Çështja e juristëve serbë sjell Sorensen në Prishtinë

0%

Çështja e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë të Kosovës, që dhanë dorëheqjen katër vjet më parë, por që po kërkojnë kthimin në detyrë, bëri që i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, të bëjë një vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë. Ai takoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Peter Sorensen nuk foli për mediat.

Bashkimi Evropian ka kërkuar që çështja e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr serbë të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por autoritetet kosovare thonë se gjyqtarët dhe prokurorët serbë kanë dhënë dorëheqje në mënyrë vullnetare pasi u ka bërë thirrje Beogradi, prandaj vendet e tyre duhet të plotësohen përmes konkurseve të reja, ashtu siç e parashikon ligji.

Kurti: Jo rikthim automatik në punë Në një njoftim për medie nga Zyra e Kryeministrit Kurti, thuhet se kryeministri, në takimin me Peter Sørensenin, e përsëriti se “është i hapur për përfshirjen e serbëve në gjyqësor dhe prokurori, por jo për rikthimin e tyre automatik në punë”. Sipas Kurtit “çdo vendim duhet të bëhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Të punësuarit në institucionet e Republikës janë dhe duhet të jenë nga të gjitha etnitë, e të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin e prokurorinë e shtetit. Dorëheqjet kolektive të para katër viteve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik.

Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë” , u shpreh Kurti.

Haxhiu: Dyshime për ndikim nga Serbia Edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që t’i lirojë nga detyra gjyqtarët serbë të Kosovës, ndonëse Bashkimi Evropian ka kërkuar nga udhëheqësit politikë në Kosovë që të mos bëjnë presion mbi Këshillin Gjyqësor, si institucion i pavarur.

Haxhiu i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor që “të mos bjerë pre e ndikimeve të askujt, qoftë vendore apo ndërkombëtare”, dhe t’i dërgojë asaj kërkesën për lirimin nga detyra të gjyqtarëve të dorëhequr serbë. Haxhiu thotë se “ka dyshime që ata të jenë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme dhe janë ndikuar nga Serbia gjatë administrimit të drejtësisë”.

“Ka shumë raste, ku disa prej tyre janë edhe publike, ku ish-gjyqtarë dhe prokurorë kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi dhe Kosovë, ku janë diskutuar plane dhe janë marrë veprime, përfshirë edhe bllokimin e rrugëve” në Kosovë, tha Haxhiu.

BE kritikon qëndrimin e Haxhiut Të premten (24.07.) Këshilli Gjyqësor i Kosovës u mblodh për ta shqyrtuar këtë çështje, por në mungesë kuorumi mbledhja dështoi. Në fillim të kësaj jave ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, liroi nga detyra shtatë prokurorë serbë që kishin dhënë dorëheqjen, pavarësisht kërkesës së tyre për tërheqjen e kërkesave për dorëheqjen.

Vendimi i Haxhiut për lirimin nga detyra të prokurorëve serbë u kritikua nga Bashkimi Evropian, duke shprehur shqetësim dhe duke i cilësuar këto vendime si “jo në përputhje me ligjin, kërkesat procedurale dhe sundimin e ligjit në Kosovë”.

Në vitin 2022, rreth 130 prokurorë e gjyqtarë serbë dhanë dorëheqje në valën e largimit masiv të serbëve nga institucionet e Kosovës, thirrje kjo e bërë nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Srpska, dhe e mbështetur edhe nga autoritetet e Beogradit.

Largimi masiv i serbëve nga institucionet ishte një veprim në shenjë revolte kundër një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targa të Kosovës. / DW

Burimi: Bota Sot