Kur flitet për muzikën elektronike të viteve të fundit, është e pamundur të mos përmendet emri i Adam Port dhe Rampa. Dy artistët gjermanë, pjesë e kolektivit të famshëm Keinemusik, kanë arritur të krijojnë një fenomen global me stilin e tyre unik që ndërthur afro house, melodic house dhe ritme elektronike moderne.
Suksesi i tyre më i madh erdhi me këngën “Move”, një bashkëpunim me producentin Stryv dhe vokalistin Malachiii. E publikuar në vitin 2024, kënga u shndërrua shpejt në një nga himnet më të mëdha të festivaleve dhe klubeve anembanë botës.
Ritmi i saj karakteristik, melodia hipnotizuese dhe atmosfera e veçantë e bënë “Move” një nga këngët më të luajtura, duke dominuar platformat streaming, rrjetet sociale dhe skenat e festivaleve ndërkombëtare. Kënga u bë veçanërisht virale pas performancave të Keinemusik në evente të mëdha globale dhe u kthye në simbol të valës së re të zhanrit“afro house”.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm të “Move”, Adam Port dhe Rampa u konsoliduan si dy nga emrat më të kërkuar të skenës elektronike. Performancat e tyre të njohura për energjinë, atmosferën dhe lidhjen me publikun kanë mbushur arenat dhe festivalet më prestigjioze në botë.
Pjesë e magjisë së tyre do të jenë edhe fansat në Kosovë, të cilët do të kenë mundësi të përjetojnë ritmet e tyre në festivalin Sunny Hill. Tashmë dihet që Adam Port dhe Rampa do të jenë artistët e mbrëmjes si pjesë e edicionit të ardhshëm të festivalit në Prishtinë, i cili mbahet nga data 31 korrik deri më 2 gusht.
Lajmi padyshim pati ngjallur entuziazëm të madh te adhuruesit e muzikës elektronike, duke qenë se dyshja konsiderohet ndër artistët më ndikues të momentit në skenën globale të “dance music”.
Dyshja nga Keinemusic i përkasin listës me reputacion të lartë të artistëve që do të performojnë në Sunny Hill Festival, derisa emra të tjerë përfshijnë Katy Perry, Martin Garix, Carlita, Manifest dhe Seth Troxler.
Me hite si “Move” dhe me reputacionin që kanë ndërtuar në festivalet më të mëdha të botës, pritet që performanca e tyre në Sunny Hill të jetë një nga momentet kulmore të festivalit. Për publikun nga Kosova por edhe për të huajt që vijnë për festival kjo paraqet një mundësi të rrallë për të përjetuar live artistët që kanë krijuar kolonën zanore të shumë netëve verore gjatë viteve të fundit.
Sunny Hill vazhdon kështu të sjellë në Prishtinë emra të mëdhenj të industrisë muzikore ndërkombëtare, ndërsa ardhja e Adam Port dhe Rampa premton një atmosferë elektrizuese dhe një natë që fansat e muzikës elektronike nuk do ta harrojnë lehtë.
Për adhuruesit që dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj atmosfere, biletat për Sunny Hill Festival tashmë janë në shitje dhe mund të blihen në uebfaqen zyrtare sunnyhillfestival.com .
