Stuhia dëmton vreshtat në Rahovec, fermerët kërkojnë mbështetje

0%

Dëme të pariparueshme në kulturat bujqësore janë shkaktuar në komunën e Rahovecit, ku sektorët e vreshtarisë janë goditur më së rëndi në prag të sezonit të vjeljes. Përveç humbjeve të këtij viti, vreshtarët rrezikojnë procesin e prodhimit edhe për vitet e ardhshme. Autoritetet lokale kanë nisur vlerësimin në terren, ndërsa kërkojnë ndërhyrje emergjente nga Ministria e Bujqësisë.

Stuhia e fundit ka shkatërruar sipërfaqe të tëra me vreshta në Komunën e Rahovecit. Për shumë vreshtarë, ky dëmtim në prag të vjeljes nënkupton humbjen e plotë të një investimi shumëvjeçar. “Pas kësaj që po e shihni, po presim një vlerësim të dëmit. Nuk e dimë ende dëmtimin, pasi që hardhia e rrushit nuk e kallxon dëmin për 24 orë.

Tash do ta shohim eventualisht më saktësisht, por ende nuk e dimë. Për momentin nuk i dihet arsyeja, por dëmtimet janë në bazë të nënshartesës. Këtu jemi dëmtuar një hektar””, tha për RTK, Musli Gashi, vreshtar. “Për fat të keq, këtu kemi shumë dëm të madh. Bima është tërësisht e dëmtuar dhe nuk ka mundësi rikuperimi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dëmet nuk mundemi t’i kalkulojmë tash, por shihet që këtu duhen katër vite për t’i mbjellë përsëri dhe për t’u plotësuar. Nëse duam t’i motivojmë pak fermerët të cilët kanë mbetur, duhet që ministria përkatëse t’i marrë më seriozisht këto probleme, që ata të mund të fillojnë nga zeroja përsëri”, tha Feriz Shala, agronom.

Udhëheqësit komunalë kanë vizituar zonat e prekura për të parë nga afër shkallën e dëmtimit të plantacioneve, duke paralajmëruar pasoja të rënda ekonomike për fermerët. “Kjo është vetëm një dëshmi se sa shumë është dëmtuar, madje në mënyrë të pariparueshme.

Pres vlerësimin e komisionit komunal për regjistrimin dhe vlerësimin e dëmeve dhe vetëm nga ajo që e shohim”, tha Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit. “Ne do t’i mbështesim aq sa mundemi dëmet. Lusim ministrinë dhe qeverinë që t’i kenë në konsideratë, sepse dëmet që janë shkaktuar që nga viti 2022, fermerëve nuk u janë kompensuar.

Për shembull, këtu kemi një hardhi rrushi 10 -20-vjeçare dhe tash, nëse nuk i ndihmojmë, humbet vullneti edhe i këtyre pak fermerëve që i kemi”, tha Behat Thaqi, drejtor i Bujqësisë në Rahovec.

Fermerët presin që pas përfundimit të vlerësimit të dëmeve të ketë mbështetje institucionale, pasi për shumë prej tyre dëmtimi i vreshtave nënkupton humbjen e një pune shumëvjeçare dhe të të ardhurave të planifikuara nga prodhimi i këtij viti.

Burimi: Bota Sot