Shpërndaje në: Ai që është quajtur “New Generation” nuk është thjesht një koncert që finalizon dhe shfaq rezultatet e trajnimeve të zërave të rinj. Është paralajmërim për emra që me fort mundësi do ta shënojnë skenën e muzikës operistike. Maestroja Dario Russo ka shkelur skenat botërore, e në zbulimin e talenteve të reja që mund ta ndjekin rrugën e tij, ai është optimist.
“Shpresoj që të vazhdojnë të studiojnë për t’i shërbyer talentit të tyre dhe për të festuar muzikën, jo thjesht për të festuar veten”, ka thënë Russo Vigjilencë Islami Emra të shquar botërorë, kanë qenë përherë kryefjalë e festivalit ndërkombëtar të operës “Rame Lahaj” por një prej shtyllave qendrore e shndërruar tashmë në mision, është hapja e skenës për gjenerata të reja.
Nëse RLIOF-i tash e gjashtë vjet shënon nga një kapitull, kur përfundon, ajo që lë prapa – pos magjisë së koncerteve – është hapja e kapitujve për artistët që sapo i kanë hyrë kësaj rruge. “New Generation” siç titullohet kjo platformë nuk është vetëm koncert që finalizon dhe shfaq rezultatet e trajnimeve të zërave të rinj.
Është paralajmërim për emra që me fort mundësi do ta shënojnë skenën e muzikës operistike. Këso ndjesie ka thënë koncerti i radhës, i zhvendosur në Sallën e Ateliesë, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, pas një jave të masterklasave të mbajtur me basin italian dhe mjeshtrin e teknikës vokale, Dario Russo.
Skena e rrethuar me perde gjigande të zeza, me shtatë rende ulësesh përballë ka qenë ftesa e parë për një rrugëtim muzikor në hapësirë të vogël intime skenike. E gjithë mbrëmja iu dedikua punës së masterklasave që kishin nisur më 18 korrik dhe përfunduan ditën e koncertit, të premten.
Masterklasa me studentët, këngëtarët e së ardhmes, jo vetëm të Kosovës por edhe nga vendet e tjera, është përqendruar kryesisht teknikat e frymëmarrjes, qëndrimit të trupit dhe lëvizjes. Është teknikë, që sipas koordinatorit të festivalit, Besmir Vokopola, i ka shënuar masterklasat e edicionit të gjashtë të RLIOF-it.
“Keni mundësi të dëgjoni këta artistë të rinj, të cilët shpresojmë t’i mbushin skenat edhe në Kosovë por edhe kudo në Evropë dhe më gjerë”, ka thënë Vokopola në hapjen e koncertit.
Ka nisur me tingujt e pianos interpretuar nga pianistja dhe korepetitorja e mbrëmjes Jess Rucinski dhe paraqitjen e aries “Caro mio ben” nga Vanesa Krasniqi me një ngrohtësi dhe emocion, ku personazhi i drejtohet të dashurit me mall dhe dhimbje, duke shprehur frikën e humbjes dhe dëshirën për t’u bashkuar. Ka pasur kënga lirike “Elegie” (J.
Massenet) interpretuar nga Teuta Morina, që trajton pikëllimin për një dashuri të humbur, me një atmosferë të qetë dhe melankolike. Martina Lekaj ka interpretuar arien plot elegancë dhe delikatesë të Verdit “Sul fil d’un soffio etesio” me teknikë dhe muzikalitet.
Fjolla Kelmendi, pa lëvizje të shumta skenike, me fokus dhe aftësi të veçantë në përdorimin e teknikave të zërit, ka sjellë në frëngjisht këngën poetike për një ëndërr të bukur dashurie, “Apres un reve” të G. Faures. Yllka Demukaj është paraqitur me “O del mio dolce ardor” nga opera “Paride ed Elena” e Gluckut, duke mbajtur ekuilibrin dhe komunikimin me publikun.
Aurela Murtezaj, ka interpretuar një nga ariet më të dashura të operës “O mio babbino caro” e Puccinit, ku Lauretta i lutet të atit ta lejojë të martohet me njeriun që dashuron.
Demukaj dhe Murtezaj kanë interpretuar edhe duetin e njohur nga opera “Le nozze di Figaro” e Mozartit, ku Kontesha dhe Susanna shkruajnë një letër për të zbuluar tradhtinë e Kontit, duke ndërthurur finesën, humorin dhe elegancën.
Teuta Sukaj si zë premtues i së ardhmes, ka sjellë “Porgi Amor” të operës “Le nozze di Figaro nga Mozarti, një arie e mbushur me dinjitet e dhimbje ku kontesha i lutet dashurisë t’ia rikthejë lumturinë dhe besnikërinë. Fiona Shahini, ka pasur dy paraqitje në skenë, me arien nga “Le nozze di Figaro” të Mozartit dhe atë nga opera “Turandot” e G. Puccinit.
Është një zë që e zotëron skenën, mjaft dramatike, shfaq zhgënjim dhe pikëllim tek është futur mirë në rol. Ka dëshmuar muzikalitet të lartë. Një tjetër solokëngëtare ka qenë edhe Blenda Kelmendi. Me zë bindës, dramatik, muzikalitet e kontraste, ka interpretuar “Voce di donna” nga “La Gioconda” e A.
Ponchiellit, arie që pasqyron forcën, ndjenjat dhe sakrificën e një gruaje të përballur me fatin e saj. Për të kjo ka qenë hera e tretë që merr pjesë në masterklasat e RLIOF-it. “Kënaqësi si gjithmonë me u rikthy në festivalin e tenorit tonë të famshëm Rame Lahaj dhe shumë vlerësuese për këtë mundësi të mrekullueshme.
Sot e tre vjet ka qenë hera e parë që kam marrë pjesë në masterclass me të njëjtin maestro, Dario Russon. Ka qenë diçka e mrekullueshme, shtatë ditë punë intensive dhe në fund u përmbyll me një koncert të mrekullueshëm ku është shfaqur puna jonë gjatë atyre ditëve.
Pastaj vitin e kaluar ka qenë tenori Ramon Vargas, që gjithashtu ishte eksperiencë shumë e mirë dhe kemi përfituar shumë si gjithmonë. Këtë vit me Darion Russon, gëzim i madh kur e kam parë emrin e tij që do të rikthehej, sepse përnjëmend kemi bërë punë të mirë dhe e vlerësoj shumë”, ka thënë ajo.
Kalmendi e ka konsideruar koncertin si një hap drejt një karriere ndërkombëtare dhe që festivali i Rame Lahajt gjithmonë ka qenë një derë e hapur për artistë të rinj dhe ata që kanë dashur të zhvillohen shumë në fushën e tyre. Solokëngëtarja Sofia Berberidou ka ardhur nga Greqia.
Ka interpretuar arien e Handelit, “Piangero la sorte mia”, që bashkon dhimbjen dhe vendosmërinë, si dhe arien e Mozartit, “Der Holle Rache kocht in meinem Herzen” që shfaq Mbretëreshën e Natës me zemërim dhe hakmarrje. Berberidou e ka nisur interpretimin furishëm, duke shfaqur zemërim, pikëllim dhe dhimbje.
E lidhur fort me rolin e saj, kontrastet, zëri ngulitës dhe muzikaliteti janë shfaqur edhe në mimika duke ia mundësuar asaj një paraqitje të arrirë skenike. “Është hera ime e parë në Kosovë. Vij nga Greqia dhe në njëfarë mënyre, edhe unë jam ballkanase, por nuk kisha pasur më parë mundësinë të vija këtu. Më ka pëlqyer shumë.
Qyteti është plot gjallëri, ndërsa njerëzit janë jashtëzakonisht të sjellshëm dhe mikpritës. Nuk e flas gjuhën, por sa herë që u kam kërkuar ndihmë njerëzve, ata më kanë ndihmuar. Kjo më ka bërë shumë të lumtur. Më pëlqen shumë edhe festivali. Mendoj se është një nismë e shkëlqyer që ka ndërmarrë Rame Lahaj dhe një mundësi e jashtëzakonshme për çdo këngëtar të ri.
Pa dyshim, do të doja të rikthehesha”, ka thënë ajo. Përveç solokëngëtareve, u paraqitën edhe dy solokëngëtarë. Ardit Hasani, me posturë të rregullt, përmes frymëmarrjeve të ekuilibruara dhe i koncentruar në shprehjen e frazave muzikore, ka interpretuar arien nga periudha e Barokut “Sebben, crudele” të kompozitorit Italian Antonio Caldaras.
Blenda Kelmendi, ka interpretuar “Voce di donna” nga “La Gioconda” e A. Ponchiellit, arie që pasqyron forcën, ndjenjat dhe sakrificën e një gruaje të përballur me fatin e saj (Foto: Arben Llapashitca) Jetmir Bajrami, ka pasur dy paraqitje solo, me veprat “Est ist genug” nga F. Mendelssohn dhe me “Mein Sehnen, mein Wahnen” të E. W. Korngold.
Në të dyjat është futur thellë në rolet që ia kanë theksuar zërin karakteristik dhe aftësitë interpretuese skenike. Të gjithë artistët e rinj, me talentin e tyre dhe me veshjet glamuroze, kanë ngjarë si yje dhe ua morën shkëlqimin dritave të sallës modeste të Pallatit të Rinisë.
Skena nuk i përket një shtëpie operistike, që vazhdon t’i mungojë komunitetit artistik në Kosovë, por paraqitja e tyre ishte e nivelit operistik. Dario Russo, tashmë mik i RLIOF-it vjen pas përvojës së suksesshme me studentët e edicionit të katërt, duke vazhduar angazhimin e tij në mbështetjen dhe zhvillimin e brezit të ri të artistëve. Ka interpretuar edhe në mbrëmjet gala.
Prestigjiozja italiane, “La Repubblica”, e ka përkufizuar atë si një bass me një “ton fisnik”. Është i specializuar në repertorin Belcanto, gjatë karrierës së tij, ai ka interpretuar në shtëpitë kryesore të operës në Itali dhe në Evropë në vepra të shquara.
I diplomuar në gjuhë dhe letërsi ruse dhe gjermane, zotëron një repertor në gjuhë të huaja, ndër të cilat ai ka shkëlqyer si në repertorin francez, ashtu edhe në atë gjerman. Ndër teatrot dhe sallat e koncerteve ku ai ka interpretuar janë Teatro alla Scala e Milanos, Teatri i Operës në Romë, “Bunka Kaikan” në Tokio e shumë e shumë të tjerë. “Ishte kënaqësi e madhe për mua.
Këtu ka talente të mëdha dhe zëra të bukur. Mendoj se këta këngëtarë të rinj kanë potencial të madh. Disa prej tyre tashmë janë në një nivel shumë të mirë dhe do të doja që të ndërtonin një karrierë të suksesshme. Për mua ishte një kënaqësi e veçantë të isha këtu dhe të punoja me ta”, ka thënë Russo.
Ai mund të vërejë një progres tek “New Generation” që nga edicioni i 4-t i festivalit ku ai mori pjesë për herë të parë si mentor. “Janë vetëm dy vjet, nuk është shumë kohë, por unë e shoh. Ekziston vullneti për të studiuar dhe për të bërë më të mirën, dhe këtë e vlerësoj shumë.
Shoh se ata janë më të përqendruar te dalja në skenë, te kënaqësia e të kënduarit, dhe shpresoj që ta arrijnë këtë. Shpresoj që të vazhdojnë të studiojnë për t’i shërbyer talentit të tyre dhe për të festuar muzikën, jo thjesht për të festuar veten”, ka thënë Russo.
Një ndër kualitetet që ai thekson që është themelor dhe dëshiron ta shohë te këngëtarët e rinj për një potencial ndërkombëtar, është ndjeshmëria. “Ka shumë cilësi po para së gjithash, një ndjeshmëri të madhe. Aftësinë për të hyrë thellë në atë që kompozitori shkruan ose ka shkruar dhe për të përcjellë atë që thotë teksti i aries apo i rolit.
Pra, të depërtojnë në thellësi të libretit, për t’i sjellë publikut kuptimin dhe ndjenjat që kompozitori dëshiron të shprehë. Kjo është gjëja e parë, gjëja kryesore që kërkoj të gjej te këngëtarët e rinj: ndjeshmërinë”, ka thënë ai.
Russo ka thënë se shpreson që publiku, pas koncertit të këtyre artistëve të rinj, të largohet me energjinë dhe freskinë e tyre, me pasionin për të festuar muzikën dhe për ta vënë talentin e tyre në shërbim të saj. Pikërisht këtë ndjenjë ai ka thënë se dëshiron që t’ia transmetojnë publikut.
Nuk ka ndonjë plan konkret për t’u kthyer në Kosovë në të ardhmen, por ka shtuar se “kurrë s’i dihet”. Për të “është gjithmonë kënaqësi të jetë këtu, të takojë miqtë e tij, si Ramën, dhe të kalojë kohë me ekipin që punon për Festivalin, të cilin e ka vlerësuar për organizimin e shkëlqyer”.
“Është vërtet një kënaqësi dhe një nder për mua të jem këtu”, ka thënë maestroja Russo, emër i skenave të njohura që tash synon t’ua hapë dyert edhe atyre që bëhen bashkë në “New Generation”.
Festivali ndërkombëtar i operës “Rame Lahaj” të dielën mbrëma ka sjellë “Opera Night” në Bibliotekën Kombëtare e që i paraprin gala-mbrëmjes “Rame Lahaj & Friends” të mërkurën që vjen në sheshin “Skënderbeu” që shënon edhe mbylljen e edicionit të gjashtë.
