Dhjetë oficerë të FSK-së diplomojnë në Akademinë e Forcave të

0%

Dhjetë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë diplomuar në Akademinë e Forcave të Armasotura të Republikës së Shqipërisë. Kështu ka njoftuar FSK, duke shpjeguar se diplomimi ka ardhur përmes Kursit Përgatitor për Oficer, në saje të një marrëveshjeje të arritur mes Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, Arben Kingji dhe Komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari, në tetor 2025.

“Kadetët e FSK-së diplomuan dje në ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës 2026 të kadetëve të Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.”- njoftoi FSK. Diplomimi i këtyre oficerëve, sipas FSK-së, shënon një hap të rëndësishëm në forcmin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit ushtarak dhe zhvillimit profesional të udhëheqësve të rinj.

Të diplomuarit, kanë përfunduar me sukses programin akademik dhe ushtarak, me ç’rast kanë fituar njohuri në fushën e udhëheqjes, planifikimi operacional, vendimmarrjes dhe menaxhimit ushtarak sipas standarteve të NATO-s.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

FSK ka njoftuar se ceremonia u zhvillua në praninë e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe drejtuesve të institucioneve të mbrojtjes dhe sigurisë së Shqipërisë dhe Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të personelit të saj, me synim ngritjen e kapaciteteve operative dhe forcimin e ndërveprueshmërisë me forcat partnere dhe aleate.”- thuhet në njoftimin e FSK-së. Për diplomimin e këtyre dhjetë oficerëve, në mesin e 67 të diplomuarve, ka njoftuar edhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në ceremoninë e diplomimit ka thënë se ky është moment i rëndësishëm i FSK-së dhe dëshmi e investimit të vazhdueshëm për të zhvilluar kuadro profesionale ushtarake. “Bashkëpunimi ynë i ngushtë me Republikën e Shqipërisë vazhdon të forcohet çdo ditë.

Kjo dëshmohet edhe nga shumëfishimi i numrit të ushtarakëve nga Kosova që ndjekin studime, shkollime dhe trajnime në institucionet ushtarake të Republikës së Shqipërisë”- citohet të ketë thënë Maqedonci. Kjo Ministri ka njoftuar se gjatë vitit 2026, qindra pjesëtarë të FSK-së po marrin pjesë në programe edukimi, shkollimi dhe trajnimi ushtarak në institucionet ushtarake të Shqipërisë.

Burimi: Kallxo