Në pranverën e vitit 1953, malet e veriut mbanin ende njolla bore në shpatet e tyre më të larta. Dimri po largohej me ngadalë, sikur nuk donte ta lëshonte vendin. Mjegullat zbrisnin çdo mëngjes në lugina dhe mbulonin për pak çaste çatitë e gurta të fshatrave, pastaj shpërndaheshin para diellit si një tufë delesh të trembura. Në Tiranë, pranvera kishte ardhur më herët. Në bulevard, pemët kishin çelur sythat e parë dhe njerëzit ecnin me hapa më të shpejtë. Por pas mureve të ndërtesave shtetërore ndihej një shqetësim që nuk kishte lidhje me stinën. Vrasja e sekretarit të parë në një zonë malore kishte tronditur aparatin e partisë. Raportet vinin njëri pas tjetrit. Në secilin raport përsëriteshin të njëjtat fjalë: “armiq të klasës”, “elementë reaksionarë”, “forca armiqësore”, “mbetje të së kaluarës”. Askush nuk e thoshte me zë, por të gjithë e dinin se pushteti ende nuk kishte zënë rrënjë kudo. Kishte vende ku njerëzit bindeshin, por nuk besonin. Kishte vende ku ngrinin dorën në mbledhje, por mendonin ndryshe. Kishte vende ku heshtja ishte më e fortë se çdo fjalim. Një nga ato vende ishte Gurra e Shpatit. Kur emri i fshatit u përmend në mbledhjen e Komitetit Qwndror të Partisë, disa prej të pranishmëve ulën sytë mbi tavolinë. Nuk ishte fshat i madh. As i pasur. Por kishte një nam të vjetër. Banorët e tij nuk grindeshin shumë me pushtetin. As nuk i duartrokisnin shumë. I dëgjonin të gjithë. Besonin pak. Mbanin mend gjatë. Pikërisht aty do të shkonte Mark Dema. Marku nuk ishte njeri i zakonshëm. Që i ri kishte hyrë në lëvizjen partizane. Kishte kaluar male e lumenj me pushkë në krah. Kishte parë shokë të binin në luftë dhe kishte besuar se pas fitores do të lindte një botë më e drejtë. Tani flokët kishin filluar t’i thinjeshin. Vitet e zyrave i kishin zëvendësuar vitet e maleve. Megjithatë, vazhdonte të kishte të njëjtin besim. Ai ishte nga ata njerëz që mendonin se çdo problem mund të zgjidhej po të flitej me njerëzit. – Partia duhet të jetë mes popullit, – përsëriste shpesh. Kjo ishte arsyeja pse e kishin zgjedhur. Mëngjesin e nisjes, një makinë e zezë “Gaz” priste para godinës së komitetit. Shoferi po pinte cigaren e parë. Marku doli me një dosje të hollë nën sqetull. – Rrugë e gjatë? – pyeti. – E gjatë dhe e keqe, – u përgjigj shoferi. – Rrugët bëhen. – Po malet jo. Marku buzëqeshi. Makina u nis. Fillimisht rruga ishte e shtruar. Pastaj u ngushtua. E humbi mes kthesave. Fusha mbeti pas. Kodrat u kthyen në male. Sa më shumë ngjiteshin, aq më shumë dukej sikur po hynin në një botë tjetër. Në një moment shoferi tregoi me dorë një varg kullash guri që shfaqeshin larg. – Aty fillojnë ato anë. – Çfarë anësh? – Anët ku njerëzit flasin pak. Marku pa nga dritarja. Shtëpitë dukeshin si të mbira nga vetë shkëmbi. Oxhaqet nxirrnin fije të holla tymi. Diku larg dëgjoheshin kambanat e një kishe. Për një çast iu kujtua një fjali që kishte dëgjuar në mbledhje: “Duhet t’i afrojmë më shumë me pushtetin.” Ai mendoi se kjo ishte arsyeja e udhëtimit. Nuk e dinte se udhëtimi i tij i vërtetë nuk do të kalonte nëpër rrugët e malit. Do të kalonte nëpër odat e atyre anëve ku do të njihte edhe atë plakë. Dhe se ajo plakë do t’i linte në mendje më shumë pyetje sesa të gjitha raportet që kishte lexuar në jetën e tij. Makina mbërriti në Gurra e Shpatit kur dielli kishte filluar të anonte nga perëndimi. Fshati nuk dukej i madh. Nja dyzet a pesëdhjetë shtëpi të shpërndara nëpër shpat, të ndara nga ara të vogla dhe gardhe guri. Këtu e atje ngriheshin lisa të vjetër, të përkulur nga erërat e dimrave të gjatë. Një përrua i hollë zbriste nga mali dhe humbiste mes ferrave e shelgjeve. Kur makina u fut në qendër të fshatit, disa burra ngritën kokën nga puna. Nuk iu afruan. Nuk bënë pyetje. Vetëm e ndoqën me sy derisa ajo u zhduk pas kthesës së fundit. Mark Dema e vuri re. Kudo ku shkonte, njerëzit zakonisht afroheshin. Dikush jepte dorën, dikush kërkonte të fliste, dikush ankohej për ndonjë hall. Këtu ishte ndryshe. Njerëzit shikonin, pastaj vazhdonin punën, sikur makina të ishte një re që kalonte mbi fshat. Para shtëpisë ku do të pritej, ishin mbledhur disa vetë. I pari iu afrua një burrë rreth të pesëdhjetave. – Mirë se na erdhe, shoku sekretar. – Mirë se ju gjeta. – Unë jam Prenga. Pas tij u afruan edhe dy vëllezërit e tjerë. Njëri drejtonte ndërmarrjen pyjore të zonës. Tjetri ishte kryetar në kooperativë. Të tre mbanin kostume të errëta dhe flisnin me kujdes, sikur çdo fjalë duhej peshuar para se të dilte nga goja. Markut i pëlqyen menjëherë. “Ja njerëzit që na duhen”, mendoi. “Të lidhur me popullin dhe me partinë.” Shtëpia ishte e madhe për kushtet e fshatit. Një kullë e vjetër guri, me mure të trasha dhe dritare të ngushta. Në oborr këndonin gjelat dhe rendnin pas pulave. Pranë murit rrinte një qen i madh që i vështronte të ardhurit pa lehur. Kur hynë në odë, Marku ndjeu menjëherë aromën e druve të lisit që digjeshin në vatër. Në mur vareshin fotografi të ndryshme: disa të vjetra, disa të reja. Një fotografi e një ushtari të ri me uniformë italiane. Një tjetër e një djali partizan. Një e tretë ku shfaqeshin të tre vëllezërit para një fabrike. Historia e një familjeje dukej e varur aty. Por syri i Markut u ndal te një figurë tjetër. Pranë oxhakut, ulur mbi një minder të mbështetur pas murit, rrinte një grua plakë. E veshur me veshjen tradicionale. Shamia e zezë i mbulonte flokët. Duart i kishte kryqëzuar mbi prehrin e saj. Nuk lëvizte. Nuk fliste. Vetëm vështronte. Markut iu duk sikur ajo e kishte parë të hynte shumë përpara se ai të kishte kaluar pragun. – Nana jonë, – tha Prenga. Plaka bëri vetëm një lëvizje të lehtë me kokë. – Mirëse të gjeta, nana, – tha Marku me buzëqeshje. – Mirëse erdhe, mor bir, – u përgjigj ajo qetë. Zëri i saj ishte i ulët, por i kthjellët. Ishte zëri i dikujt që kishte kaluar shumë dimra. Pastaj heshti përsëri. Ndërkohë, gratë e shtëpisë hynin e dilnin me pjata. Në sofrën e madhe filluan të vendoseshin ushqime: djathë, mish i pjekur, bukë misri, verë, raki. Djemtë e plakës përpiqeshin të mbanin bisedën gjallë. Flisnin për prodhimin, për kooperativën, për planet e vitit, për sukseset e fundit. Marku dëgjonte dhe herë pas here bënte pyetje, por vëmendja i kthehej vazhdimisht plakës. Ajo rrinte aty. As nuk largohej, as nuk përzihej në muhabet. Vetëm dëgjonte. Në një moment, kur burrat po flisnin për mbjelljet e pranverës, Marku pa se dy djemtë shkëmbyen një shikim të shpejtë. Pastaj më i madhi u afrua pranë plakës. – Nanë, a je mirë? – Mirë jam. – A po lodhesh? – Jo. – Po hajde më afër oxhakut. – Këtu jam mirë. Djali u kthye në vend. Marku buzëqeshi. – Po e respektoni shumë nanën. Njëri nga vëllezërit qeshi me siklet. – Po, po… është nanë. Por qeshja nuk i zgjati. Sekretari e vuri re. Diçka fshihej pas asaj kujdesjeje të tepruar. Një lloj frike. Një lloj ankthi. Sikur të kishin frikë se plaka mund të thoshte diçka që nuk duhej. Dhe për herë të parë gjatë asaj dite, Markut iu zgjua kureshtja. Ai nuk e dinte ende historinë e kokrrës së votimit. Nuk dinte asgjë për ditën kur e kishin çuar plakën të votonte. Nuk dinte se ajo histori vazhdonte të përmendej fshehurazi në fshat edhe pas shumë vitesh. Por do ta mësonte. Dhe kur ta mësonte, do të kuptonte se para tij nuk rrinte thjesht një plakë. Përballë tij rrinte një grua që kishte gjetur mënyrën më të thjeshtë për t’u tallur me frikën. Ndërsa sofrës po i shtoheshin pjatat dhe gotat po mbusheshin për herë të dytë, jashtë po binte mbrëmja. Dritat e pakta të fshatit filluan të ndizeshin njëra pas tjetrës. Në mal frynte era. Dhe në odën e kullës, pa e kuptuar askush, po afrohej ngadalë çasti kur heshtja e plakës do të bëhej më e fortë se të gjitha fjalët e burrave. Për pak çaste në odë ra një qetësi e këndshme. Burrat pinin ngadalë, ndërsa jashtë nata po mbështillej mbi çatitë e gurta të Gurrës së Shpatit. Flakët e oxhakut lëviznin mbi mure dhe herë pas here ndriçonin fytyrën e plakës. Ajo vazhdonte të rrinte në minder, e qetë, sikur bisedat e burrave nuk kishin të bënin fare me të. Mark Dema ngriti gotën. – Ju falënderoj për mikpritjen. – Na nderove, shoku sekretar, – iu përgjigj Prenga. – Jeni familje e mirë dhe partia ka besim tek ju. – Faleminderit. – Edhe nanën e keni me nam, – foli djali i fundit, që dukej se e kishte më së shumti nga pija. Këtë herë tre vëllezërit shkëmbyen një shikim të shpejtë. Ishte ai lloj shikimi që zgjat më pak se një sekondë, por thotë shumë. Marku e vuri re. – Ç’keni? – buzëqeshi ai. -Asgjë. – Jo, jo. Diçka ka. Më i vogli qeshi me siklet. – Nana ka qenë gjithmonë pak… si me thanë… – Me gojë të lirë, – tha tjetri. – E mençur, – shtoi i treti. Plaka nuk lëvizi. Vetëm sytë i ndritën pak. – Po më duket se po doni me ma ba nanën armike para kohe, – tha ajo. Në odë shpërtheu një e qeshur e lehtë. Tensioni u zbut. – Jo, moj nanë, – foli Prenga. – Po i tregojmë shokut sekretar se ke pasë do punë të vjetra e se ke gabue një herë. – Punët e mia kanë mbetë me mua. – Po ajo e votimit? Në fytyrat e djemve u duk menjëherë pendesa. Sapo e kishin përmendur. Plaka ngriti sytë. – Hë, çka paska me atë votim? – Asgjë, moj nanë. – Atëherë mos e sillni ndër mend. Por Marku tashmë ishte bërë kureshtar. – Çfarë votimi? Askush nuk foli menjëherë. Më në fund, Prenga qeshi. – Histori e vjetër. – Tregoma. – Ka qenë hera e parë që e çuam nanën me votue. Marku u mbështet në karrige. – E pastaj? – E pastaj, sekretari i parë i asaj kohe i shpjegoi. Në odë filloi të dëgjohej vetëm zëri i Prengës. – I tha: “Shiko, nanë. Kjo është kutia jonë. Kjo është kutia e armikut. Ti fut dorën këtu e lëshon kokrrën te kutia jonë.” Plaka uli kokën, sikur po dëgjonte një histori për dikë tjetër. – A e more vesh? – vazhdoi Prenga duke imituar sekretarin. – Kjo është e jona. Kjo është e armikut. – E mora vesh, – tha plaka qetë. – E çka bane? Tashmë edhe Marku po qeshte. – E futa dorën te kutia e armikut. E kokrra më ra prej dore. Në odë shpërtheu e qeshura. – Po pse? Plaka ngriti supet. – Se aty ma çoi dora në fillim. – Nanë! – Çka? – Nuk ka qenë ashtu. – Po si ka qenë? Djemtë qeshën me siklet. Ata e dinin se ajo po luante me ta. Marku po dëgjonte me vëmendje. – E sekretari çfarë tha? – Më tha: “E dhive, nanë.” Këtë herë plaka buzëqeshi. Për herë të parë që nga ardhja e mysafirit. Një buzëqeshje e vogël, por e mprehtë. Ajo e kishte parë drejt në sy sekretarin e parë. – E lëshova kokrrën, e ajo kërciti kur ra, e u muer vesh për kë votova? – Po.- Pse? – Se ai donte me votue ai e jo unë. Në odë ra heshtje. Askush nuk qeshi mw. Marku e pa gjatë. Për herë të parë ndjeu se pas asaj fytyre të rrudhur fshihej një mendje e jashtëzakonshme. – Po çfarë i the sekretarit? – pyeti ai. Plaka u kthye nga oxhaku, sikur po kërkonte kujtimin mes flakëve. – I thashë: “Po kjo punë qenka me votue unë e me sundue ti.” Djemtë u drodhën. Edhe pas kaq vitesh ajo fjali vazhdonte t’u vinte në siklet. Marku nuk foli. Vetëm e pa. Pastaj ngriti gotën. – Po paske qenë grua e forte foli ai si pwr tw zhbllokuar situatwn. – Jo, bir. – Po.- Jo. – Atëherë çka paske qenë? Plaka mori frymë ngadalë. – Kam qenë plakë. E unë plak kaq kuptoj. Kjo mendja ime, angllisht, mor bir. – Nuk po të kuptoj. – Kur je i ri, ke frikë me humbë. Kur plakesh, nuk të mbetet shumë çka me humbë. Askush nuk foli. Për disa çaste dëgjohej vetëm zjarri që kërciste në vatër. Jashtë, era kishte filluar të frynte më fort. Dhe Mark Dema, pa e kuptuar ende plotësisht, po fillonte të ndiente se mbrëmja nuk do të kalonte ashtu siç e kishte menduar. Ai kishte ardhur të fliste për partinë, për planin, për prodhimin, për të ardhmen. Por sa më shumë dëgjonte plakën, aq më tepër i dukej se në atë odë gjendej dikush që e shikonte jetën nga një lartësi tjetër. Një lartësi ku fjalët e pushtetit humbnin peshë dhe ku mbetej vetëm e vërteta e njeriut. Rakia vazhdonte të mbushej në gota, njëra pas tjetrës. Mishi i pjekur po pakësohej në sofër, ndërsa muhabeti po zgjerohej. Burrat flisnin për kooperativën, për pyjet, për rrugën që ishte premtuar të hapej deri në fshat. Herë pas here Mark Dema tregonte ndonjë ngjarje nga vitet e luftës dhe të gjithë dëgjonin me respekt. Por, pa e kuptuar, qendra e mbrëmjes nuk ishte më ai. As partia, as planet, as raportet. Qendra ishte bërë plaka që rrinte e heshtur pranë oxhakut. Herë pas here ajo tundte kokën. Herë pas here buzëqeshte me vete. Dhe vetëm kaq mjaftonte që të gjithë ta vërenin. Djemtë e saj ishin bërë gjithnjë e më të shqetësuar. Sa herë që Marku i drejtohej plakës, ata sikur ngurtësoheshin. Njëri mbushte gotat, tjetri ndërronte muhabetin, i treti kërkonte t’i jepte drejtim tjetër bisedës. Por sa më shumë përpiqeshin, aq më shumë dukej se gjithçka po kthehej te ajo. Në një çast Marku e vuri re se plaka nuk fliste, por me vëmendje ndiqte gjithçka. Rrinte aty si e ngurosur, ndonjëherë buzëqeshte lehtë dhe vështronte me ironi. – Nanë, – tha me buzëqeshje, – po na rri si gjykatëse. Plaka ngriti sytë. – Jo, bir. Ti mirë se na erdhe, se shtëpia në këto anë është e Zotit dhe e mikut, e ti je mik në shtëpinë tonë. Po unë, plakë jam tash. Në odë u dëgjua një e qeshur e lehtë. – Hajde, afrohu e merre gotën. – Nuk jam mësu me u përzie në punët e burrave. – Për hatrin tim. – Hatri yt asht i madh, se është hatri i mikut që duhet nderue. – Atëherë? Plaka mori gotën. E ngriti pak, mjaftueshëm sa të mos dukej mungesë respekti. – Mirëse të ka pru udha. Të qoftë e mbarë detyra. – Faleminderit. – Amin, – tha pa menduar Marku. Dhe si për ta justifikuar, u kthye nga të tjerët, si duke e bërë shaka me veten pse nuk e kishte thënë lutjen sipas zakonit. Qeshi. Edhe të tjerët qeshën. Fjala i kishte dalë vetvetiu. Në ato anë njerëzit ende e përdornin shpesh “lutjen e Krishtit” kur ngrinin gotat e rakisë. Por tash dukej se kishte nisur të fliste rakia. Jo aq sa ta humbte mendjen, por aq sa t’i zbutte kufijtë e kujdesit. Marku po ndihej mirë. Mikpritja kishte qenë e ngrohtë, familja e respektueshme, mbrëmja e qetë. Për herë të parë pas shumë javësh ndjeu se po pushonte. Atëherë iu kujtua një ngjarje që ende flitej në gjithë vendin: vdekja e Stalinit. Edhe pse kishin kaluar muaj, emri i tij vazhdonte të përmendej kudo: në mbledhje, në fjalime, në gazeta, në biseda. Marku e mbështeti gotën mbi sofër. – Kohë të vështira qenë ato ditë, kur na vdiq Stalini. Askush nuk foli. – I madh ishte, – tha njëri. – Kohë e rëndë, – shtoi tjetri. Marku pa nga plaka. Ajo vazhdonte të rrinte e qetë, sikur po flisnin për motin. – Po ti, nanë? Djemtë ngrinë. – Çka unë? – Si e përjetove? Njëri nga djemtë lëvizi në vend. Tjetri mori gotën. I treti uli sytë. Ata e njihnin nënën shumë mirë. Marku ende jo. – Çka me përjetue? – pyeti plaka. – Vdekjen e Stalinit. – Si gjithë vdekjet. – Po ishte njeri i madh. – I madh a i vogël, njeriu kur vdes, vdes. Në odë ra një qetësi e hollë. Marku vazhdoi me ton të butë. Nuk po kërkonte ta vinte në siklet, përkundrazi po përpiqej ta përfshinte në bisedë. – Po a je lutë për të? Njëri prej djemve mbylli sytë për një çast, sikur donte të mos e dëgjonte pyetjen. Plaka heshti. Pastaj tha qetë: – Po lutem tash e past Krishtin në dorë të vet. Tre vëllezërit u kthyen menjëherë nga ajo. – Nanë… – Çka? – Fol me kujdes. – Po flas. Marku qeshi. – E për çka je lutë? Plaka e pa drejt në sy, pa asnjë ligësi, pa asnjë sfidë, vetëm me qetësinë e saj të zakonshme. Në odë u bë heshtje. Një heshtje aq e plotë sa dëgjohej zjarri në vatër. Njëri nga djemtë u zverdh. Tjetri kafshoi buzën. I treti uli kokën. Marku mbeti për disa sekonda pa folur. Pastaj buzëqeshi, duke u përpjekur ta lehtësonte situatën. – Po nuk ka qenë katolik, moj nanë. – Jo? – Jo. – Mirë atëherë. Një grimë pritjeje. Një grimë qetësie. Pastaj plaka tha: – Vaftë në xhenet. Marku qeshi. – As mysliman nuk ka qenë. – Jo? – Jo. Plaka tundi kokën ngadalë, sikur po mendonte për një problem të madh. Pastaj ngriti supet. – E po atëherë… Heshti për një çast. Djemtë po luteshin në heshtje që të mos vazhdonte. Por ishte vonë. Shumë vonë. – E po i shkoftë shpirti në fund të ferrit, se nana s’po ditka ma çka me thanë. Për një sekondë askush nuk lëvizi. Askush nuk foli. Pastaj Mark Dema shpërtheu në të qeshur. Një të qeshur të fortë. Të tjerët mbetën të hutuar. Nuk dinin nëse duhej të qeshnin apo jo. Por kur panë sekretarin që vazhdonte të qeshte, filluan të qeshnin edhe ata. Vetëm plaka rrinte e qetë. Si gjithmonë. Sikur nuk kishte thënë asgjë të veçantë. Sikur problemi nuk ishte ajo që kishte thënë, por fakti që të tjerët kishin frikë prej fjalëve. E qeshura e Mark Demës vazhdoi edhe për pak çaste. Jo sepse kishte dëgjuar ndonjë shaka të madhe, por sepse për herë të parë pas shumë vitesh po dëgjonte dikë që fliste pa llogaritur pasojat e çdo fjale. Kjo gjë po i dukej e rrallë, thuajse e pabesueshme. Kur e qeshura pushoi, ai fshiu sytë me shami. – Nanë, po paske me mw lodhë sonte. – S’të kam pasë me të keq, bir. – E di. – Unë veç po flas si më vjen. – E po mirë po ma bën. Në fytyrat e djemve vazhdonte të dukej shqetësimi. Ata e njihnin kohën ku jetonin. Një fjalë e gabuar mund të merrte rrugë të gjatë. Një fjali e thënë në odë mund të përsëritej nesër në zyrë. Një shaka mund të kthehej në raport. Prandaj nuk arrinin të çliroheshin. Ndërsa Marku po. Ndoshta nga rakia, ndoshta nga lodhja, ndoshta sepse kishte filluar ta pëlqente atë plakë. Jashtë frynte erë. Brenda zjarri po digjej ngadalë. Një nga burrat mbushi edhe një herë gotat. Marku e ngriti gotën, e pa lëngun e kthjellët përballë flakëve, pastaj buzëqeshi. – Kjo rakia e juaj asht e rrezikshme. – E mirë asht, – tha Prenga, pa e ditur mirë çfarë kishte dashur të thoshte. – E fortë asht. – Kështu e duan malësorët. Marku piu një gllënjkë, pastaj tundi kokën. – Me e pi po e pimë. – E pimë, – qeshën burrat. – Po me e lanë… Ai ngriti supet. – Me e lanë asht zor. – Ashtu asht, – tha njëri. – Të hyn në qejf. – E sidomos kur të shtrojnë si ju. Të gjithë buzëqeshën. Por plaka, që kishte kaluar gjithë mbrëmjen duke dëgjuar, ngriti kokën. Nuk foli menjëherë. Si gjithmonë priti, sikur po i peshonte fjalët. Pastaj tha: – Besa, me e pi po dikeni. Askush nuk reagoi. Ishte fjali e zakonshme, një pohim i thjeshtë. Por plaka vazhdoi: – Po me e hek, or bir… Ajo e pa drejt në sy sekretarin. – …s’po dikeni. Në odë ra heshtje. Një heshtje tjetër nga të tjerat. Jo nga frika, jo nga sikleti, por nga pesha e fjalës. Askush nuk tha gjë. As plaka. As djemtë. As mysafirët. Vetëm zjarri kërciti në vatër. Një herë. Dy herë. Tre herë. Marku vazhdonte ta shikonte. Fillimisht mendoi për rakinë. Pastaj kuptoi se plaka nuk po fliste për rakinë. Jo vetëm për të. Ndoshta aspak për të. Në ato pak fjalë kishte diçka më të madhe. Diçka që nuk thuhej, por që kuptohej. Diçka që rrinte pezull në ajër si tymi i druve. Djemtë e kishin kuptuar menjëherë. Prandaj fytyrat e tyre ishin ngrirë. Ata e njihnin nënën. E dinin se kur ajo fliste për shiun, mund të kishte ndër mend stuhinë. Kur fliste për malin, mund të kishte ndër mend botën. Kur fliste për rakinë… mund të kishte ndër mend pushtetin. Marku nuk buzëqeshi menjëherë. Për herë të parë atë mbrëmje mbeti në mendime. Iu kujtuan vitet e luftës, shokët që kishin rënë, betimet, entuziazmi. Pastaj zyrat, mbledhjet, raportet, frika që kishte filluar të hynte ngadalë në jetën e njerëzve. Dhe papritur fjalia e plakës iu duk më e rëndë se sa duhej të ishte. Ai ngriti gotën. E pa edhe një herë. Pastaj piu ngadalë. – Nanë… – Urdhëno, bir. – Po ti gjithmonë kështu ke folë? – Si? – Pa u tutë. Plaka buzëqeshi. – Jo. – Jo? – Kur kam qenë e re, jam tutë shumë. – E tash? – Tash jam plakë. – E çka ndryshon? Ajo hodhi sytë nga oxhaku. Flakët ndriçonin rrudhat e fytyrës së saj, rrudha që nuk i kishte bërë mosha, por jeta. – Tash e di se frika nuk ta zgjat jetën. Askush nuk foli. As vetë Marku. Sepse për herë të parë që nga mbërritja në Gurra e Shpatit, po e kuptonte se përballë tij nuk rrinte një plakë që bënte humor. Përballë tij rrinte një njeri që kishte parë regjime, pushtete, luftëra, mbretër e qeveri të vinin e të iknin. Një njeri që nuk besonte shumë te fuqia e burrave, sepse kishte parë se asnjë burrë nuk qëndron përgjithmonë. Dhe ndoshta, pikërisht për këtë arsye, nuk kishte më frikë prej tyre. Jashtë, era vazhdonte të frynte mbi çatitë e Gurrës së Shpatit. Brenda, mbrëmja po afrohej drejt fundit. Por fjalët e plakës nuk po largoheshin. Ato kishin hyrë në mendjen e Mark Demës dhe aty do të qëndronin gjatë, shumë më gjatë se sa mund ta imagjinonte ai atë natë. * * * Të nesërmen në mëngjes, Gurra e Shpatit u zgjua nën një mjegull të hollë. Çatitë e gurta dukeshin sikur notonin mbi re. Nga oxhaqet ngrihej tymi i parë, ndërsa gjelat këndonin nga njëri oborr në tjetrin. Mark Dema ishte zgjuar herët. Në të vërtetë, nuk kishte fjetur mirë. Jo nga rakia, as nga lodhja. Ishin fjalët e plakës. Sa herë mbyllte sytë, i kthehej para fytyrës ajo grua e veshur me veshje tradicionale, ulur pranë oxhakut, e qetë si mali që e rrethonte. Dhe pastaj dëgjonte zërin e saj: “Me e pi po dikeni, po me e hek s’po dikeni.” Ai kishte parë shumë njerëz gjatë jetës. Kishte dëgjuar qindra fjalime, mijëra parulla, qindra raporte. Por rrallëherë ndonjë fjali i ishte ngulitur aq thellë në mendje. Kur doli në oborr, ajri ishte i freskët. Njëra nga gratë e shtëpisë po mjelte lopën. Një djalosh po çonte bagëtinë drejt kullotës. Jeta vazhdonte qetësisht, sikur në atë shtëpi të mos kishte ndodhur asgjë e veçantë. Pak më vonë, makina u bë gati për nisje. Të tre vëllezërit dolën ta përcillnin. Edhe plaka doli, e mbështetur mbi një shkop të vjetër thane. Marku iu afrua. – Po iki, nanë. – Udhë të mbarë. – Faleminderit për mikpritjen. – Miku nderon shtëpinë. Po ti ma bane mbrëmjen më të bukur se gjithë muhabetet. Plaka buzëqeshi lehtë. – Unë s’kam ba kurrgja. – Jo, ke ba. – Kam folë. – Pikërisht. Ajo ngriti supet. – Fjala asht si era, bir. – Si? – Del prej goje e merr rrugën e vet. Marku e shikoi gjatë. Ishte një fjali e thjeshtë, por edhe ajo i mbeti në mendje. Kur makina nisi të lëvizte, plaka ngriti dorën. Nuk bëri asnjë gjest tjetër. Vetëm qëndroi aty, e vogël, e veshur me atw veshje tw mahnitwshme, mes oborrit prej guri, derisa makina humbi pas kthesës. Rruga e kthimit ishte e gjatë. Shoferi fliste herë pas here për urat, për pyjet, për gjendjen e rrugëve. Por Marku përgjigjej shkurt. Mendja i kishte mbetur në Gurra e Shpatit. – Po ju paska lodhë mikpritja e malësorëve, – tha shoferi. – Pse e thua? – Që prej mëngjesit s’keni folë dhjetë fjalë. Marku buzëqeshi. – Ndoshta. Por nuk ishte lodhje. Ishte diçka tjetër. Një ndjenjë që nuk arrinte ta shpjegonte. Për herë të parë pas shumë vitesh kishte takuar njerëz që nuk kërkonin asgjë prej tij: as post, as favor, as ndërhyrje. Dhe mbi të gjithë kishte takuar një plakë që nuk dukej aspak e impresionuar nga pushteti. Kjo gjë e trazonte. Kur u kthye në zyrë, puna e përpiu menjëherë: dosje, mbledhje, raporte, vizita, urdhra, telefoni. Ditët kalonin njëra pas tjetrës, pastaj javët, pastaj muajt. Emri i Gurra e Shpatit filloi të largohej nga kujtesa. Por jo krejt. Sepse herë pas here, në çaste të papritura, plaka rikthehej. Një ditë, gjatë një mbledhjeje, një funksionar i ri po fliste pa pushim me fjalë të mëdha… Parulla. Lavdërime. Askush nuk e kundërshtonte. Të gjithë tundnin kokën. Dhe papritur Markut iu kujtua plaka. “Po kjo punë qenka me votue unë e me sundue ti.” Ai mezi e fshehu buzëqeshjen. Një herë tjetër, gjatë një vizite në një kooperativë, pa njerëz që duartrokisnin pa dëshirë. Iu kujtua prapë. Pastaj, një natë duke lexuar një raport të gjatë mbi “entuziazmin e masave”, mendja i shkoi te ajo fjali e thënë pranë oxhakut: “Kur je i ri, ke frikë me humbë. Kur plakesh, nuk të mbetet shumë çka me humbë.” Ai mbylli dosjen dhe për disa minuta mbeti duke parë nga dritarja. Jashtë ishte errësirë. Brenda zyrës, drita e llambës binte mbi grumbullin e letrave. Për herë të parë në shumë vite, Mark Dema po fillonte të kuptonte se kishte dy botë: njëra ishte bota e raporteve, e fjalimeve, e statistikave; tjetra ishte bota e njerëzve. Dhe mes këtyre dy botëve kishte një largësi më të madhe se të gjitha malet që ndanin Tiranën nga Gurra e Shpatit. Ai nuk e dinte ende, por ajo largësi do të rritej vit pas viti. Dhe sa më shumë të kalonte koha, aq më shpesh do t’i kujtohej plaka që rrinte pranë oxhakut e fliste me pak fjalë. Sepse disa njerëz të mësojnë diçka në një mbrëmje, ndërsa të tjerëve nuk u mjafton një jetë e tërë. * * * Vitet kaluan pa zhurmë të madhe, siç kalojnë gjërat që në fillim duken të përkohshme, por pastaj bëhen pjesë e jetës. Mark Dema u ngrit në detyrë. U transferua nga një zyrë në tjetrën. U bë pjesë e mbledhjeve më të rëndësishme. Foli më shumë, dëgjoi më shumë dhe firmosi më shumë. Por diçka në të mbeti e pandryshuar. Nuk ishte ndonjë plagë, as ndonjë kujtim i luftës. Ishte një mbrëmje e thjeshtë në Gurra e Shpatit dhe një plakë e ulur pranë oxhakut. Në fillim mendoi se do ta harronte. Kështu mendoi. Pastaj kaluan muajt, pastaj vitet. Por ndodhi e kundërta: sa më shumë kalonte koha, aq më shpesh ajo kthehej. Jo si kujtim i plotë, por si fjali të shkurtra, si copa zëri: “Me e pi po dikeni…” “Po me e hek s’po dikeni…” “Kur je i ri ke frikë…” Marku shpesh ndalonte në mes të punës pa e kuptuar pse. Ndonjëherë gjatë mbledhjeve, ndërsa të tjerët flisnin me entuziazëm, ai shikonte letrat përpara dhe mendja i largohej diku larg, në një odë me zjarr, ku një grua e moshuar fliste pak dhe mendonte shumë. Një pasdite dimri në Tiranë binte shi i imët. Zyrat ishin të ngrohta, por atmosfera e rëndë. Një mbledhje e gjatë po vazhdonte prej orësh. Raportet lexoheshin njëri pas tjetrit: “disiplinë”, “mobilizim”, “detyrë”, “armiqësi ideologjike”. Marku dëgjonte, tundte kokën, herë pas here fliste. Por në një moment, ndërsa një funksionar i ri po mbante një fjalim të gjatë, diçka ndodhi. Ai u ndal. Dhe për herë të parë pas shumë vitesh, mendja i iku krejtësisht nga salla. E pa veten në Gurra e Shpatit: sofrën, zjarrin, gotat, dhe plakën. E dëgjoi qartë: “Me e pi po dikeni, po me e hek s’po dikeni.” Marku mbylli sytë për një sekondë. Kur i hapi, mbledhja vazhdonte njësoj. Askush nuk e kishte vënë re mungesën e tij të vogël. Por ai e kishte vënë re diçka tjetër: se fjalët në sallë nuk kishin më peshën që kishin dikur. Ose ndoshta kishin pasur gjithmonë vetëm peshë zyrtare, jo njerëzore. Atë natë nuk shkoi menjëherë në shtëpi. Endi nëpër rrugët e qytetit. Dritat reflektonin mbi asfaltin e lagur. Njerëzit kalonin me hapa të shpejtë, secili në botën e vet. Dhe Marku mendoi për plakën. Për herë të parë jo si kujtim, por si pyetje. Si ishte e mundur që një grua e vetme, në një fshat të vogël, të kishte thënë diçka që i qëndronte më gjatë në mendje se gjithë fjalimet që kishte dëgjuar në kryeqytet? Ai nuk kishte përgjigje. Vetëm një ndjenjë të çuditshme, sikur diçka në mënyrën si e shihte botën kishte filluar të çahej ngadalë. Pas disa muajsh, ndodhi një ngjarje që e tronditi gjithë administratën. Një raport i madh për “mosrealizim detyrash” në disa zona malore. Emra. Shifra. Akuza të zakonshme. Marku mori pjesë në analizë. Dëgjoi. Folën të tjerët. Pastaj i erdhi radha. Por këtë herë, para se të fliste, ndaloi për një çast. Dhe për herë të parë tha diçka ndryshe nga rutina e zakonshme: – Ndoshta duhet të shohim më afër njerëzit, jo vetëm raportet. Në sallë ra një heshtje e lehtë. Nuk ishte kundërshtim. As miratim. Ishte vëzhgim, si kur dikush thotë një fjali që nuk është në skenar. Marku e ndjeu. Dhe për një çast iu kujtua prapë plaka. Jo si kujtim, por si forcë e padukshme që e kishte shtyrë të thoshte atë fjali. Atë natë, kur u kthye në shtëpi, hapi një dosje të vjetër: dokumente, raporte, emra fshatrash. Dhe diku, në një faqe të harruar, pa shënuar me laps: Gurra e Shpatit. E mbylli dosjen menjëherë. Por ishte vonë. Sepse ajo fjali nuk ishte më vetëm kujtim. Ishte bërë pjesë e tij. * * * Dimri i atij viti ishte më i ashpër se të tjerët. Në Tiranë, bora nuk binte shpesh, por kur binte, qyteti dukej sikur ngadalësohej në frymëmarrje. Rrugët zbardheshin, zyrat bëheshin më të heshtura dhe njerëzit flisnin më pak, sikur edhe fjalët ngrinin në ajër. Mark Dema nuk kishte menduar të kthehej në Gurra e Shpatit. Në fakt, nuk ishte kthim. Ishte një lloj thirrjeje e paqartë, një ndjenjë që nuk e linte të qetë. Pas shumë vitesh, ai e gjeti veten duke kërkuar në hartë një vend që e kishte mbajtur mend vetëm përmes një zëri. Një zëri të ulët, të qetë, të prerë si guri: “Me e pi po dikeni, po me e hek s’po dikeni.” Fjalët nuk kishin humbur. Vetëm ishin thelluar. Kur makina u nis drejt veriut, shoferi e vuri re heshtjen e tij. – Prapë në ato anë? Marku pohoi me kokë. – Ka kohë që s’kam qenë. – Nuk kanë ndryshu shumë. – Ndoshta jo vendi. Shoferi nuk pyeti më. Rruga ishte po ajo: e ngushtë, e thyer, e lodhur nga dimrat. Sa më shumë ngjiteshin, aq më shumë Marku ndiente se po hynte në një botë që nuk i përkiste më. Jo sepse kishte ndryshuar fshati, por sepse kishte ndryshuar ai. Kur mbërriti në Gurra e Shpatit, fshati iu duk më i vogël se në kujtesë. Ose ndoshta ai ishte bërë më i madh. Shtëpitë ishin po ato, por disa çati kishin rënë pak, disa gardhe ishin zëvendësuar me të tjera më të thjeshta. Një qetësi e rëndë mbulonte gjithçka. Askush nuk erdhi menjëherë. Njerëzit e panë nga larg, si dikë që vjen nga një kohë tjetër. Më në fund, një burrë iu afrua. Ishte Prenga, por më i mplakur, më i ngadalshëm, sytë i kishte të lodhur. – Mirë se ke ardhë, shoku Mark. Marku zbriti nga makina. Për një çast nuk foli. – Mirë se ju gjeta. Heshtje. Një heshtje tjetër nga ajo e dikurshmja, më e rëndë, më e gjatë. – A… është nana? Pyetja i doli pa e menduar mirë. Prenga uli sytë. – Nuk asht ma. Fjalët ranë ngadalë, pa zhurmë, si borë. Marku nuk reagoi menjëherë. Vetëm e shikoi burrin përballë. – Kur? – Ka do vjet. Asgjë tjetër. Vetëm era që kalonte mes shtëpive. Në odën e vjetër gjithçka ishte pothuajse e njëjtë. Minderi ishte aty. Oxhaku gjithashtu. Por mungonte ajo që nuk mund të zëvendësohej. Plaka nuk ishte më. Marku u ul në vendin ku ajo kishte qëndruar gjithmonë. Për një çast mbylli sytë. Dhe e dëgjoi përsëri. Jo si kujtim i largët, por si prani e gjallë: “Kur je i ri ke frikë me humbë…” Ai hapi sytë. Sofra ishte bosh. Por zëri jo. Prenga u ul përballë tij. Heshti gjatë. Pastaj tha: – Nana ka lanë diçka për ty. Marku ngriti kokën. – Për mua? Prenga nxori nga një raft i vjetër një letër të palosur. E vuri mbi sofër. – S’e ka ditë me shkrue shumë… po e ka thanë që me ta dhanë nëse vjen ndonjëherë. Marku e mori letrën me kujdes. Duart i dridheshin pak. Hapi letrën. Shkrimi ishte i thjeshtë, i pabarabartë, por i qartë. Vetëm disa rreshta: “Bir, Mos i beso shumë fjalëve që s’kanë njeri brenda. Njeriu asht ma i madh se çdo urdhër. Edhe kur hesht, ai flet.” Marku e lexoi dy herë. Pastaj e uli letrën ngadalë. Dhe për herë të parë pas shumë vitesh, nuk kishte asnjë përgjigje për veten. Vetëm një qetësi të thellë dhe një mungesë që nuk mbushej më. Jashtë, era kaloi mbi çatitë e Gurra e Shpatit si dikur. Por këtë herë, askush nuk qeshi në odë. Dhe askush nuk tha asnjë fjalë për rakinë. * * * Kur u kthye në Tiranë, Mark Dema nuk ishte më i njëjti njeri që kishte dalë dikur nga ajo zyrë për të shkuar në Gurra e Shpatit. Qyteti vazhdonte jetën e vet si gjithmonë: mbledhje, raporte, urdhra, telefonata, emra që hynin dhe dilnin nga qarkoret e ditës. Por për Markun diçka kishte ndryshuar vend. Jo në punë. As në detyrë. Por në mënyrën si i dëgjonte fjalët. Ai kishte filluar të dëgjonte më shumë heshtjen mes tyre. Një mëngjes, ndërsa po kalonte në korridorin e gjatë të institucionit, pa një grup njerëzish që prisnin radhën për një takim. Disa flisnin me zë të ulët, disa tundnin kokën, disa shikonin dyshemenë. Marku u ndal për një çast. Dhe papritur, pa e thirrur askush, në mendje i erdhi ajo skenë e largët: odë guri, zjarr në vatër, një grua e veshur me të zeza që nuk ngutej kurrë të fliste. – Me e pi po dikeni… Ai mbylli sytë për një sekondë. Kur i hapi, njerëzit ishin ende aty. Por ai i shihte ndryshe: jo si numra, as si raporte, por si jetë. Vitet kaluan edhe më tej. Emrat ndryshonin në krye të institucioneve. Fjalët e mëdha mbeteshin të njëjta. Por Marku fliste më pak dhe dëgjonte më shumë. Disa e quanin të tërhequr. Të tjerë të kujdesshëm. Askush nuk e dinte se në të vërtetë ai po mbante një bisedë të vazhdueshme me një njeri që nuk jetonte më: një plakë në një fshat të largët, që i kishte thënë një fjali të thjeshtë dhe ia kishte ndryshuar mënyrën si e shihte botën. Një ditë pranvere, Mark Dema doli vetëm nga zyra. Nuk mori makinën zyrtare, nuk la porosi. Thjesht eci. Qyteti ishte i gjallë. Njerëzit nxitonin. Fëmijët qeshnin. Zhurma e jetës ishte kudo. Ai u ndal në një urë të vogël mbi lumin e qytetit. U mbështet në parmak dhe për herë të parë pas shumë vitesh nuk mendoi për detyrat e ditës, as për mbledhjet, as për raportet. Mendoi vetëm për një shtëpi në male. Për një minder pranë oxhakut. Dhe për një grua që kishte ditur të fliste pak, por të linte gjurmë shumë. Era kaloi lehtë mbi ujë. Dhe në atë çast, Marku kuptoi diçka që nuk e kishte kuptuar as në mbledhjet më të rëndësishme, as në fjalimet më të gjata: se disa njerëz nuk lënë pas pushtet, as emër, as tituj. Ata lënë një fjali. Dhe ajo fjali jeton më gjatë se çdo sistem. Ai buzëqeshi lehtë, si për vete, si për dikë që nuk ishte më. Dhe në mendje i erdhi për herë të fundit, e plotë, e pandryshuar: “Me e pi po dikeni, po me e hek s’po dikeni.” Marku nuk e përsëriti me zë. Nuk kishte nevojë. Sepse tani ajo fjali nuk ishte më e dikujt tjetër. Ishte e tij. Dhe ndërsa dielli binte mbi lumin e qytetit, ai vazhdoi rrugën pa u kthyer pas. Por këtë herë, nuk ecte vetëm. Me të ecte një heshtje e vjetër nga Gurra e Shpatit, që nuk largohej më kurrë.
