Policia e Shqipërisë ka shpallur në kërkim një 42-vjeçar nga Lushnja, i dyshuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë ndaj një 27-vjeçareje me probleme të shëndetit mendor. Sipas autoriteteve, rasti është denoncuar në Komisariatin e Policisë në Lushnjë nga 27-vjeçarja, e cila ishte paraqitur së bashku me dy familjarë të saj. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur një ditë më parë.
Pas kallëzimit, policia ka nisur menjëherë veprimet hetimore dhe ka shpallur në kërkim shtetasin S. M., 42 vjeç, banues në Lushnjë, nën dyshimin për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Gjatë zhvillimit të hetimeve, policia ka arrestuar edhe një 32-vjeçar, vëllain e 27-vjeçares, i cili dyshohet se ka djegur me lëndë djegëse automjetin e nënës së të dyshuarit 42-vjeçar, në shenjë hakmarrjeje. Policia ka bërë të ditur se po vijon punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
