Turqia është shpallur kampione e BVA U17 Kampionatit Ballkanik në volejboll për femra, pas një turneu të jashtëzakonshëm të zhvilluar në Ferizaj, ku dominoi me paraqitje bindëse dhe volejboll të nivelit të lartë.
“Momenti kulmor i ceremonisë përmbyllëse ishte dorëzimi i trofeut të kampiones, të cilin presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, ia dorëzoi kapitenes së kombëtares turke, Selis Ecrin Turkyasar, e cila udhëhoqi ekipin e saj drejt triumfit dhe u shpall gjithashtu Lojtarja më e Vlefshme (MVP) e turneut.
Gjatë pesë ditëve të garave, Turqia dëshmoi cilësi të lartë në çdo ndeshje. Sfida më e fortë erdhi në përballjen me Malin e Zi, ku pas një dueli spektakolar me pesë sete, turket triumfuan me rezultat 3:2. Pikërisht Mali i Zi e mbylli kampionatin në vendin e dytë, ndërsa Bullgaria u rendit e treta.
Ky kampionat ishte një tjetër dëshmi e suksesit organizativ të Federatës së Volejbollit të Kosovës, e cila organizoi në mënyrë profesionale një ngjarje ndërkombëtare me standarde të larta.
Besimi që Asociacioni Ballkanik i Volejbollit (BVA) ka ndërtuar ndër vite ndaj Federatës së Volejbollit të Kosovës u konfirmua edhe një herë, përmes organizimit shembullor, mikpritjes së ngrohtë dhe kushteve të shkëlqyera të ofruara për të gjitha delegacionet pjesëmarrëse.
Përfundimi me sukses i këtij kampionati përforcon pozitën e Kosovës si një organizatore e besueshme e ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare të volejbollit dhe dëshmon kapacitetin e Federatës së Volejbollit të Kosovës për të pritur kompeticione të nivelit më të lartë”, ka shkruar FVK. Renditja përfundimtare: 1. Turqia 2. Mali i Zi 3 Bullgaria 4. Shqipëria 5. Kosova 6. Moldavia