Gjykata Themelore në Prishtinë sot më e ka dënuar me me 2 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë për mos deklarim të 172 mijë e 600 euro ish-kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Gjykata e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e shumës së mjeteve të padeklaruara nga ana e të pandehurit në vlerë prej 172 mijë euro.
Sipas arsyetimit të Gjykatës, në këtë rast Prokuroria nuk ka paraqitur ndonjë pasuri tjetër që e ka sekuestruar ndaluar apo ngrirë, e cila do të mund të konfiskohej si barasvlerë e pasurisë së padeklaruar.
Gjyqtari Leon Përlaska ka thënë se në këtë rast Prokuroria është dashur që ta sigurojë një pasuri që ka pasë vlerën e përafërt me pjesën që nuk është deklaruar nga i pandehuri, e që pastaj Gjykatës t’i jepet mundësia që ta konfiskojë.
“Prokurori ka kërku që shuma e padeklaruar prej të pandehurit me u konfisku, mirëpo në anën tjetër dispozitat procedurale kanë paraqitë kritere të qarta sa i përket konfiskimit, që në këtë rast është dashtë që prokuroria me siguru një pasuri që ka pasë barasvlerë me pjesën që nuk është deklaru që pastaj neve si Gjykatë me na dhanë mundësinë që me konfisku.”- ka thënë gjyqtari.
“Në këtë rast, prej prokurorisë nuk na është paraqitë asnjë pasuri specifike që na me vendosë që kjo pasuri konfiskohet në barasvlerë të pasurisë së padeklaruar.”- ka thënë më tej gjyqtari Leon Përlaska.
Në seancën e datës në fjalën përfundimtare, prokurori i rastit Dren Paca, i kishte propozuar Gjykatës që të pandehurit Ahmeti t’i konfiskohet pasuria në shumën e padeklaruar apo ndonjë pasuri e barasvlefshme. Ndërsa këtë propozim të Prokurorisë e kishte kundërshtuar mbrojtja e të pandehurit, avokati Arbër Istrefi si të pabazë.
Shpend Ahmeti nga Prokuroria Speciale po akuzohet se nuk ka deklaruar mjetet financiare në shumë prej 54 mijë e 400 euro të pranuara nga llogaritë personale të nënës së tij dhe 118 mijë euro të tij. Sipas Prokurorisë shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 mijë e 600.00 euro.
Kjo çështje penale është trajtuar në Departamentin Special në Gjykatën e Prishtinës, në përbërje të trupit gjykues nga: Leon Përlaska (kryetar) Violeta Namani- Hajra dhe Medije Bytyqi (anëtare). Ndërsa aktakuza është përfaqësuar nga prokurori special Dren Paca. Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Shpend Ahmetit, për mos deklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.
Shpend Ahmeti, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më nuk e kishte pranuar fajësinë , ndërsa në seancën e datës është deklaruar për akuzën që i vihet në barrë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më ka ngritur aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com thuhet se i pandehuri Shpend Ahmeti në periudhën kohore nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në Prishtinë, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës edhe pse i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë vjetore në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë duke mos deklaruar te ardhurat reale.
“Si person zyrtar, ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e saktë, të plotë dhe në kohë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobive pasurore dhe detyrimeve financiare, me rastin e paraqitjes se deklaratave vjetore pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, duke mos deklaruar të ardhurat reale, respektivisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme (cash) të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse, si drejtpërdrejtë ashtu edhe përmes bankomatëve (ATM), në llogaritë e tij personale në vlerë të përgjithshme prej 118,200.00 euro.”- thuhet në aktakuzë.
Sipas PSRK-së i pandehuri Ahmeti në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raspotimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare. Ahmeti ishte për dy mandate kryetar i Prishtinës, i njëjti kishte fituar si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje mandatin e parë në vitin 2013-të dhe përfundoi mandatin e dytë në vitin 2021.
