Në romanin “Gjin Bardhela i arbresh – etja e gurëzuar”, autori Anton Nikë Berisha shkruan: “Thonë se secili poet ka zanën e vet dhe kur ajo e braktis, ai pushon të krijojë”. Fati e deshi që vetë Antonin nuk e braktisi asnjëherë ajo “zana” e tij krijuese, ndaj është me laps në dorë edhe sot, kur po mbush të 80-at. E ajo zanë është zani i tij si autor.
Është shkruar aq shumë nga kritika për Anton Nikë Berishën, sa për një çast mendon se nuk ka mbetur asgjë pa u thënë rreth profilit të tij si shkrimtar, studiues letërsie dhe profesor, që të mund të thuash dhe ti diçka. Por megjithatë asnjëherë nuk mund të rroket i gjithë opusi krijues i një shkrimtari, e pathëna e tij nën e mbi rreshta, qoftë dhe nga ai vetë.
Për të sendërtuar një ese kushtimore, në 80-vjetor, ka kohë që i mbajmë në tryezë librat e tij, duke i shtuar çdo ditë nga dy a tri fjalë esesë.
Kjo me qëllim që gjatë kësaj kohe të mund të njiheshim dhe më mirë me veprën e tij të vëllimshme, duke qëmtuar anë që kanë të bëjnë me profilin e tij të tanësishëm krijues, stilin e të shkruarit, thellësinë e shpalimeve letrare, filozofike e spirituale dhe natyrisht urtësinë e tij të epërme si njeri dhe dijetar.
Po edhe për t’i mëshuar një ideje: ende nuk është bërë normë që akademikët e gjuhës shqipe, të letërsisë shqiptare etj. të jenë një, në kuptimin që të hyjnë e dalin pa protokoll, si të brendshëm dhe jo si të jashtëm, në çdo institucion letrar, akademik e universitar shqiptar dhe jo si miq apo të ftuar në tryeza, auditore, konferenca, botime! Pra, asesi, ata “andej” e këta “këndej”!…
Njeriu që frymon letërsi si shkrimtar dhe studiues Anton Nikë Berisha është një “minierë” letrare më vete, shkrimtar, studiues letërsie i dorës së parë, erudit i pashoq i botës së letrave, që Arbreshët i ka fort për zemër, pasi ka shërbyer më shumë se dy dhjetëvjeçarë si profesor Letërsie në Universitetin e Kozencës.
Letërsia është përshpirtësia e tij si krijues e studiues, e po aq dhe kuvendimi i tij i shtruar mes miqsh për letërsinë dhe jo vetëm. Në personin e tij kemi njohur njeriun e mishëruar në studiuesin dhe studiuesin e mishëruar në njeriun. Rrugëtimi letrar i Anton Nikë Berishës ka nisur herët, duke qenë bashkudhëtar, mik e bashkëpunëtor me Azem Shkrelin, Anton Çetën, Nazmi Rahmanin etj.
Ndihmesa e tij në studimet letrare shqiptare, në autorët nga Kosova, vjen në rend me atë të Rexhep Qoses, Ali Aliut, Ibrahim Rugovës, Sabri Hamitit, Agim Vincës etj.
Për ta bërë këtë shkrim jubilar disi autentik, me mbresa jo vetëm nga leximi i veprës së tij, ndonjëherë, gjatë ndejave me të, çka zakonisht nuk e bëjmë me të tjerë, kemi nxjerrë në cep të tavolinës stilolapsin, ashtu si fshehurazi dhe kemi shënuar ndonjë mendim të tijin, thënë jo në mënyrë akademike, siç është natyra e tij në auditore, por lirisht siç e do “sofra”.
Kemi ndenjur disa herë këtë vit, të mikpritur në Prishtinë prej profesor Antonit dhe të birit Labinotit, gjithashtu studiues dhe profesor letërsie në Universitetin e Gjakovës, në shoqërinë e mikut tonë të përbashkët Gjon Krasniqi nga Nepolja, me qendrim në Zvicër.
Përpos se në Kosovë, me atë e bir Anton e Labinot Berisha, shihemi dhe në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Mirditë etj. dhe profesor Antoni nuk është asnjëherë duarbosh, por plot me libra të zgjedhur, si “Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe” (1555 -2019), botim i “Faik Konica” Prishtinë, libri studimor “Kulme poetike të prozës së Anton Pashkut”, libri me poezi të zgjedhura “Pshëretima djegagurë” i Din Mehmetit, botim i shtëpisë botuese “Beqir Musliu” – Gjilan, që drejtohet nga poeti Sabit Rrustemi, etj.
Kryefjala e bisedave mes nesh është gjithmonë letërsia. “Letërsia nuk shkruhet me u kuptue”, thotë profesor Antoni dhe në pamje të parë kjo ngjan një shprehje hermetike, por në të vërtetë është shkencore, pasi vijon shpjegimi i tij “ajo nuk ka vetëm një kuptim” dhe sjell si shembull novelën “Gjon Gazulli” të Martin Camajt, që thotë se duhet lexuar dy-tre herë për t’u kuptuar.
Gjithçka, sipas tij, është e lidhur me “aktin e leximit”, që është më i rëndësishmi, kuptohet pas aktit të krijimit. Përmes aktit të leximit thellohesh në gjithçka të tekstit. “Arti i madh nuk kapet lehtë” dhe sjell si shembull poezitë e Poradecit “Gjeniu i anijës” dhe “Vallja e yjeve”.
Tregon sesi kishte marrë një nga madrigalet e veprës “Dranja” të Martin Camaj dhe e kishte kthyer në poezi, teksa ajo ishte një prozë poetike. “Kush ta tha”? e kishte pyetur Martini i habitur. “Teksti”, i ishte përgjigjur Antoni. Sepse për një studiues letërsie teksti është vetë përgamena që duhet dëshifruar.
“Poezia është si profecia” thotë Antoni, që nënkupton se ajo i parandjen dhe i parathotë gjërat. Leximi për t’u çlodhur, për “mos me të zënë gjumi” është për një kategori lexuesish që nuk arrijnë ta rrokin thelbin e letërsisë dhe të veprës letrare. Leximi nuk është asnjëherë i lehtë.
E bukura e fytyrëzuar në “Prushi i bukurisë” Trinia e opusit letrar të Berishës është fjala si kumt, bukuria e fjalës artistike dhe shpirtërorja e fjalës. “Prushi i bukurisë” është e lashtë sa sibilat e Bogdanit dhe e re sa bashkëkohësia.
Bardë të fjalës, në qasje të ndryshme, janë tre Anton-ët që vijnë pas Pjetrit profet të “Çetës së Profetënve”, simbas moshës: Anton Çeta, Anton Pashku dhe Anton Nikë Berisha, rreth e qark Pashtrikut, ku është shqiptuar vargu “Doli në Gurit bukuria”.
Nëse Çeta ishte njëlloj bardi i fjalës së etnosit, që e mori atë nga goja e popullit dhe e ngjiti në Albanologji, Pashku e përdori fjalën si shkrimësi moderne simbolikash autentike shqiptare, opusi i fjalës te Berisha pati dy shtrate, atë të shkrimtarisë si autor i pëlqyer dhe tjetrën si mendimtar i sprovuar letërsisë.
Tre Antonët e Kosovës, letërsisë dhe shqiptarisë nuk i përbashkon vetëm emri e as vetëm hapësira vendlindase: Anton Çeta kishte hyrë në kullat e Kosovës të 90-ës, më parë si etnolog e më pas si misionar i pajtimit të gjakut; Anton Pashku si poetizues i kullës shqiptare, gjuhës shqipe, shenjave identitare dhe Anton Nikë Berisha si njohës i thellë i shpirtit malësor, shkrimtar i sagave vendlindase, studiues e kuvendtar i shtruar odash si të parët.
E bukura te ky autor është jo e zakontë, por e “prushtë”, e tejdukshme, e shndritshme. Duhet me qenë fort i mbushur shpirtërisht me të bukurën që t’i thurësh një himn të tillë asaj, të pahasur deri më sot tek asnjë autor, si te vepra “Prushi i bukurisë”. Kjo flet shumë për shpirtin, natyrën dhe fuqinë krijuese të Anton Nikë Berishës.
Autorë të ndryshëm i kanë kushtuar të bukurës strofa apo poezi të veçanta, kurse ky autor i kushton një poemë të tërë dhe këtu nuk është vëllimi që të magjeps, por arti me të cilin është thurur e vetmja poemë shqiptare e bukurisë, çka e bën atë një kryemetaforë të letërsisë shqipe dhe një aset te estetikës për “punë të lartësuara”, siç shkruan autori.
Mund të hasësh në xhevahire të pafundme të figurshme, që të impresionojnë kur i “shijon” veç e veç, ndërkohë që krijonë unitetin artistik të së bukurës, si (bukuria): “Je himn i mrekullive që ndodhin”, “plim i rezeve në fillesë të agut”, “je zëri lashtësor i fjalëve”, që “të padukshmen e bën të dukshme”, “farë e bimësisë në vallëzim të hareshëm”, “ti i miqëson lindjen dhe vdekjen”, “je drita mahnitëse e luzmës së yjeve”, “je e sotmja e veshur me të nesërmen”, “Je dëshmi e qenësisë së heshtjes / të lutjes së Agnjeze Bojaxhiut”, “Je zëri i Drinit të Bardhë…”, “Je shpirti mistik i secilës lindje”, “Je frymësia e parajsës”, që mbyllet me vargjet “Je përherë Bukuri e prushtë/ si sot si nesër” dhe një akrostik sintetizues të bukurisë.
Bukuria është kredo krijuese e Anton Nikë Berishës, nga një vepër në tjetrën. Ai në romanin “Gjin Bardhela” e zbulon atë përmes qasjes së Poetit të Darenjve, në një përgamenë të këtij të fundit ku thuhet: “Edukimi me të bukurën është punë e lodhshme dhe e gjatë sa vetë jeta”. (F. 121.) Ai bukurinë e gjen të mishëruar dhe te “Jerina ose Mbretnesha e Luleve” e Fishtës, që i kushton një studim të plotë, duke cituar dhe At Luigj Marlekajn, i cili Jerinën e quan “mishërim i bukurisë dhe përsosmërisë”.
“Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1555 -2019” Kjo vepër e botuar nga “Faik Konica” Prishtinë më 2020 është ndër punët me të rëndësishme të Anton Nikë Berishës, në të cilën janë përfshirë 105 poetë dhe siç kuptohet është një antologji e hapur dhe për më tej.
Autori shkruan se poetët shqiptarë, qoftë të traditës gojore, qoftë të traditës së shkruar, pos dukurive të shumta të jetës së përditshme, të natyrës dhe të botës së brendshme, bënë objekt të trajtimit artistik Zotin dhe Mbretërinë hyjnore.
Antologjia zë fill me katër psalmet e Buzukut në veprën e tij “Meshari”, përmes të cilave ai lavdonte Hyjin krijues, për të vijuar me autorët e tjerë si Budi, Bogdani, Variboba, De Rada, De Martino, Serembe, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Asdreni, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Vorea Ujko, Arshi Pipa, Martin Camaj, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Agim Gjakova, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Bardhyl Londo, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku etj.
Të tëheq larmia poetike dhe stili i autorëve, për mënyrën se si ata i flasin Zotit dhe njëherësh njeriut me vargjet e tyre.
Nuk është përfshirë, siç mund të merret me mend, poeti i “Blasfemi”-së, Migjeni, që në fillimet e jetës së tij i qe kushtuar Zotit si nxënës në seminar, ndërkohë që ka hyrë në antologji një tjetër poet “blasfemues”, Pashko Vasa, me lirikat e ndjera “Lutje” dhe “Pranvera”, ku “himn Zotit i këndon”.
Sendërtuesit të kësaj antologjie i është dashur shumë punë për të përzgjedhur në poezinë shqipe të 4 – 5 shekujve, lëndën më të mirë poetike me tematikën e të përshpirtmes dhe hyjnores, por profesori është i njohur për natyrën e tij skrupuloze të punës mbi letra.
Motua e tij, siç e thotë vetë në parathënien studimore, ka qenë shprehja e njohur në Ungjillin e Shën Gjonit: “Në fillim ishte fjala…” Gjin Bardhela, “etja e gurëzuar” e shkrimtarit “O Zot, ne s’e njohim botën tonë!” Shkruan profesor Antoni: “Në punën time në fushën e artit të fjalës, letërsisë, i jam përmbajtur asaj që thoshte shkrimtari i shquar rus, Anton Çehov: “Të moskënaqurit me vetveten është themeli i çdo talenti të vërtetë”.
Këtë kredo krijuese e dëshmon dhe kryevepra e tij artistike, romani “Gjin Bardhela”, që filozofon mbi thelbin e identitetit shqiptar, kërkimin e së vertetës, e cila shpesh nuk është ajo që shihet. Fantazia me të cilën e lëron prozën e tij shkrimtari është mahnitëse: “Copat e territ i shndërroheshin në grumbull qeniesh, që i përngjanin në lakuriqë krahë-djegur.
Ata ia mbështillnin trupin si pëlhurë e lyer me rrëshirë”. Gjin Bardhela i Ndré Bua Petës është ndër personazhet më të veçantë të letërsisë shqipe, një vetje e pangjashme me askënd, që vihet në kërkim të së vërtetës jetësore, duke i propozuar dhe lexuesit që të kërkojë dhe ai të panjohurën e tij.
Gjini e bën këtë përmes përjetimit të thellë aty në Maqin e tij të lumit e të dejtit, pasi nga fundi i jetës së tij ka zbuluar tragjikisht se: “O Zot, ne s’e njohim botën tonë!” Ai ngjan si një personazh mitik, që bash për këtë sa shkon drejt vdekjes, aq dhe drejt ringjalles.
Edhe personazhet e tjerë, janë mjaft specifikë, si Magdalena, Radi i Radonjve, Nanë Dranja, Babë Frangu, Matë Mazrreku, Gruaja e burgosur me mitin e saj të Sizifit, plaka Kalinë që zhbënte magjitë – dhe magjinë që i kishin bërë Gjinit etj. Personazh është dhe Poeti, që ka “fatkeqësinë e të mëdhenjve që u takojnë popujve të vegjël”.
Gjini, gjëgjësisht autori, hyn në “bashkëbisedim” me De Radën, duke e ngjallë atë përmes përfytyrimit, çka vjen nga një njohje e imtësishme e veprës dhe mjedisit ku ai rroi në Maqi. Poeti është i dentifikuar me lumin që nuk vdes.
Romani duhet receptuar në çdo fjalë e frazë, pasi fsheh kuptimësi dhe nëntekste, që duhet t’i “dëshifrosh”, qofshin ato dhe rrëfimet Gjyshës Mrí mbi dragojt, mitin e këmishës/ lëkurës së gjarprit, të Këshetës Flokartë, të besës, të “urës pa një krah”, të “shpirtërave që e kalojnë dhe dejtin”, përmes vlagës së legjendave, baladave autentike shqiptare dhe kujtimeve të një jetë të kalueme, të pesëqind vjetëve arbëreshe, që nga ikja prej Dheut të të Parëve.
Berisha është mjaft i guximshëm në krijimin e metaforës, ku ndër më të qëlluarat është ajo e “mbjelljes së dheut” (“Mbillet edhe dheu, ai s’është send i vdekur!”), që në kontekstin arbëresh ka domethënie të madhe, pasi të Parëve që kishin lënë tokën amë po iu mbarohej ai grushti i dheut që e kishin marrë me vete, për ta hedhur ngapak në çdo varr, pasi “me atë dhé të vdekurve u qetësohej shpirti”.
I frymëzuar nga e foljma arbëreshe dhe për t’i dhënë jetë asaj, shkrimtari përdor një lëndë gjuhësore të pasur, si fjalët me nuanca zvogëluese: rrëfejza, shkëndilza, vezullimza, bukureza, dërrudhza, Shegëz, hullizë dritëze etj., që i japin bukuri tekstit.
Është lirizmi shpesh tronditës i qenies njerëzore, që kalon nga një gjendje te tjetra, aty mbi varkën e dejtit të Maqit, ku Gjini bën dashuri me të Bukurën e Dejtit dhe “ngrohtësia e epshit të saj, tund çdo gjë, edhe vetë dejtin”, duke krijuar kështu një metaforë hipërbolike të pazakontë mbi fuqinë gurëzuese të dashurisë.
“Varka çante përpara, si etje dashurie”, shkruan autori një frazë që është një varg i mirëfilltë poetik, frymë që e përshkon romanin nga fillimi në fund. Por sa poetik e ndjesor, romani është dhe filozofik, gjendja lumturore nuk zgjat, ajo mbaron sapo pushon së ekzistuari dashuria.
“Mirëpo sa u shua shkëlqimi, sa u zhbë pamja e Vajzës dhe Gjini nuk e ndiente më ngrohtësinë e trupit e të bukurisë së saj, zuri t’i pakësohej fuqia; duart iu këputën sikur t’i kishte shituar zana me pështymën helmore. Terri, si një pëlhurë ankthi, zuri t’ia përflakte mishtë, eshtrat, gjithçka.
I dukej vetja hije, shtresim hiri i shuar…” Letrarësia e tij, e shprehur më së miri në këtë roman, është poetika e mitit, legjendës, historisë, botës arbëreshe në veçanti, por dhe asaj artistike bogdaniane, nëse mund ta quajmë kështu etj.
“Studime letrare të zgjedhura” në dhjetë vëllime Vepra e jetës e Anton Nikë Berishës është “Studime letrare të zgjedhura” (Prishtinë 2025), për të cilën ai shkruan: “Në këto dhjetë vëllime me studime letrare të zgjedhura kam përfshirë vetëm ato punime – interpretime dhe studime monografike që, sipas mendimit tim, bëjnë pjesën më cilësore të punës sime në fushën e studimit të artit të fjalës, letërsisë, po dhe ku vështrohen disa nga veprat letrare më të njohura në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar”.
Autori trajton çeshtje teorike të letërsisë, çeshtje të estetikës së letërsisë dhe mendimit estetik në letërsinë shqipe, çeshtje të letërsisë gojore dhe të historisë së saj, të letërsisë së shkruar dhe të letërsisë për fëmijë etj.
Një vend të veçantë në korpusin shkencor të studimeve të tij zënë vëzhgimet mbi poetikën e Aristotelit dhe kryevepra të tjera të letërsisë botërore, si “Epi i Gilgameshit”, “Psalmet”, “Kënga e këngëve”, “Gjeorgjikat”, “Këngë e Nibelungëve” etj.
Duke i shkuar letërsisë shqipe të traditës në rrënjë, kemi trajtesat e thukta mbi “Mesharin” dhe Buzukun si “poeti ynë i parë”, Budin si “poet e prozator”, veçanti të veprës letrare të Fishtës, Koliqit e Camajt, të shkrimtarëve bashkëkohorë, Azem Shkreli, Nasi Lera e Ramadan Musliu etj.
Berisha sjell po ashtu ndihmesën e Eqerem Çabejit si studiues i letërsisë shqipe, rolin e një vargu studiuesish të huaj për këtë letërsi, si Lamberci etj. Në autorët përfaqësues letërsisë për fëmijë, ai merret me veprën letrare të Mark Krasniqit, Rifat Kukajt e Agim Devës.
Gjatë promovimit të veprës së tij të plotë letrare prej 10 vëllimesh në Akademinë e Shkencave në Tiranë, nën kujdesin e studiuesit të njohur të letërsisë, Behar Gjoka, profesori i letërsisë së UT, Kristaq Jorgo, duke dashur të gjejë një qasje të merituar për Anton Nikë Berishën, përdori metaforën e Faik Konicës për Shtjefën Gjeçovin, lartësi e përulur, nga më dinjitozet, që aq mirë shkon për një varg dijetarësh të mëdhenj të heshtur, si Mitrush Kuteli, Selman Riza, Kol Ashta etj.
Profili i Anton Nikë Berishës nuk mund të kuptohet pa mësimdhënien, që ka qenë kaherë një pasion i tij, që zë fill në Universitetin e Prishtinës, për të shtegtuar në disa universitete të tjera vendase e të huaja.
Në vitin 1993, Anton Nikë Berisha shkon profesor letërsie në Universitetin e Kozencës në Kalabri, ashtu si dikur At Ambroz Marlaskaj në Universitetin Antonian në Romë, Martin Camaj në Mynih, Agron Fico në Kinë, e në ditët e sotme, Ardian Marashi në Paris, Gëzim Basha në Amerikë, Ardian Ndreca në Romë etj. Vepra e profesor Antonit s’rresht.
Koleg dhe mik me profesorët e mirënjohur Altimari e Mandalá, ai thotë se po përgatit një antologji të poezisë arbreshe me dyzet autorë dhe se kjo është një punë mjaft e vështirë, pasi duhet të përzgjedhësh poezitë më të mira të tyre nga njëqind libra. Edhe pse 80-vjeçar, përditë i përkulur mbi tryezën e punës, si të jetë fillimi.
Nëse do të duhet një fjali përmbyllëse, ajo do të ishte: “Anton Nikë Berisha i bën gjerat me dashuri – edhe artin, edhe shkencën”.
