​2 Korriku i teti në Gothia Cup nga 252 ekipe dhe fitues për veshjen

0%

Klubi i Futbollit “2 Korriku”, mori pjesë në turneun ndërkombëtar të futbollit për grupmoshat e reja, Gothia Cup 2026, duke u renditur në mesin e tetë skuadrave më të mira nga 252 skuadra në kategorinë B15 dhe duke fituar çmimin për veshjen më të mirë “Best Outfit Aëard 2026”, pasi u paraqitën me kostume kombëtare.

Trajneri i ekipit U15, Art Rrustemi, duke folur për KosovaPress, tregoi se rezultatet e arritura nuk kanë ardhur lehtë, pasi skuadra është përballur me kundërshtarë të nivelit shumë të lartë nga vende të ndryshme të botës. “Kundërshtarët kanë qenë mjaft cilësorë. Kemi pasur lojë shumë të forta atje.

Edhe pse ndoshta ndokush që i ka parë rezultatet ka menduar që ka qenë ndoshta kundërshtari pak më i dobët ose cilësia e turneut jo aq e madhe, po ne që kemi qenë aty mundemi me garantu që nuk kanë qenë aq të dobët dhe nuk ka qenë cilësia e dobët, po kanë qenë mjaft kundërshtarë të fortë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ku jemi ballafaquar edhe me disa ekipe angleze, amerikane, portugeze, norvegjeze, suedeze, të ligës së parë suedeze. Po ashtu ka pasur edhe lojtarë të ekipit anglez që kanë luajtur në akademinë e Burnley, që domethënë kjo kallëzon për cilësinë edhe nivelin e garës” , deklaroi Rrustemi.

Duke folur për çmimin që e fituan “Best Outfit Aëard 2026”, ai bëri të ditur se ideja për prezantimin me kostume kombëtare kishte ardhur nga prindërit e futbollistëve. “Po kjo zgjedhje pak a shumë ka qenë më së pari si ide e prindërve.

Domethënë e kanë marrë si ide diçka pak më kreative edhe me rënë në sy atje, duke marrë parasysh që veshjet kombëtare datojnë prej një kohe shumë të lashtë, edhe është diçka një vlerë shumë e madhe kombëtare që ia ka vlejtur në atë turne me tërë ata njerëz, me tërë atë stadium aq të madh me u mbush, edhe me pa që Kosova edhe pse një vend i vogël ka vlera edhe jashtë fushës po edhe brenda fushës” , u shpreh ai.

Kapiteni i ekipit, Gent Stanovci, tha se suksesi ishte rezultat i përgatitjeve të mira dhe punës së ekipit. “Jemi kon edhe të përgatitur fizikisht edhe taktikisht falë trajnerit tonë. Edhe jemi dalë shumë të kënaqur mbas atij turniri. Kundërshtarët kanë qenë shumë të mirë se na ka rënë hera e parë me luajt me ekipe të jashtit, loja ndryshe.

Po prapë se prapë thashë edhe një herë, me angazhimin tonë kemi dalë që prej tetë lojërave shtatë t’i fitojmë” , Stanovci. Edhe futbollisti Blin Muhaxheri e cilësoi pjesëmarrjen në Gothia Cup si një përvojë të rëndësishme. “Ka qenë eksperiencë shumë e mirë me kundërshtarët, që të luajmë me kundërshtarët e shteteve të tjera, të Skandinavisë.

Ekipi i fundit që kemi luajtur me të ka qenë një akademi norvegjeze e cila ka qenë mjaft e përgatitur dhe mjaft e mirë. Mendoj se kemi mundur që ta fitojmë dhe atë lojë, po fati nuk ka qenë me ne. Por ekipet kanë qenë në nivel, po dhe ne ishim të përgatitur dhe arritëm t’i bënim ballë të gjithëve” , tha ai.

Ndërkaq, lojtari Oldion Kiqina e përshkroi arritjen si një sukses të madh për skuadrën. “Për mu edhe për ekipin do të thotë një sukses shumë fantastik, kemi mbërritur goxha shumë, goxha larg. Edhe pse u kon shumë zor se ka pasur ekipe shumë të forta, akademi të forta. Po na e kemi jap maksimumin tonë edhe jemi mundu me i bërë krenarë edhe prindërit edhe klubin krejt ”, u shpreh Kiqina.

Në edicionin 2026 të Gothia Cup, 2 Korriku përfaqësoi Kosovën me dinjitet, duke u renditur në mesin e tetë skuadrave më të mira nga 242 ekipe pjesëmarrëse në kategorinë B15, ndërsa triumfoi edhe me çmimin për paraqitjen më të mirë me kostume kombëtare në ceremoninë hapëse të turneut.

Suksesi i 2 Korrikut është vlerësuar si një dëshmi e cilësisë së futbollit të të rinjve në Kosovë dhe një promovim i sportit e identitetit të vendit në arenën ndërkombëtare.

Burimi: Bota Sot