Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të rriten, pasi Teherani ka paralajmëruar se do të ndërmarrë sulme ndaj infrastrukturës civile në Lindjen e Mesme nëse objektet e tij goditen nga ushtria amerikane.
Sipas mediave iraniane, një burim i lartë ushtarak ka deklaruar se çdo sulm ndaj territorit iranian do të pasohet me kundërpërgjigje ndaj objektivave strategjike në rajon, përfshirë ura dhe infrastrukturë energjetike.
Paralajmërimi vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA-ja do të godasë objektet iraniane nëse Garda Revolucionare vazhdon sulmet ndaj anijeve që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit. Autoritetet iraniane kanë theksuar se nuk do të lejojnë cenimin e sovranitetit të tyre dhe kanë paralajmëruar se janë të gatshme t’i përgjigjen çdo veprimi ushtarak.
Përshkallëzimi i retorikës mes dy vendeve ka shtuar shqetësimet ndërkombëtare për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
