Një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Kavajë me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Operacioni u finalizua nga specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariatin e Policisë Kavajë.
Në pranga ka rënë shtetasi Spartak Berisha, 26 vjeç, banues në Kavajë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.
Sipas autoriteteve, Gjykata e Breshias në Itali i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, vepër për të cilën legjislacioni italian parashikon dënim deri në 24 vite burgim.
Nga hetimet e kryera në Itali dyshohet se 26-vjeçari ka qenë pjesë e një organizate kriminale të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, por edhe italianë, e cila merrej me trafikimin e lëndëve narkotike dhe shpërndarjen e tyre në disa zona të Italisë.
Pas arrestimit, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën vijuan procedurat ligjore për ekstradimin e Spartak Berishës drejt Italisë.
