Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim kryetarin e rizgjedhur të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli. Përmes një njoftimi, Kurti bëri të ditur se e uroi Hykollin për mandatin e ri në krye të BSPK-së, duke i ofruar njëkohësisht bashkëpunimin e Qeverisë për mbrojtjen, forcimin dhe zbatimin e të drejtave të punëtorëve.
“Sot prita në takim kryetarin e rizgjedhur të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, të cilin e urova për mandatin e ri dhe i ofrova bashkëpunimin e Qeverisë me qëllim të mbrojtjes, forcimit dhe zbatimit të të drejtave të punëtorëve”, ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar për përmirësimin e pozitës dhe kushteve të punëtorëve, duke përmendur disa nga masat që, sipas tij, janë ndërmarrë gjatë mandatit qeverisës.
Sipas Kurtit, ky angazhim dëshmohet përmes rritjes së pagës minimale, formalizimit të tregut të punës, shtimit të numrit të inspektorëve të punës dhe plotësimit të legjislacionit përkatës në këtë fushë.
