Mbi 30 persona kanë mbetur të lënduar në Shkup pas stuhisë së fuqishme që përfshiu disa zona të Maqedonisë së Veriut. Sipas autoriteteve shëndetësore, shumica e të lënduarve kanë pësuar dëmtime nga pemët, degët dhe objektet e ndryshme që janë rrëzuar si pasojë e erërave të forta.
Në Klinikën Universitare “Shën Naumi i Ohrit” janë paraqitur 11 persona, ku shumica janë trajtuar në mënyrë ambulatore. Një pacient i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa një turist është mbajtur për trajtim spitalor. Mjekët kanë bërë të ditur se të lënduarit kanë pasur kryesisht prerje, mavijosje dhe fraktura.
Disa raste kanë ardhur si pasojë e rrëzimit të pemëve, pjesëve të kulmeve dhe materialeve të tjera të shkëputura nga objektet. Një paciente me lëndim në kokë dhe frakturë në këmbë është mbajtur për trajtim të mëtejshëm në Klinikën e Neurokirurgjisë.
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Sasho Klekovski, ka bërë të ditur se ekipet mjekësore kanë reaguar menjëherë, ndërsa dëmet në disa institucione shëndetësore janë duke u sanua. Autoritetet po vazhdojnë vlerësimin e pasojave të stuhisë, e cila ka shkaktuar dëme në disa pjesë të Shkupit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
