Stuhia dhe breshri i ditëve të fundit kanë goditur rajonin e Anamoravës me një intensitet të pazakontë. Kjo situatë atmosferike ka lënë pas dëme të shumta në kulturat bujqësore të vendit. Pasojat më të rënda i kanë pësuar banorët e Komunës së Vitisë.
Në fshatin Skifteraj, mjaftuan vetëm dhjetë minuta stuhi që dhjetëra hektarë të mbjellë të shndërrohen në dëme të papërballueshme për fermerët.
“Siç shihet nga dëmi, ne nuk mundemi të kompensojmë asgjë, sepse i gjithë investimi ka shkuar në këto kultura, në shalqinj, në lakër dhe në patate dhe investimi për hektar ka shkuar diku 10 mijë euro me plehra, fidane të importuara nga Shqipëria, foli, sistemin e ujitjes pikë-pikë, plehrat kristalore dhe të gjitha këto me radhë”, tha banori Esat Mustafa.
“Janë të dëmtuara të gjitha prodhimet bujqësore, si shalqini, patatja, lakra, misri edhe të gjitha ne këtu ku jemi. Unë posedoj 3.11 ha shalqinj. Siç po shihet, gjithçka është e dëmtuar, nuk ka mbetë asgjë për t’u shitur, kjo është fatkeqësia më e madhe që ka ndodhë në fshatin tonë”, ka thënë Nexhat Mustafa, banor tjetër.
Stuhia dhe breshri i fuqishëm në Viti kanë shkaktuar dëme të mëdha në kultura bujqësore dhe lëndime në njerëz. Kryetari i komunës, Sokol Haliti, konfirmoi se një person ka pësuar me fatalitet gjatë inspektimeve në terren në zonat e prekura nga moti i lig.
“Niveli lokal dhe niveli lokal duhet me funksionua në interes të qytetarëve, sidomos në raste emergjente kur jeta e qytetarëve është në pyetje, në raste kur prona e qytetarëve është në pyetje.
Është obligim institucional me u koordinu, e kemi obligim me mbrojtë interesin qytetar, shërbimin për ta edhe me i mbrojtë nga rastet e tilla, nga stuhitë e tilla, sepse për atë shteti ekziston, funksionimi vital i shtetit me krejt emergjencat dhe me mbrojtë dhe me kontrollë është obligativ” , tha Haliti.
Koordinimi i përbashkët ndërmjet institucioneve të nivelit qendror dhe lokal është i domosdoshëm për të mundësuar parandalimin dhe kompensimin e shpejtë të dëmeve nga kushtet klimatologjike. Fermerët dhe zyrtarët komunalë të Vitisë nënvizojnë se kjo strategji mbron drejtpërdrejt jetën, pasurinë dhe pronën e qytetarëve.
