Policia e Kosovës ka sekuestruar një pushkë automatike AK-47, një pistoletë dhe 181 fishekë gjatë kontrollit të një shtëpie dhe objekteve përcjellëse në fshatin Manastirc të Ferizajt. Kontrolli është realizuar më 13 gusht, nga Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Ferizaj, në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Gjatë kontrollit në garazhin e të dyshuarit F.H., 35 vjeç, në bagazhin e një automjeti BMW janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47, tre karikatorë me 139 fishekë, një pistoletë dhe dy karikatorë me 42 fishekë.
Lidhur me rastin, policia ka njoftuar prokurorin e shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, ndërsa me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë, për procedura të mëtejshme hetimore.
