Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” u kërkon banorëve te Ujmanit të dorëzojnë

0%

Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” u ka kërkuar zyrtarisht banorëve të zonës kadastrale në afërsi të Liqenit të Ujmanit, që brenda shtatë ditësh të dorëzojnë dokumentacionin që dëshmon pronësinë mbi tokat dhe objektet e tyre.

Në dokumentin, të cilin e ka siguruar KosovaPress, e i cili mban datën e sotme () thuhet se kërkesa u drejtohet të gjithë banorëve që posedojnë pasuri të paluajtshme në territorin e mbuluar nga projektet e ndërmarrjes.

Sipas njoftimit, qytetarët duhet të dorëzojnë dëshminë e pronësisë (tapinë), kontratën e blerjes apo shitjes ose çdo dokument tjetër ligjor që vërteton pronësinë mbi pasurinë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dokumentacioni, sipas letrës zyrtare, mund të dorëzohet fizikisht në zyrat e “Ibër-Lepencit” pranë digës së Ujmanit ose në mënyrë elektronike në adresën info@iber-lepenc.org , ndërsa afati për dorëzim është shtatë ditë nga publikimi i njoftimit.

Në dokument është shkruar edhe paralajmërimi se mosrespektimi i këtij afati mund të vështirësojë procesin e verifikimit të pronësisë dhe të ndikojë në të drejtat e personave si pronarë. Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pasi “Ibër-Lepenci”, me asistimin e policisë, nisi rrënimin e 11 objekteve në zonën e Liqenit të Ujmanit, duke argumentuar se ato ishin ndërtuar në pronë të ndërmarrjes.

Aksioni ka nxitur reagime ndërkombëtare. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë shprehu keqardhje për rrënimet, duke theksuar se ato u kryen pavarësisht se banorët e prekur kishin iniciuar procedura gjyqësore brenda afatit të paraparë në njoftimet e mëhershme të “Ibër-Lepencit”.

Ndërkaq, edhe ambasadat e Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë bërë thirrje për ndërprerjen e veprimeve të mëtejshme dhe për zgjidhjen e çështjes në mënyrë transparente, përmes dialogut me komunitetin e prekur.

Në ditët e fundit, organizata vendore të shoqërisë civile nga veriu i Kosovës kanë ngritur po ashtu shqetësime lidhur me mënyrën e zbatimit të këtyre masave, duke kërkuar respektimin e procedurave ligjore dhe të drejtave pronësore të banorëve.

Burimi: Telegrafi