E ardhmja e Armando Brojës mund të jetë në Itali. Sipas raportimeve të mediave italiane, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka dhënë pëlqimin e tij për t’u transferuar te Cagliari gjatë merkatos së verës. Klubi sard po kërkon të rindërtojë repartin ofensiv pas largimeve dhe ndryshimeve të shumta në skuadër, ndërsa Broja është shndërruar në objektivin kryesor për sulmin.
Futbollisti shqiptar, aktualisht pjesë e Burnleyt, ka hapur derën për kalimin në Serie A, duke i dhënë dritën jeshile drejtuesve të Cagliarit për të vijuar negociatat. Tashmë mbetet që klubi italian të gjejë marrëveshjen ekonomike me Burnleyn për formulën dhe kushtet e transferimit. Mediat italiane raportojnë se bisedimet pritet të intensifikohen në ditët në vijim.
Cagliari po kalon një periudhë transformimi të thellë. Pas largimit të veteranit Leonardo Pavoletti dhe përfundimit të huazimit të Semih Kilicsoy, drejtuesit e klubit janë të vendosur të afrojnë një qendërsulmues me potencial dhe eksperiencë ndërkombëtare.
Broja, i cili në të kaluarën është lidhur edhe me klube të mëdha si Milani, shihet si profili ideal për projektin e ri të skuadrës sardiane. Nëse transferimi realizohet, 24-vjeçari do të ketë mundësinë të provojë për herë të parë veten në kampionatin italian.
Ndërkohë, Cagliari po shqyrton edhe oferta për disa nga lojtarët aktualë, me shitjet e mundshme që mund të ndihmojnë financiarisht për të mbyllur operacionin Broja.
Një kalim në Serie A do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierën e sulmuesit shqiptar, i cili synon të rigjejë vazhdimësinë dhe formën më të mirë pas sezoneve të fundit të vështira të shoqëruara nga dëmtime dhe mungesa të gjata nga fushat e lojës.
