nafije Osdautaj. Ajo ka fajësuar kryetaren Neime Binaku – Isufi për situatën e krijuar ndërsa ka konfirmuar që pagat i marrin edhe pse nuk e kryejnë punën për të cilën janë zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës. “Mbledhje? Jo, nuk na ka thirrë [Neime Binaku – Isufi] nga prilli i vitit 2025.
As nuk më ka thirrë, as s’më ka dërguar e-mail zyrtare asnjëherë. As s’na kanë njoftuar çka po ndodh në institucion…” – ka thënë Osdautaj në një bisedë për Kallxo Përnime. Ilustrim: Kryetare e Komisioni, Neime Binaku – Isufi, nënkryetare, Kaltrina Sela dhe anëtare Nafije Osdaudaj “I kam shkruar, i shkruaj vazhdimisht [kryetares], të lutem thirre mbledhjen se ka kuorum.
Ne të dyja jemi në zyre. Kohën e fundit fare nuk kthen përgjigje ose ka thënë ‘unë e di çka bëjë – unë jam kryetare’. Rrogat natyrisht i marrim se neve na shkarkon Kuvendi edhe asnjë të vetmin gabim as shkelje nuk e kam” – ka thënë tutje anëtarja e Komisionit të Autoritit. ‘Konflikti i interesit’ që bllokoi Komisionin Në vitin 2022, Autoriteti i Konkurrencës kishte nisur një hetim ndaj dy kompanive, “ArtMotion” dhe “Kujtesa”.
Pretendohej se kishte ndodhur shitblerja e aksioneve të kompanive pa një njoftim paraprak të Autoritetit të Konkurrencës. Hetimi nuk është përfudnuar as pas katër vitesh. Kur rasti ishte në fazën e vendimmarrjes, nënkryetarja e Komisionit, Kaltrina Sela kishte deklaruar konfliktin e interesit.
Ajo ishte tërhequr nga vendimmarrja në Komision edhe pas një interpretimi të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, të datës . Për të sqaruar tutje situatën, vetë kryetarja e Komisionit, Neime Binaku – Isufi, kishte kërkuar nga APK-ja një interpretim nëse nënkryetarja Sela është në konflikt të interesit në rastin ku hetoheshin kompanitë e telekomunikimeve.
“Lidhur me gjendjen e nënkryetares Kaltrina Sela, e cila vazhdimisht është në konflikt interesi me korporata të mëdha të cilat Autoriteti i Konkurrencës i ka nën hetim e veçanërisht tek sektori i telekomunikimeve” – thuhej në kërkesën e kryetares Neime Binaku – Isufi drejtuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
APK-ja, më kishte nxjerr një opinion i cili konstatonte se përfshirja e nënkryetares Kaltrina Sela në vendimmarrje në rastet e hetimeve të kompanive të telekomunikimeve përbënte konflikt interesi. Por, me opinionin e APK-së nuk ishte pajtuar vetë Kaltrina Sela e cila i ishte drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kontestuar opinionin.
Në një përgjigje për Kallxo Përnime vetë Sela ka shpjeguar situatën. “Opinioni i APK-se ishte në kundërshtim të hapur me realitetin dhe gjendjen faktike, andaj ndaj tij unë kam ushtruar padi ne Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe në dhjetor 2025 Gjykata ka nxjerre Aktgjykim ku e ka anuluar këtë opinionin të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit” – ka thënë ajo.
“Lidhur me këtë Aktgjykim unë e kam njoftuar Kryetaren znj. Binaku Isufi, por përsëri ajo ka vazhduar të më pengoj në ushtrimin e funksionit edhe pas aktgjykimit” – ka deklaruar nënkryetarja Kaltrina Sela.
Kallxo Përnime ka konfirmuar se tani rasti po trajtohet në shkallën e dytë në Gjykatën e Apelit pasi Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka ushtruar ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të gjykatës . Në foto Selajdin Beqa, drejtor i Autoritetit të Konkurrencës, ish-anëtarja e Komisionit Salihe Gashi – Loku, anëtarja Nafije Osdautaj dhe nënkryetarja Kaltrina Sela.
Foto: Facebook Tutje, nënkryetarja e Autoritetit të Konkurrencës ka drejtuar akuza ndaj kryetares, Neime Binaku – Isufi. “Znj. Neime Binaku Isufi, Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës në vazhdimësi ka penguar punën time si Nënkryetare e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës që nga muaji nëntor i vitit 2024, duke më pamundësuar ushtrimin e funksionit të nënkryetares.
Arbitrariteti e kundërligjshmeria janë metoda të punës të Kryetares znj.Binaku Isufi dhe Drejtorit të Përgjithshem z.Selajdin Beqa, të cilat tashmë dihen nga secili zyrtar ne AKRK” – ka thënë në përgjigje me shkrim Kaltrina Sela.
Në lidhje me pretendimet e ngritura nga Kaltrina Sela për pengim në ushtrimin e detyrave si nënkryetare e Komisionit të Autoritetit, institucioni përmes një përgjigje me shkrim ka komentuar rastin. “Funksionimi i Komisionit dhe mbajtja e mbledhjeve zhvillohet në përputhje me kërkesat ligjore për kuorum dhe standardet e integritetit institucional.
Çështjet që lidhen me konfliktin e interesit trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe opinionet e institucioneve kompetente” – thuhet në përgjigje. “Nuk ka pasur vendime apo udhëzime të brendshme që kufizojnë pjesëmarrjen e anëtarëve në mbledhje” – ka deklaruar AK në përgjigjet zyrtare me shkrim.
Neime Binaku – Isufi, kryetare e Komisionit të Konkurrencës nuk ka pranuar të japë intervistë apo të përgjigjet në pyetjet direkte rreth funksionimit të Komisionit që ajo i prin. Gjatë një takimi në zyrat e Autoritetit të Konkurrencës, drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Selajdin Beqa ka konfirmuar që Komisioni nuk është funksional.
Ai po ashtu ka folur edhe për rastin e konfliktit të interesit të nënkryetares, Kaltrina Sela. “Ka, nja tre vendime të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit që ndaj nënkryetares ka vendosur – që ka konstatuar rastet – që në minimum nja dy a tri janë vendos.
Kjo ka nja katër a pesë firma sipas evidencës që operojnë në tregje të ndryshme, duke përfshirë edhe te kabllorët që furnizojnë me produkte, kanë marrëdhënie kontraktuale. Sipas ligjit, ajo duhet të tërhiqet. Dy vendimet janë të tërhiqet, i fundit është opinioni ku konstaton që duhet të largohet nga pozita” – ka thënë Beqa .
Selajdin Beqa, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës Kallxo Përnime ka dërguar pyetje tek Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit për të konfirmuar nëse opinioni i këtij institucioni parasheh që Kaltrina Sela të largohet nga pozita e nënkryetares tek Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës.
APK përmes një përgjigje me shkrim ka mohuar të ketë nxjerr opinion që parasheh largimin nga pozita të Selës. “Opinioni i Agjencisë me nr. DPKI-1592/24 nuk përmban konstatim apo vendim se znj. Kaltrina Sela ‘duhet të largohet nga pozita’ e nënkryetares së Autoritetit të Konkurrencës.
Për më tepër pas nxjerrjes së këtij opinioni, APK ka njoftuar Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si institucion ndaj të cilit përgjigjet Autoriteti i Konkurrencës, duke i përcjellë opinionin përkatës” – thuhet në përgjigje. Në anën tjetër, kompania “Devolli Corporation” nuk ka pranuar të komentoj rastin për të cilin është përmendur duke thënë se po zhvillohen hetime.
“Duke pasur parasysh se çështja në fjalë aktualisht është objekt i procedurave përkatëse pranë institucioneve kompetente, si dhe faktin se Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj personit përgjegjës të Autoritetit të Konkurrencës lidhur me veprimet dhe shkeljet e pretenduara në kuadër të kësaj çështjeje” – thuhet në përgjigje.
“Konsiderojmë se nuk do të ishte e përshtatshme që, në këtë fazë, të komentojmë publikisht apo të japim informacione të mëtejshme lidhur me procedurën administrative dhe rrethanat që janë objekt shqyrtimi” – deklaron “Devolli Corporation”. Përqendrimet në heshtje…
Të paktën 48 përqendrime janë lejuar në heshtje nga Autoriteti i Konkurrencës pasi Komisioni i këtij institucioni nuk ka mbajtur mbledhje për t’i trajtuar kërkesat e bizneseve. Sipas ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës , nëse kërkesa për përqendrim nuk shqyrtohet 30 ditë atëherë ajo lejohet në mënyrë automatike, pa një hetim paraprak.
Kallxo Përnime ka siguruar një listë të rasteve të përqendrimeve gjatë vitit 2025 dhe 2026. Në listë ka kompani të tregtisë së energjisë elektrike, shitblerje të bankave, shitblerje të kabllorëve, shitblerje të rrjeteve të marketeve, prej një rrjeti në një rrjet tjetër, biznese të mëdha multimilionëshe të cilat janë shitur apo janë vendosur nën një pronarë pa asnjë diskutim në Autoritet.
Drejtori i Autoritetit të Konkurrencës ka konfirmuar që për më shumë se një vit Komisioni nuk ka hetuar asnjë biznes për marrëveshje të fshatë apo kurdisje të çmimeve.
“Komisioni janë veç tu marrë paga edhe vijnë… kjo vijnë është kur të ju bjen koha ose kur kanë kohë me ardh me bë naj insinuatë, naj stisje, naj organizim, naj puç, naj kështu se, nuk punon, përveç kryetares që i bën do takime” – ka thënë Selajdin Beqa. “Ne si sekretariat jemi duke i trajtuar rastet sipas ligjit. Rastet vijnë, është afati ligjor.
Shikohet a është lënda komplet, është dosja, i lëshohet vërtetim palës se lënda është komplet. Sekretariati sipas nenit 29 është duke e kryer monitorimin…Por jo hetim” – ka thënë Beqa. Situata e krijuar në Autoritetin e Konkurrencës, ku bordi nuk ka mbajtur mbledhje prej më shumë se 14 muaj dhe kërkesat e korporatave për përqendrime kanë kaluar në heshtje, po e dëmton ekonominë e Kosovës.
Anëtarja e Komisionit të Autoritetit, Nafije Osdautaj ka thënë se e gjithë situata duket se është e qëllimshme. “Përse ata e kanë bërë jofunksional komisionin dhe pse nuk shkojnë përmes komisionit, por veprojnë që ata të shkojnë në heshtje [kërkesat për përqendrime]. Më duket që qëllim është ky.
Po i bëhet një dëm i madh edhe institucionit, edhe ekonomisë së Kosovës, edhe sigurisë së Kosovës, se nuk e din kush ka hy në treg, a kanë ardhur firmat. Ato duhet të studiohen mirë nga komisioni…” – ka vlerësuar Nafije Osdautaj. Ndërsa, nënkryetarja e Komisionit, Kaltrina Sela e ka akuzuar kryetaren, Neime Binaku – Isufi se ka lëshuar përqendrime duke nënshkruar vendimet si e vetme.
Sipas saj, me këtë veprim, Binaku – Isufi e ka shkelur ligjin. “Gjatë vitit 2025 janë lejuar përqendrime të ndërmarrjeve pa marrë aprovim të Komisionit dhe të njëjtat janë bërë vetëm me vendim individual të znj.Binaku Isufi, gjë qe bie hapur ne kundërshtim me nenin 26, paragrafi 1, pika 1.4 te Ligjit nr.08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, qe përcakton kompetencën e Komisionit si organ kolegjial” – ka deklaruar Sela.
“Pavarësisht që edhe Komisioni kishte përbërje prej katër anëtarësh, znj. Binaku Isufi që nga marsi i vitit 2025 me vendim individual ka lejuar disa përqendrime e te cilat janë kompetence vetëm e Komisionit.
Ndërsa, nga muaji korrik 2025 përqendrimet (bashkimet) e ndërmarrjeve janë duke kaluar në heshtje edhe pse është kuorumi i nevojshëm për vendimmarrje dhe sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës duhet të vlerësohen nga Komisioni” – ka thënë nënkryetarja Kalrina Sela.
Përmes përgjigjeve me shkrim, institucioni i Autoritetit të Konkurrencës nuk ka dhënë shpejgime për pretendimet e nënkryetares Sela. “Përqendrime të lejuara sipas neni 18.2 të ligjit pa vendime të komisionit janë 48 përqendrime (raste). Nuk janë marrë vendime individuale jashtë procedurave dhe kompetencave të përcaktuara me ligj.
Autoriteti ka vepruar në përputhje me interpretimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore që rregullojnë funksionimin e Komisionit dhe standardet e integritetit institucional” – thuhet në përgjigjet e Autoritetit të Konkurrencës.
Konfliktet brenda institucionit Dy inspektorë hetues të Autoritetit të Konkurrencës, Gresa Latifi dhe Shemsi Elezi kanë denoncuar një varg, siç pretendojnë ata, padrejtësish që u janë bërë brenda institucionit. Shemsi Elezi thotë se në fund të vitit 2023 ishte sulmuar fizikisht nga drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës, Selajdin Beqa.
Që nga ajo kohë, sipas Elezit, ai është duke u përballur me presion në vendin e tij të punës. “Unë dua t’ju njoftoj juve dhe publikun e gjerë sepse unë që nga 29 nëntori i 2023-s jam në presion të vazhdueshëm nga personat përgjegjës në Autoritetin e Konkurrencës.
Domethënë tre herë jam pezulluar, shtatë herë kam dalë në komisionin disiplinor, edhe i kam shtatë vërejtje me shkrim” – thotë Shemsi Elezi në një intervistë për Kallxo Përnime. Për të gjitha padrejtësitë, që ai pretendon që iu bënë, Elezi iu drejtua institucioneve përgjegjëse, siç është Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).
“Unë të gjitha ankesat që i kam drejtuar në institucionet administrative siç është KPMSHCK -ja dhe institucione të tjera, dhe i kam fituar rastet.
Edhe si rrjedhojë, me datë kam pranuar vendimin e KPMSHCK-së i cili ka obliguar Bordin e Autoritetit të Konkurrencës, që të trajtojë çështjen e pezullimit të drejtorit të përgjithshëm për shkak të ngritjes së aktakuzave” – ka thënë Shemsi Elezi .
Vendimi i KPMSHCK-së Kallxo Përnime ka konfirmuar se Selajdin Beqa ka dy aktakuza të cilat janë duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj. Vetë Beqa nuk ka pranuar të jap koment mbi rastin e konfliktit fizik me inspektorin hetues, Shemsi Elezi nërsa ka fajësuar atë për situatën e krijuar.
“Po bre po, krejt në rregull është ajo, ai është i stisur, edhe me KPMSHCK po shkojnë, gjejnë njerëz gjithkah. Kanë more njerëzit pare, po kanë kohë… ai është i suspenduar, vjen në punë.
Ai nuk i kryen detyrat, nuk i kryen punët, nuk i kryen rastet, ndonëse vjen këtu, u pezullua për atë punë se s’punon, s’përgjigjet, nuk e njeh askënd këtu” – ka thënë Beqa kur është pyetur për pretendimet e Shemsi Elezit.
Shemsi Elezi, Inspektor hetues Në anën tjetër, edhe inspektorja hetuese, Gresa Latifi ka thënë që është në presion nga zyrtarët brenda institucionit të Autoritetit të Konkurrencës. Madje, Latifi ka thënë se është kërcënuar me vdekje nga drejtori Selajdin Beqa. “Për tre vite kam pranuar 13 masa disiplinore.
Arsyeja pse më kanë dhënë këto masa ka qenë qëllimi për largimin tim nga institucioni, specifikisht largimi im nga rastet në hetime të cilat kanë qenë duke u hetuar brenda dhe që janë shumë të rëndësishme për tregun e Kosovës“ – ka thënë Gresa Latifi në një intervistë për Kallxo Përnime. “Kam pasur edhe në kërcënime me jetë.
Të gjitha këto i kam denoncuar në organet kompetente dhe po pres një reagim së shpejti prej tyre. Kërcënimin e kam marrë prej një palës së tretë, si me thënë, kanë dërguar fjalë që jam e kërcënuar që ‘me një plumb’. Këto fjalë mi ka dërguar eprori, Selajdin Beqa” – ka thënë tutje Latifi. Ndërhyrjet sipas Latifit kanë qenë të vazhdueshme në punën e saj.
“Eprorët për disa raste të caktuara kanë tentuar të më ndërhyjnë në raste. Kanë ndryshuar raportet e mia të dërguara. Kanë vjedhur dokumentet e mia konfidenciale të palëve në institucion. Më kanë marrë raste dhunshëm dhe më pastaj të gjitha ato raste janë bllokuar” – ka deklaruar Gresa Latifi, inspektore hetuese në Autoritetin e Konkurrencës.
Gresa Latifi, Inspektore hetuese Drejtori i Autoritetit të Konkurrencës, Selajdin Beqa, është përgjigjur vetëm në disa prej pretendimeve të hetueses Gresa Latifi. “Jo, për herë të parë po e dëgjoj këtë dorën në zemër. Ajo ka pretenduar, por mundesh me u interesu në Polici, është shënim zyrtar. Unë nuk kam kërcënuar ndonjëherë ndokënd.
Po, jam përgjigjur në Polici por ka mbetë shënim zyrtar. Ajo ka pasur edhe 100 pretendime të tjera, tash është me grupin e tyre, me Shemsiun (Elezi) dhe me Kaltrinën (Sela)” – ka thënë Selajdin Beqa.
Lidhjet e zyrtarëve me Lëvizjen Vetëvendsoje Kryetarja e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku – Isufi, drejtori i përgjithshëm në këtë institucion, Selajdin Beqa dhe inspektorët hetues, Shemsi Elezi dhe Gresa Latifi, kanë lidhje me partinë e cila është në pushtet – Lëvizjen Vetëvendsoje.
Gjatë zgjedhjeve të vitit 2025, Neime Binaku – Isufi, kryetare e bordit të Konkurrencës ishte bërë sebep që Lëvizja Vetëvendsoje të gjobitej me 6 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Për këtë rast kishte raportuar KALLXO.com më , ndërsa PZAP thoshte se kryetarja e Komisionit të Konkurrencës ka bërë shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe se përkundër pozitës që mban është përfshirë në fushatë.
Edhe ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës , neni 23 i cili flet për kushtet për të qenë anëtarë i komisionit, pika 3.3 parasheh që anëtarët nuk bënë të përfshihen në veprimtari politike. Selajdin Beqa, drejtor i përgjithshëm në Autoritetin e Konkurrencës për një kohë ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.
Këtë, ai vetë e ka konfirmuar, por ka thënë që ka dhënë dorëheqje nga pozitat brenda partisë. “ Jo, e kam pushu aktivitetin që nja katër-pesë vjet, po reagoj dhe do të reagoj dhe do ta them edhe publikisht për rastin e Veriut do të reagoj gjithmonë” – ka deklaruar Beqa. Pjesë e Vetëvendosjes ishin edhe inspektorët hetues, Shemsi Elezi dhe Gresa Latifi.
Por, ata deklarojnë që kanë pushuar aktivitetin politikë. “Unë kam filluar punën më në Autoritetin e Konkurrencës. Derisa kam filluar punën në institucion, unë kam qenë kryetare e një pike prej Lëvizjes Vetëvendosje në qendër të Prishtinës. Me t’u punësuar, unë kam dhënë dorëheqje prej të gjitha pozitave që kanë qenë, edhe jam veç anëtare e thjeshtë” – ka thënë Gresa Latifi.
Në anën tjetër, Shemsi Elezi, ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Drenasit në vitin 2017, ndërsa për një kohë ishte edhe në krye të degës së LVV-së në këtë komunë. Ai ka mohuar që dikon partia në Autoritetin e Konkurrencës. “Unë flas vetëm për veten time. Unë asnjë kontakt nuk kam.
Kam miq, kam shokë, kam shumë njerëz të ndershëm brenda në atë subjekt, sikur që ka edhe në subjekte të tjera krejt” – thotë Elezi. “Puna jonë që e kryejmë në Autoritetin e Konkurrencës është punë hetuese, që do të thotë duhet patjetër mos të jesh pjesë e një subjekti aktiv.
Mundesh me qenë anëtar, me shku me dëgju në fushatë një program, por jo ashtu” – ka deklaruar inspektori hetues i Autoritetit të Konkurrencës, Shemsi Elezi. Për më shumë se një vit, institucioni që ka për detyrë të mbrojë konkurrencën në treg ka mbetur pa vendimmarrje, ndërsa dhjetëra përqendrime biznesesh janë lejuar automatikisht.
Në të njëjtën kohë, përplasjet mes drejtuesve janë përshkallëzuar nga mosmarrëveshjet administrative në akuza për kërcënime, dhunë dhe procese gjyqësore, duke lënë të bllokuar funksionimin e një prej institucioneve kyçe për ekonominë e Kosovës.
