Sot është një ditë historike për Shkëndijën e Haraçinës. Klubi do ta zhvillojë ndeshjen e parë në historinë e tij në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke u përballur me Struga Trim Lum në kuadër të xhiros së parë të sezonit të ri në Ligën e Parë.
Takimi nis në orën , ndërsa para sfidës foli futbollisti me përvojë Besir Demiri, ish-reprezentuesi i të rinjve të Maqedonisë së Veriut, i cili këtë verë iu bashkua klubit nga vendlindja e tij. “Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e kësaj ndeshjeje historike për klubin e vendlindjes sime.
Ky është debutimi ynë në Ligën e Parë dhe, pa dyshim, do të sjellë emocione të mëdha, krenari, por edhe përgjegjësi të madhe”, deklaroi Demiri. Ai theksoi se skuadra ka punuar me përkushtim gjatë fazës përgatitore nën drejtimin e trajnerit Berat Imeri. “Ekipi ka punuar jashtëzakonisht mirë gjatë përgatitjeve.
Gjithashtu kemi afruar përforcime cilësore, të cilat besoj se do ta rrisin edhe më shumë nivelin e skuadrës”, u shpreh ai. Demiri vlerësoi kundërshtarin, por theksoi se Shkëndija nuk udhëton në Strugë vetëm për të marrë pjesë.
“Fati deshi që ndeshjen tonë të parë ta luajmë pikërisht kundër një klubi si Struga, një skuadër stabile që prej vitesh është në mesin e më të mirave në futbollin maqedonas. Megjithatë, ne jemi Shkëndija dhe nuk shkojmë në Strugë si turistë.
Shkojmë për të luajtur futboll, për të dhënë maksimumin dhe për të treguar në fushë frytet e punës së bërë gjatë përgatitjeve”, përfundoi Besir Demiri.
