Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe në tetëvjetorin e vdekjes së Adem Demaçit, duke e cilësuar atë si simbol të qëndresës dhe rezistencës ndaj regjimit jugosllav e serb. Në një postim, Kurti tha se Demaçi, i cili kaloi 28 vjet në burg për idealet e tij, mbetet shembull i pathyeshmërisë dhe frymëzim për brezat.
Ai e quajti Demaçin “Mandela i shqiptarëve dhe i Evropës”, duke shtuar se trashëgimia e tij politike, kulturore dhe historike vazhdon të orientojë shoqërinë. “Lavdi jetës dhe veprës së Bacë Adem Demaçit” , përfundoi Kurti.
Postimi i plotë: Sot, në tetë vjetorin e ndarjes nga jeta bëmë homazhe në nderim dhe kujtim të Bacës Adem, Adem Demaçit, sinonimit të qëndresës dhe rezistencës në kundërshtimin e pushtetit shtypës jugosllav e serb mbi shqiptarët. Për këtë ai sot me të drejtë është Mandela i shqiptarëve dhe i Evropës. Adem Demaçi është shembulli i pathyeshmërisë dhe përjetësisë.
Ai u rrit, mbajti 28 vjet burg, vazhdoi jetën duke mos u lëkundur asnjëherë nga rruga dhe idealet që kishte nisur. Baca Adem e kishte kuptuar dialektikën e jetës ngaqë nuk i frikësohej vdekjes. Ai jetonte mes lirisë dhe burgut. Vuajtjet i kthente në forcë, dhuna ia farkëtonte rezistencën teksa vepra i bëhej i pavdekshme. Ai e “kishte vrarë vdekjen”.
Baca Adem është ndarë fizikisht nga jeta, por veprimtaria e tij vijon të na frymëzojë e orientojë të gjithë neve. Lavdi jetës dhe veprës së Bacë Adem Demaçit dhe gjithë trashëgimisë së tij politike, kulturore dhe historike!
