I njohur në tërë Kosovën si Homeri shqiptar, ai i ka ditur dhe i ka kënduar mbi 1000 këngë. Ky rapsod, jo vetëm që mbahet mend si ikonë e folklorit shqiptar, së bashku me Salih dhe Feriz Krasiqin nga katundi Vllashki Drenovc, Komuna e Malishevës, por njihet edhe si artist i humorit në dasma dhe ahengje familjare. Përherë është duartrokitur nga dasmorët.
Edhe sot, kur dëgjohen këngët pas shkuarjes së tij në amshim, të Riza Bllacës, këtij rapsodi të madh, emocionohesh pa masë, duke mësuar të kaluarën sa të dhimbshme, po aq edhe krenare, përmes këngës së historisë së kombit shqiptar. Rapsodët si Riza Bllaca nuk vdesin kurrë. Ata do të jetojnë gjithmonë dhe do të kujtohen me dashuri dhe respekt, gjeneratë pas gjenerate, nga kombi shqiptar.
