Shpërndaje në: Policia e Kosovës u ka kërkuar kompanive që po kryejnë punimet në zgjerimin e segmentit rrugor Kijevë–Zahaq që të përmirësojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor, me qëllim rritjen e sigurisë për pjesëmarrësit në trafik.
Kërkesa u bë të premten gjatë një takimi pune të mbajtur në Njësinë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Pejë, ku komandanti i njësisë, kapiten Teki Sylaj, së bashku me bashkëpunëtorët, u takua me përfaqësuesit e kompanive që po realizojnë punimet në këtë segment.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë takimit u diskutua për sigurinë rrugore dhe menaxhimin e qarkullimit gjatë zhvillimit të punimeve, me theks të veçantë në rritjen e fluksit të automjeteve gjatë sezonit veror, për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve.
Policia kërkoi nga kompanitë punëkryese që të shtojnë dhe përmirësojnë sinjalizimin e përkohshëm, duke vendosur shenja shtesë paralajmëruese dhe orientuese në zonat ku zhvillohen punimet, në mënyrë që të parandalohet rreziku i aksidenteve dhe të sigurohet një qarkullim sa më i sigurt.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë bëri të ditur se do të vazhdojë zbatimin e planeve operative dhe masave parandaluese për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Njëkohësisht, Policia u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, sinjalizimin rrugor, kufizimet e shpejtësisë dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, duke treguar kujdes të shtuar në segmentet ku po zhvillohen punime.
