Rita Ora ka folur hapur për fëmijërinë e saj si refugjate dhe rrugëtimin drejt suksesit ndërkombëtar, duke u shprehur se është krenare për origjinën e saj si emigrante.
Këngëtarja 35-vjeçare, e cila po punon aktualisht në albumin e saj të katërt dhe së fundmi u rikthye në rolin e Mbretëreshës së Zemrave në “Descendants”, ka treguar se rruga drejt famës ka nisur nga një periudhë shumë e vështirë e jetës së saj. Rita lindi në Prishtinë, por familja e saj u largua nga Kosova gjatë periudhës së persekutimit të shqiptarëve etnikë në fillim të viteve të 90-ta.
Prindërit e saj, Vera dhe Besniku, nisën një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar, ku mësuan gjuhën angleze dhe ndërtuan gjithçka nga fillimi, shkruan DailyMail. Nëna e saj, e cila ishte mjeke, u rikualifikua si psikiatre, ndërsa babai i saj ndryshoi profesion dhe nisi të merrej me biznes, duke menaxhuar edhe një pub në Londër.
Në një intervistë për The Times , Rita tha se ndihet mirënjohëse për mundësitë që ka pasur dhe për edukimin e marrë. “E tëra që di është se jam gjithmonë mirënjohëse për arsimin që kam marrë dhe krenare që jam emigrante”, u shpreh ajo.
Artistja shtoi se shumë emigrantë kanë një energji të veçantë dhe një dëshirë të madhe për t’u përmirësuar, duke theksuar se historia e shumë artistëve të mëdhenj lidhet me rrënjë emigrante. Përveç muzikës, Rita ka folur edhe për planet e saj në kinematografi, duke zbuluar se do të dëshironte të luante në një film të bashkëshortit të saj, regjisorit Taika Waititi.
Çifti, i cili është i martuar prej gati katër vitesh, do të festojë përvjetorin e martesës në gusht.
