Kanë kaluar gati dy vjet prej kur është larguar nga implementimi orari i kujdestarive gjatë natës për barnatoret në Prishtinë. Mirëpo, kjo synohet të rikthehet sërish në funksion. Ndërkohë, Oda e Farmacistëve të Kosovës tashmë është pjesë e një grupi punues me Ministrinë e Shëndetësisë, përmes së cilit po synohet që të bëhet orari i kujdestarisë së barnatoreve në gjithë vendin.
Orarin gjatë së cilit i ofrojnë shërbime pacientëve e kanë të vendosur në derë. Ndërkohë pas kësaj ore, kjo farmaci në kryeqytet mbyllet, por ka të tjera që punojnë 24 orë, ndonëse nuk e kanë të përcaktuar me ndonjë rregullore. Kësisoj, ka më shumë se dy vite që orari i kujdestarisë së barnatoreve në Prishtinë është larguar.
Por, drejtori i shëndetësisë, Bujar Gashi bën të ditur shërbimet do të rikthehen në 24 orë. “Po në planifikimet tona, në të ardhmen është e planifikuar që të mbahen takime të grupeve punuese me grupet e interesit edhe qytetarët po edhe farmacistët e kryeqytet që formula e cila do të bëhet të jetë e përshtatshme me në rend të parë për qytetarët e pastaj edhe për barnatoret”, ka thënë Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë.
Por, a kanë pranuar kërkesa nga farmacistët deri më tani? “Jo deri më tani nuk kemi marr ndonjë kërkese sepse është edhe fillimi i mandatit tim por në të ardhmen do të mundohemi të gjejmë një formulë të arsyeshme, e cila do të jetë e arsyeshme”, ka thënë Bujar Gashi, Drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë. Veç komunës së Prishtinës, një orar kujdestarie po planifikohet në nivel nacional.
Nënkryetarja e Odës së Farmacistëve, Jehona Hakaj dha detaje. “Është duke u bërë plotësim-ndryshimi i ligjit 11/2015 për qarkulluesit me pakicë pra barnatoret. Ministri ka formu një komision ku unë jam e deleguar nga Oda e Farmacistëve dhe kemi përpilu një orar që është për të mirën e qytetarëve, por edhe farmacistëve”, ka thënë Jehona Hakaj, Nënkryetare e Odës së Farmacistëve.
Numri dy i përfaqësuesëve të farmacistëve tha se janë në fazën e shqyrtimit të ankesave dhe kërkesave. “Po besoj që deri tek mesi i gushtit do të jetë edhe finalizimi i këtij plotësim-ndryshimi i këtij ligji, do të shohim se cilat kanë qenë kërkesat e palëve të pakënaqura në këtë rast”, ka thënë Jehona Hakaj, Nënkryetare e Odës së Farmacistëve.
Pas plotësim-ndryshimit të ligjit do të nevojitet një muaj kohë për implementimin fillestar të orarit të kujdestarive dhe se sipas Odës, 97% e farmacistëve janë pro rregullimit të orarit
