Ish-sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Armando Sadiku, është protagonisti i episodit më të ri të rubrikës “Legjendat Flasin”, ku ndan me publikun momentet më të rëndësishme të karrierës së tij sportive. Në një rrëfim të hapur, Sadiku flet për hapat e parë në futboll, ëndrrën për t’u bërë futbollist profesionist dhe sfidat që e kanë shoqëruar gjatë rrugëtimit të tij.
Ai ndalet edhe te periudha e vështirë e pezullimit dyvjeçar, si dhe te eksperiencat e tij në kampionatet e Zvicrës, Polonisë, Spanjës, Turqisë, Bolivisë dhe Indisë. Ish-reprezentuesi kuqezi kujton gjithashtu emocionet e grumbullimit të parë me Kombëtaren e Shqipërisë dhe debutimin në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë në shkurt të vitit 2012.
Një pjesë e veçantë e rrëfimit i kushtohet Kampionatit Evropian “Euro 2016”, ku Shqipëria mori pjesë për herë të parë në një fazë finale të një turneu madhor. Sadiku rikthen në kujtesë golin ndaj Rumanisë, i cili i dha Shqipërisë fitoren e parë historike në një Kampionat Evropian dhe mbetet një nga momentet më të rëndësishme në historinë e futbollit shqiptar, transmeton topchannel.
Në episodin e “Legjendat Flasin”, Sadiku sjell një rrëfim plot emocione për sakrificat, sukseset dhe sfidat që shënuan karrierën e tij, nga fëmijëria në Elbasan deri te momentet që e bënë pjesë të historisë së futbollit shqiptar.
