Ismajli merr petkun e liderit me trajnerin e ri: Të lë pas dëmtimet, Torino… Ardian Ismajli po përgatitet për sezonin e tij të dytë me Torinon, ndërsa beson se skuadra granata ka nisur të ndërtojë identitetin e saj nën drejtimin e trajnerit të ri Ignazio Abate.
Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare foli për fazën përgatitore, filozofinë e trajnerit, objektivat e ekipit dhe synimet personale pas një sezoni të shoqëruar nga dëmtimet.
Qendërmbrojtësi shqiptar tregoi se skuadra po punon me intensitet të lartë gjatë grum bullimit veror dhe se lojtarët po përpiqen të përshtaten sa më shpejt me kërkesat e trajnerit të ri. “Po punojmë shumë mirë. Grumbullimi po shkon mjaft mirë. Java e parë ishte e vështirë, këmbët janë ende pak të rënda, por është normale. Po punojmë shumë, si nga ana fizike ashtu edhe teknike.
Abate ka vendosur në qendër stilin e tij të lojës dhe ne po përpiqemi t’i përvetësojmë idetë e tij sa më shpejt. Jam i bindur se do të arrijmë të luajmë futbollin që kërkon trajneri”, tha fillimisht ai.
NDËRRIMI I TRAJNERIT- Një nga aspektet ku po punohet më shumë është ndërtimi i aksioneve që nga mbrojtja, një element që sipas Ismajlit kërkon kohë, por që mund të bëhet një pikë e fortë e Torinos. “Nuk është e lehtë, por duhet t’i afrohemi kësaj mënyre loje. Më pëlqen shumë ideja që ta ndërtojmë lojën që nga mbrojtja. Dalëngadalë do t’ia dalim”.
Ismajli u ndal edhe te puna e Abates, duke theksuar se mënyra se si tekniku komunikon me grupin ka krijuar menjëherë një atmosferë pozitive. “ Më ka bërë përshtypje mënyra se si sillet me lojtarët. Është gjithmonë pozitiv, nuk ka kurrë një fjalë negative. Të shtyn të shkosh përtej limiteve dhe të jep një forcë të madhe edhe kur ke bërë një gabim.
Është i ri, por ka tashmë shumë eksperiencë. Kur të flet, të hyn në mendje. Më kujton Vinccenzo Italianon. Si për qasjen ndaj lojtarëve, ashtu edhe për mënyrën e lojës, me shumë duele një kundër një. Janë trajnerë që të japin energji”, u shpreh mbrojtësi.
SKUADRA- Mbrojtësi shqiptar beson se skuadra ka krijuar bazat për të zhvilluar një sezon pozitiv, duke nënvizuar rëndësinë e mentalitetit në arritjen e objektivave. “Jemi një grup i mirë, plot entuziazëm, me një kombinim lojtarësh me eksperiencë dhe të rinjsh. Gjithçka nis nga mentaliteti. Torino do të jetë një skuadër e fortë nëse do të jetë e fortë mendërisht”.
Sipas tij, grupi do të forcohet edhe më shumë me rikthimin e futbollistëve që kanë munguar gjatë verës, ndërsa pret që merkatoja t’i japë ekipit alternativa të tjera përpara fillimit të sezonit. Duke analizuar sezonin e kaluar, Ismajli pranoi se dëmtimet ndikuan ndjeshëm në rendimentin e skuadrës, pavarësisht cilësisë së repartit defensiv. “Futbolli është i çuditshëm.
Në letër, unë, Maripan dhe Koko formonim një treshe mbrojtëse me shumë cilësi. Megjithatë, pothuajse gjithmonë njëri prej nesh mungonte për shkak të dëmtimeve. Nga janari e në vazhdim bëmë shumë më mirë dhe kaluam katër muaj pozitivë. Jam i bindur se këtë sezon do ta ngremë nivelin. Dua të jem gjithmonë në fushë, pa dëmtime.
Ky është objektivi im i parë që të lë pas problemet muskulore të një viti më parë. Shpresoj të bëj edhe më mirë se sezonin e kaluar”, shtoi ai. Sa i përket aspektit taktik, mbrojtësi shqiptar zbuloi se Torino po provon disa variante loje gjatë fazës përgatitore dhe se skuadra është në gjendje të përshtatet me sisteme të ndryshme.
“Kemi lojtarët për të luajtur si me tre, ashtu edhe me katër mbrojtës. Me trajnerin po provojmë 3-4-2-1 dhe 3-4- 3, pastaj do të shohim se cili sistem do të përdoret gjatë sezonit”. TIFOZËT- Në fund, Ismajli iu drejtua edhe tifozëve të Torinos, duke theksuar se është detyrë e futbollistëve t’i rikthejnë ata në stadium përmes rezultateve dhe paraqitjeve bindëse.
“Ne lojtarët duhet t’i rikthejmë tifozët në stadium duke luajtur mirë dhe duke fituar. Do të bëjmë gjithçka për t’ia dalë. Kur e shoh “Curva del Toro” të mbushur, është një motivim i jashtëzakonshëm. Varet nga ne ta ngremë nivelin, por u them tifozëve: besojini kësaj Torinoje”, tha mes tjerash Ismajli.
