Shqipëria U-18 e basketbollit për meshkuj e ka ndërlikuar në maksimum rrugëtimin e saj në Divizionin C të Kampionatit Europian, event që po zhvillohet në Shkodër. Pas fitores në ndeshjen debutuese kundër San Marinos, kuqezinjtë janë mundur dje nga Malta me rezultatin 64-85 dhe tashmë janë thuajse të eliminuar nga gara për zonën e medaljeve.
Kuqezinjtë, nën drejtimin e trajnerit Besim Dervishaj, zhvilluan një ndeshje të dobët, ndërsa maltezët, me 5 lojtarë të marrë nga përfaqësuësja U-16, ishin thuajse gjithnjë përpara, duke u shpërblyer në fund me suksesin e merituar.
Perioda e parë pati ritëm të mirë realizativ, e mbyllur 19-23 për Maltën, e cila mori edhe çerekun e dytë 15-23, duke shkuar në pushim me avantazhin e përgjithshëm 34-46. Shqipëria u fut mirë në lojë në çerekun e tretë, madje duke arritur edhe përmbysjen momentale të rezultatit në shifrat 48-46, por e dorëzoi menjëherë kryesimin.
Kështu, perioda e tretë u mbyll 22- 16 për tanët, me maltezët përpara 56-62 pas 30 minutash lojë. Kuqezinjtë shthuren tërësisht në periodën e katërt, me Maltën që e merr 10-minutëshin 8-23, duke vulosur suksesin final me +21 pikë. Për sa u përket statistikave individuale, Kai Fabri i Maltës u shpall MVP, protagonist me 31 pikë, 3 kërcime dhe 4 asistime.
Për Shqipërinë rendimentin më të lartë e kishin Dalin Korbi me 6 pikë, 10 kërcime e 2 asistime, Genti Nilo me 25 e 7 kërcime si dhe Enes Bilali me 10 pikë, 11 kërcime e 2 asistime.
Më shumë se thjesht një humbje në radhët e moshave, kjo ndeshje duhet të shërbejë si kambanë alarmi dhe si reflektim i thellë për FSHB-në, duke nisur që nga mënyra e përzgjedhjes së lojtarëve, për të vijuar gjithashtu edhe me formatet e kompeticioneve për të rinjtë, pasi kampionatet mbyllen që në prill, duke bërë që lojtarët të mbetet për muaj me radhë pa aktivitet.
