Një zyrtar policor, pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, është gjetur pa shenja jete sot në mëngjes, në varrezat e fshatit Morinë në Shqipëri. Lajmin e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës , është njoftuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë se në varrezat e fshatit Morinë është gjetur pa shenja jete shtetasi me inicialet SH.H., 35-vjeçar, banues në Prizren. Pas pranimit të informatës, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është bërë identifikimi i viktimës.
Policia ka konfirmuar se 35-vjeçari ishte zyrtar policor në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren. Pistoleta është sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga autoritetet kompetente. Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Gentian Mulaj.
“Nga veprimet paraprake hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka vrarë veten me armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”- ka deklaruar Mulaj për KALLXO.com. Policia e Kosovës dhe Policia e Shtetit të Shqipërisë janë duke bashkëpunuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
