Sipas studiuesit Gjet Ndoj, Bajraku i Fanit përbëhet nga këto fshatra: Domgjon, Bisakë, Xhuxhë, Zallxhuxhë, Konaj, Shëngjin, Klos, Kujt, Thirre, Sang, Hebe, Petoq, Gjakëz, Shtrungaj, Srriqe, Mollkuqe. (16 katunde). Rreth prejardhjes së fshatit Shëngjin të Fanit ekzistojnë disa hipoteza.
Sipas testit gjenetik në të gjitha rastet pranohet se vëllazëritë Noka, Çeçi, Ndreu dhe Boçi kanë një paraardhës të përbashkët. Gojëdhëna e mbledhur nga Mark Prendi tregon se i pari i trungut kryesor gjenealogjik të fshatit (Noka, Boçi, Ndreu dhe Çeçi) erdhi nga juglindja, duke kaluar malin e Zepës. Preng Vorfi thotë se ky grup vëllazërish ka lidhje gjaku me fise në Klinë të Pejës.
Edhe albanologu i njohur kanadez dr. Robert Elsie (1950-2017) në librin e tij “Fiset shqiptare-historia, shoqëria dhe kultura”, ka ofruar një lëndë gjithëpërfshirëse për fiset shqiptare. Në studimin e tij në mesin e shumë fshatrave e përmend edhe Shëngjinin e Fanit. Kolë Ndoka kishte 3 djem, Prenkën, Zefin dhe Pjetrin.
Ata ishin nipat e Ndue Prelë Kolë Zefit nga fshati Kujt në zonën e Klosit në Fanë. Sipas kujtimeve të nipit familjar Prengë Qunit i pari i tyre ka qenë burë i njohur dhe autoritativ por me shtat ishte i vogël. Si burrë me autoritet që ishte në rreth filluan ta thërrisnin “Plaku i Vogël”. Më vonë krahas emrit edhe pasardhësit filluan t’i quanin me nofkën i Vogël.
Prenka i Vogël, Zefi i Vogël etj. Në fakt Zefi nuk mund të quhej nga shtati i vogël. Ai kishte shtat mesatar. Familja e Kolë Ndokës ishte shpërngulur në rrethin e Gjakovës për arsye ekonomike. Në Kosovë ajo kryesisht merrej me punë bujqësore dhe blegtorale. Kishte sipërfaqe të konsiderueshme të tokës, por gjendja ekonomike e saj përgjithësisht ishte e dobët.
Në fshatin Moklicë, lindi Zefi i Vogël, më 1883. Sipas regjistrit kishtar të vitit 1890 në fshatin Moklicë të Gjakovës figuronte emri i Mark Kolës. Kjo e dhënë na e dëshmon se para kësaj periudhe familja kishte ardhur nga Shëngjini i Fanit dhe ishte vendosur në fshatin Moklicë. Për fëmijërinë e Zefit nuk kemi shumë të dhëna.
Dimë se familja e tij ishte një familje atdhetare dhe se në moshë të re ishte armatosur bashkë me të vëllanë e madh, Prenkën e Vogël, me të cilin kishin hyrë në radhët çetave të udhëhequra nga Bajram Curri. Më vonë në rrethinat e Gjakovës, edhe me sugjerimin e Bajram Currit, krijoi një çetë kryengritëse, e cila me luftërat e saj u bë shumë e dëgjuar.
Me guximin dhe trimëritë e tij, Zefi i Vogël u bë shumë i njohur fillimisht në rrethin e tij e pastaj në rreth më të gjerë. Më të drejtë, cilësohej si një ndër udhëheqësit e çetave më të shquar, jo vetëm në atë trevë, por edhe në të gjithë Shqipërinë Verilindore.
U quajt çeta e fanëve apo e fandit ngase si themelues të kësaj çete ishin Zefi i Vogël, Pjetër Qeli dhe Zef Gjidoda më bashkëluftëtarë me origjinë nga Fani i Mirditës të vendosur në Gjakovë e rrethina dhe në Lugun e Drinit). Ndonëse në moshë të re, Zefi i Vogël arriti të kuptonte nevojën e bashkimit të forcave kryengritëse kundër pushtuesit.
Ishte i vetëdijshëm se pa një bashkim të tillë nuk mund të arrihej fitorja e dëshiruar. Për çështjen e bashkimit të çetave dhe me sugjerimin e Bajram Currit, ai arriti t’i tejkalonte edhe disa pakënaqësi personale.
Shembull konkret ai në kryengritjen e vitit 1912 e pati ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë Bajram Daklanin të cilin nuk e parapëlqente, për shkak të arrestimit dhe burgosjes që i kishte bërë At Luigj Palajt. Për qëllim kombëtar Zefi punoi si në Kosovë, ashtu dhe me bashkëkombësit e origjinës së tij nga Mirëdita.
Madje edhe pse kishte lindur në Kosovë shumë personalitete e quanin Zefi i Vogël i Fanit. Veprimtaria e tij u shtri në harkun kohor-fundi i shekullit XIX dhe dy dekadat e para të shekullit XX.
Ato i dhanë mundësi të ishte pjesëmarrës e luftëtar si në luftërat për pavarësinë e Shqipërisë ashtu dhe në luftërat dhe përpjekjet për çlirimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare që ngelën nën pushtimin serb. Ishte periudha kur në Rrafshin e Dukagjinit çetat kryengritëse filluan të shtoheshin. Ndër çetat e para të kësaj periudhe ishte pikërisht çeta e Zefit të Vogël.
Pashk Kqira, në kujtimet e tij, përshkruan edhe periudhën kur familja e tij përderisa janë vendosur me banim në Gjakovë kanë qëndruar si mysafir në shtëpinë e familjarëve të Zefit të Vogël. Kqira e përshkruante Zefin si komit në zâ në kohën e Perandorisë Osmane dhe ma vonë derisa u vra.
Zefi i Vogël i takon kategorisë së trimave të veçantë që japin dëshmi në beteja për trimëritë dhe që dallohen nga të tjerët në artin e luftës. Ai kishte krijuar një reputacion të veçantë në mesin e udhëheqësve të tjerë të çetave. Në kryengritjet e viteve 1908-1912 Zefi i Vogël del si një ndër udhëheqësit kryesor e në veçanti në kryengritjen e vitit 1912.
Ai ishte ndër të rrallët, i cili gjatë gjithë jetës së tij nuk e kishte bërë asnjë marrëveshje as me turqit dhe as me serbët. Zefi i Vogël dhe Prenka i Vogël Pas vrasjës të Zefit të Vogël i vëllai Prenka u hakmorr për të. Më vonë Prenka u kthye në Shëngjin të Fanit. Mbështetjen kryesore për rimëkëmbje ekonomike e gjeti te dajat. Një kohë kishte punuar furrtar në Orosh.
Por, kryesisht ishte marrë me bujqësi dhe blegtori. Prenka vdiq në Shëngjin të Oroshit në vitin 1943. Aty u varros. Zefi i Vogël nuk la pasardhës. Prenka ka pasur 3 djem dhe 3 vajza. Djemtë e Prenkës ishin: Zefi, i cili ka jetuar dhe vdekur në Fanë, të cilit i është përtërirë emri i Zefit të Vogël.
I dyti është gjallë, Pali dhe jeton në Laç, kurse i treti, Ndou ka jetuar me familje në Laç, ku ka vdekur. Prenka ka pasur gjithashtu edhe 3 vajza: Tereza e martuar në Caparc të Prizrenit (ka vdekur), Nusha e martuar në Spaq dhe Maria, po ashtu e martuar në Spaç, që nuk jeton më. Vajza e madhe Tereza qysh në moshën 5 vjeçare kishte mbetur në Kosovë në fshatin Bishtazhin të Gjakovës.
Ajo ishte vendosur në familjen e Zef Nikollë Nokës. Kjo familje në lidhje gjaku është më e afërta me familjen e Zefit të Vogël në Kosovë. Pra kjo familje u përkujdes për Terezën deri sa Zef Nikollë Noka e ka fejuar dhe e ka martuar në fshatin Caparc për Mark Simon Mirditën. Marku dhe Tereza kanë tre djem Pashkun Gjonin dhe Ndrecën.
Disa nga pasardhësit e Prenkës të Vogël, Pali, Tereza dhe Nusha Autori me mbesën e Zefit të Vogël-Nushën Vëllai i vogël i Zefit të Vogël, Pjetri, pas vrasjes të Zefit, vazhdoi rrugëtim tjetër nga i vëllai Prenka. Fillimisht shkoi për të jetuar në Delvinë, për t’u rikthyer më vonë në Durrës. Pas martesës Pjetri pati 5 fëmijë: Markun, Dilën, Marinë, Dranën dhe Pashkun.
Aktualisht gjallë janë Pashku dhe Dranja. Pjetri vdiq në vitin 1949 dhe është varrosur në varrezat e Lezhës. Mark Pjetër Ndoka 1933-2025 Dila Pjetër Ndoka 1936-2012 ZEFI I VOGËL NË KUVENDIN E VERRAVE TË LLUKËS Lëvizja Kaçake lindi si formë e rezistencës kundër pushtuesit të huaj. Me këtë emër njihet në periudhën e sundimit osman në shekullin XV-XVI.
Kjo lëvizje, e cila kishte më tepër karakter ekonomik, sesa politik, mori formën e rezistencës politike në truallin shqiptar posaçërisht në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ajo bëhet më masive pas shuarjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Fjala “kaçak” në kuptimin etimologjik është e përbërë prej dy fjalëve turke “kaçti-akti”, që do të thotë iku u duk.
Kjo fjalë nuk jep shpjegim se për ç’kategori të arratisurish bën fjalë, por vetëm do të thotë: i arratisur nga pushteti. Organet shtetërore, për shkak të interesave të veta politike, klasore e të tjera, e përdorin këtë formë në kuptime të cubit, hajnit etj., duke tentuar që në popull këta njerëz të mos gëzojnë përkrahje, por në të kundërtën-urrejtje.
Për ta demantuar këtë, rapsodi popullor përmes një kënge popullore historike, ndër të tjera, thekson: “Nuk u vrava për hajni-Vrava agën turqeli”. Kaçakët aksionet i kishin të drejtuara kundër organeve shtetërore, individëve, por ndodhte edhe kundër grupeve që kishin qëndrim mospajtues më ta ose kishin inate personale ndaj tyre.
Kishte edhe raste ligësie si shembulli kur në shtator të vitit 1907 Atë Luigj Palaj u rrëmbye nga Bajram dhe Idriz Deklani dhe u mbajt “peng” për 10 javë në Smolicë. Pas ndërhyrjeve austriake dhe të klerit, në krye me Imzot P. Troshkin lirohet.
Ky shembull tregon se kaçakët aksionet e veta i kishin të drejtuara jo vetëm kundër organeve shtetërore por edhe kundër personave e grupeve të pa pëlqyeshëm për ta. Në mesin e këtyre grupeve natyrisht që edhe kishte të tillë që e kishin qëllim plaçkën. Çetat zakonisht kishin nga 5-6 anëtarë. Vepronin të pavarura pasi të pushonin kryengritjet e përgjithshme.
Shpërthimi i revolucionit xhonturk, më , përkoi në kohë me rritjen e lëvizjes shqiptare kundër sunduesve osmanë. Nga Malësia e Gjakovës, që më parë kishte lëshuar një thirrje drejtuar shqiptarëve për bashkimin shoqërive patriotike dhe për formimin e një komiteti qendror që do të ndihmonte luftën për çlirimin e atdheut.
Në thirrjet e vitit 1909, shpjegohet nevoja e bashkimit dhe krijimit në një organ të tillë, i cili konsiderohej si një nga kërkesat më imediate të kohës. Në këtë dokument thuhej: “Theroret që japin përditë, vetëm për fatbardhësinë e të dashtunit atdhe të mos na quhen si hajna e kusarë”. Në shërbim të kësaj ishte edhe vendosja e lidhjeve në mes të Isa Boletinit dhe Patër Engjell Palajt.
Veprimtaria e këtyre kishte filluar në Strellc, në fillim të vitit 1909. Për përgatitjen e kryengritjes krahas veprimtarisë që po zhvillonin Komiteti Qendror dhe komitetet e fshehta për nahijen e Gjakovës dhe në kazanë e Pejës u shquan Zefi i Vogël, Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Pjetër Çeli, Halil Mehmeti etj.
Politika turqizuese, që xhonturqit vazhduan të ndiqnin në fushën e arsimit dhe të kulturës shqiptare e sidomos dhuna ushtarake, e përdorur në maj-tetor të vitit 1909, i detyruan shqiptarët e Kosovës të organizonin në vitin 1910 kryengritjen e armatosur. Paraprakisht kudo në Kosovë filloi lëvizja e lidhjes së besës për të kundërshtuar me armë veprimet arbitrare të turqve të rinj.
Në kuvende të ndryshme anë e mbanë Kosovës u bë pajtimi i gjaqeve, u organizua mobilizimi i burrave për luftë. Në Rrafshin e Dukagjinit gjendja përgjithësisht ishte e rëndë.
Këtë e dëshmon edhe një letër e Arqipeshkvit Lazër Mjeda, që me gjasë i drejtohet Luigj Bumçit në fillim të prillit 1910, në të cilën theksohet se lëvizja nga një qytet në tjetrin ishte e pasigurt, siç ishte rruga midis Pejës e Gjakovës. Kjo ndërlidhet me aktivitetin e çetave, ku ndër më aktivet pa dyshim ishte çeta e Zefit të Vogël.
Burimet dëshmojnë se në nahijen e Gjakovës po qëndronte Isa Boletini, i cili së bashku me Zymer Arifin, Kolë Nokën, (është fjala për Zef Kolë Nokën, L. Culaj) dhe Pjetër Engjëllin (është fjala për Patër Engjëllin, L. Culaj) organizonin shqiptarët e kësaj ane për kryengritje.
Më , paria e trevës së Gjakovës, Rekës së Keqe, Pejës e Rugovës, u tubua për herë të dytë brenda këtij muaji te Verrat e Llukës, afër Deçanit ku u vendos që të gjithë burrat të mobilizoheshin në luftë kundër Perandorisë. Atëbotë merrnin pjesë në kuvend krerët e të gjitha viseve të Kosovës. Morën pjesë edhe Zefi i Vogël, Zef Gjidoda, Pjetër Qeli etj.
Përveç dëshmitarëve që ishin njohës të mirë të veprimtarisë të Zefit të Vogël, pjesëmarrjen e tij dhe shokëve të tij me bashkëluftëtarë te Verrat e Llukës e konfirmon edhe revista “Leka” e botuar në Shkodër me shkrim të titulluar: “E treta mbledhje tu Verrat e Llugës”, ku ndër të tjera thekson: “Parësia e Gjakovës e Pejës dau prapë me u mledhë te Verrat e Llugës.
Këtu erdh edhe Drenica dhe Rrafshi i madh i Kosovës. Edhe një herë u lidh besa, u përsëritën dishirat e lirisë. “Edhe fanësit e nahijes së Gjakovës, të Pejës e të Prizrenit nuk iu ndan Bajram Beg Currit.
Zef Gjidoda, Pjetër Qeli e Zefi i Vogël nuk largohen kurrë, janë gjithherë të gatshëm për shkado dhe bajnë kudo trimnina të mdhaja.” Për pjesëmarrjen e Zefit të Vogël në Kuvendin e tretë të Verrat e Llukës dëshmon edhe artikulli: “Në Kosovë për Kosovën”, botuar më në gazetën “Lidhja e Prizrenit”. Para parësisë së Kosovës foli Isa Boletini.
Jehona e vendimeve të kuvendit të Verrat e Llukës depërtoi shpejtë në viset shqiptare. Në kryengritjen e vitit 1910 përballë një ushtrie të madhe osmane qëndronte Isa Boletini, Hasan Hysen Budakova, Idriz Seferi, Shaban Sherifi, Hasan Loku, Musa Rahovecin, Adem Ostrozubin dhe Mark Dodë fanën (sigurisht duhet të jetë fjala për Zef Mark Gjidodën, i cili ishte fan, L. Culaj) në krye.
Në kryengritjen e vitit 1910 Zefi i Vogël me çetën e tij ishin shumë aktivë. Megjithatë, kryengritja e vitit 1910 në Kosovë ishte shuar nga Shefqet Turgut Pasha. Filluan dënime të ashpra që iu shqiptuan prijësve shqiptarë dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Kjo bëri që me lejen diskrete të qeverisë të Beogradit në Serbi u strehuan: Hasan Hysen Budakova, Zejnel Beu nga Gjilani, Shaqir Çavdarbasha nga Peja, dhe bajraktari i Ostrozubit. Hasan Budakova paguhej me monedha ari, ndërsa të tjerët merrnin nga 100-120 dinarë pagë mujore. Udhëheqësit të betejës së Kaçanikut Idriz Seferit, iu ofrua strehim, por ky nuk e pranoi “një ndihmë të tillë”.
Ndonëse i përndjekur si njëri ndër organizatorët kryesor të kryengritjes së vitit 1910, Seferi tërë kohën e kaloi në malet e Karadakut, duke u strehuar nga të afërmit dhe miqtë. Sigurisht edhe Zefi i Vogël qëndroi në male dhe u strehua nga miqtë. Ai kishte mbështetje të veçantë sidomos në fshatrat katolike të Nahije së Gjakovës, Prizrenit si dhe Lugut të Drinit.
Ndonëse fushëveprimtaria e tij e parë ishte në rrethin e Gjakovës, nga ishte ai, Zefi arriti shpejt që nëpërmjet reputacionit që e krijoi të kishte shtrirje dhe ndikim edhe në vise të tjera.
Edhe banorët e zonës së Fanit i ndiqnin me shumë vëmendje luftimet që zhvilloheshin anekënd Shqipërisë kundër forcave osmane dhe në të gjitha kuvendet e organizuara për luftë të përbashkët e shfaqën kurdoherë gatishmërinë e tyre. Fanët i zbatuan me besnikëri vendimet e Kuvendit të Spaçit me që u mbajt pranë kishës së Kalivarës, si dhe ato të Kuvendit të Fanit më .
Për të shtypur çdo lloj lufte në zonën e Fanit, kaimekami i Mirditës, Ali Fehmiu me urdhër të Veliut të Shkodrës u nis me 150 ushtarë për t’i asgjësuar forcat e bajrakut të Fanit. Fanët nën udhëheqjen e Preng Tuc Dodës i çarmatosën këto forca dhe pushkatuan tre prej komandantëve turq që i udhëhiqnin këto forca.
Kur zjarri i luftës qe ndezur në Fan, Zefi i Vogël ia shtonte nderin dhe lavdinë Mirditës me luftërat e tij që zhvillonte në Kosovë.
Për veprimtarinë e çetës së fanit kemi një deklaratë të vitit 1979, ku ndër të tjera theksohet: “Zefi i Vogël e ka pasur grupin e vet ku ishte bashkë me Pjetër Çelin, Abdyl Selimin, Zef Gjidodën, Himë Lubeniqin, Zhujë Avdylin, Pjetër Rrapin prej Stupe, Pjetër Ramaja prej Qerimi, Zymer Fazlia prej Sheremeti dhe shumë burra të tjerë.
Ky grup vrau tre asqerë turq dhe kështu na u mundësua pastaj ta punojmë tokën pa na ngucur pushteti i Turqisë. Pas kryerjes të këtij aksioni ky grup që e kreu aksionin u tërhoq në male në drejtim të Ramocit. Unë shpesh herë ju kam çuar bukë në male. Në mënyrë të veçantë këtë punë e kam bërë për Zef Gjidodën, të cilin e kisha kushëri dhe kisha obligim ta ndihmoja.
Atëherë më ra t’i njihja mirë këta burra e veçanërisht Abdyl Selimin e Strellcit, që i thoshin kushëri i Bajram Currit. Shpeshherë vinin edhe në shtëpinë tonë, por natën pa u hetuar nga pushteti për të mos na e rrezikuar familjen”. Kur i shohim këta emra kuptojmë që ishin nga dy besimet fetare.
