Thirrja e ambasadorit gjerman për formimin e institucioneve të reja

0%

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Reiner Rudolph, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të vendit, duke vlerësuar se një hap i tillë është thelbësor për ruajtjen e stabilitetit politik, garantimin e funksionimit normal të shtetit dhe avancimin e proceseve të rëndësishme institucionale.

Në një intervistë, Rudolph theksoi se Kosova duhet të dërgojë një mesazh të qartë dhe bindës se kush do ta udhëheqë vendin gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar. Sipas tij, qartësia politike dhe krijimi i institucioneve legjitime janë të domosdoshme për të forcuar besimin e qytetarëve, partnerëve ndërkombëtarë dhe investitorëve në stabilitetin e vendit.

“ Unë mendoj se ajo që nevojitet tani është një sinjal nga Kosova se kush do t’i formojë institucionet e Kosovës për katër vitet e ardhshme. E di që diskutimet dhe procesi janë në vazhdim, por vërtet mendoj se do të ishte mirë që t’i kishim institucionet shumë shpejt dhe të mos hyjmë në një raund tjetër të pasigurt”, deklaroi ambasadori gjerman.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai nënvizoi se, megjithëse negociatat për krijimin e institucioneve janë ende në zhvillim, është me rëndësi që ato të përmbyllen sa më parë. Sipas Rudolphit, zgjatja e procesit mund të krijojë pasiguri të panevojshme politike dhe të ngadalësojë vendimmarrjen për çështje me interes të lartë shtetëror.

Ambasadori gjerman theksoi se formimi i shpejtë i institucioneve do t’i mundësonte Kosovës të përqendrohej në prioritetet e saj kryesore, duke përfshirë reformat, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Ai përsëriti se stabiliteti institucional mbetet një parakusht i rëndësishëm për përparimin e vendit dhe për adresimin me efikasitet të sfidave që e presin në vitet e ardhshme. Zogaj: Gjermania, prej kohësh, po e paralajmëron Kosovën të dalë nga ky ngërç institucional Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur publicisti Skënder Zogaj. Skënder Zogaj.

Ai thotë se vonesa në formimin e institucioneve të Kosovës po e dëmton seriozisht shtetin, po rrezikon marrëdhëniet me aleatët strategjikë dhe po pengon integrimin e vendit, prandaj klasa politike duhet të veprojë pa humbur kohë.

“Deklarata e ambasadorit të Gjermanisë, Rudolph, për domosdoshmërine funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës, duhet të merret si një paralajmërim serioz. Ajo nuk është thjesht një këshillë diplomatike, por një sinjal i qartë se zvarritja e krijimit të institucioneve po dëmton rëndë shtetin e Kosovës.

Është absurde që një shtet me sfida të mëdha të mbetet pa institucione funksionale. Kosova nuk e ka pasur kurrë këtë luks, as për një ditë, e aq më pak për muaj të tërë. Sot Kosova përballet me rreziqe në shumë drejtime, por më shqetësues është ftohja e marrëdhënieve me aleatët strategjikë, angazhimi i të cilëve ishte vendimtar për çlirimin dhe lirinë e saj.

Ndërtimi dhe konsolidimi i shtetit është përgjegjësi e vetë kosovarëve, ndërsa çdo vonesë në proceset demokratike dhe në integrimin evropian e dobëson pozitën ndërkombëtare të vendit. Pa institucione funksionale, Kosova nuk mund të jetë pjesë e plotë e arkitekturës strategjike të sigurisë rajonale dhe evropian e”, u shpreh ai.

Duke vazhduar tutje, publicisti shton se thirrjet e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Gjermanisë, për formimin e shpejtë të institucioneve nuk duhet të injorohen, pasi çdo vonesë e dëmton pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe e vështirëson rrugën drejt integrimit euroatlantik.

“Pikërisht për këtë arsye, diplomatët e vendeve mike po përsërisin vazhdimisht të njëjtin apel: Kosova duhet t’i ndërtojë pa vonesë institucionet e saj. Çdo ditë e humbur prodhon pasoja politike, diplomatike dhe strategjike. Gjermania, prej kohësh, po e paralajmëron Kosovën të dalë nga ky ngërç institucional. Do të ishte e pafalshme që këto mesazhe të shpërfilleshin.

Koha nuk punon në favor të Kosovës dhe çdo vonesë e bën më të vështirë rikthimin e besimit dhe përshpejtimin e rrugës drejt integrimit euroatlantik ”, foli publicisti Zogaj për “Bota sot”.

Gashi: Kosova duhet t’i përvjelë më në fund mëngët, të krijojë institucione stabile Ndërsa, njohësi për çështje politike Eduard Gashi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që paralajmërimi i ambasadorit gjerman duhet marrë si një sinjal serioz diplomatik, pasi bllokada institucionale po e dobëson pozitën ndërkombëtare të Kosovës, ndërsa klasa politike po i jep përparësi interesave partiake në vend të interesit shtetëror.

Eduard Gashi “I nderuari Ambasadori i Gjermanisë e sheh me të drejtë me shqetësim zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë. Deklarata e tij nuk është thjesht një thirrje për formimin e institucioneve, por një sinjal diplomatik. Në diplomaci, sidomos kur vjen nga një shtet si Gjermania, fjalët peshohen me kujdes dhe nuk thuhen rastësisht.

Ngërçi i vazhdueshëm institucional po i dëmton seriozisht marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Kosova ka ambasada dhe konsullata në shumë vende të botës, ku bëhet një punë e rëndësishme diplomatike dhe krijohen kontakte me shtetet mike. Mirëpo, kjo punë duhet të vazhdohet dhe të përmbyllet nga institucionet funksionale dhe legjitime në Prishtinë.

Nëse ato nuk funksionojnë, edhe diplomacia më e mirë e humb fuqinë e saj. Fatkeqësisht, sot shumë aktorë politikë janë të përqendruar më tepër në ruajtjen ose zgjerimin e pushtetit të tyre sesa në interesin shtetëror. Harrohet se politika nuk ekziston për t’u shërbyer partive, por për ta çuar shtetin përpara dhe për ta përmirësuar jetën e qytetarëve”, foli ai.

Njohësi politikë në vazhdim të bisedes argumenton se bllokada e zgjatur institucionale po e dobëson besueshmërinë dhe peshën ndërkombëtare të Kosovës në një kohë kur partnerët perëndimorë kërkojnë shtete funksionale, duke rrezikuar pasoja politike, ekonomike dhe në procesin e integrimit evropian.

“Kosova ndodhet sot në një realitet krejt tjetër gjeopolitik nga ai i viteve të para pas shpalljes së pavarësisë. Evropa po kalon ndryshime të mëdha të sigurisë, ndërsa partnerët perëndimorë kërkojnë shtete që janë të besueshme, të parashikueshme dhe funksionale. Askush nuk pret përsosmëri, por të gjithë presin institucione që marrin vendime dhe zbatojnë politika.

Natyrisht se kjo periudhë e gjatë e bllokadës institucionale do të ketë pasoja. Asnjë shtet nuk mund të përballojë pafundësisht mungesën e funksionimit normal të institucioneve. Kjo nuk është çështje partie, por çështje e pjekurisë politike të shtetit. Në politikën ndërkombëtare nuk kanë rëndësi justifikimet dhe fajësimet. Ajo që vlerësohet janë rezultatet.

Arsyetimet mund ta mbushin kohën, por vetëm rezultatet ndërtojnë besimin. Pikërisht për këtë arsye, Kosova rrezikon të humbasë peshë politike dhe besueshmëri ndërkombëtare. Në diplomaci, besimi është kapital. Një shtet që për një kohë të gjatë nuk është në gjendje të marrë vendime strategjike fillon të shihet jo si pjesë e zgjidhjes, por si pjesë e problemit.

Më e dhimbshme është krahasimi me të kaluarën. Ka pasur një kohë kur udhëheqësit e Kosovës priteshin në Shtëpinë e Bardhë, zhvillonin takime në nivelet më të larta në kryeqytetet evropiane dhe Kosova ishte një nga prioritetet e politikës perëndimore.

Sot shohim kryesisht fotografi simbolike me shtrëngime duarsh, ndërsa pesha reale politike e Kosovës në arenën ndërkombëtare është zvogëluar dukshëm. Kjo do t’i kushtojë Kosovës politikisht, ekonomikisht dhe në procesin e integrimit evropian. Retorika populiste nuk do ta ndryshojë këtë realitet” , shpjegoi Gashi.

Publicisti në fund nënvizon se të gjitha forcat politike kanë përgjegjësi të formojnë institucione funksionale përmes dialogut dhe kompromisit, pasi vetëm një Kosovë stabile, serioze dhe e besueshme mund ta ruajë mbështetjen e aleatëve dhe ta forcojë pozitën e saj ndërkombëtare. “As thirrja në respektimin e vullnetit të qytetarëve nuk mjafton.

Demokracia nuk nënkupton vetëm fitimin e zgjedhjeve. Demokracia nënkupton edhe aftësinë për të ndërtuar institucione funksionale, për të arritur kompromise dhe për të marrë përgjegjësi për shtetin. Mekanizmat demokratikë janë krijuar për të garantuar stabilitet institucional, jo për të prodhuar bllokada të pafundme. Përgjegjësi mbajnë të gjitha forcat politike.

Fituesi i zgjedhjeve ka një mandat më të fortë demokratik, por pikërisht për këtë arsye mban edhe përgjegjësinë më të madhe. Udhëheqësi i vërtetë nuk matet nga këmbëngulja ideologjike, por nga aftësia për të krijuar shumica, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të gjetur zgjidhje.

Në të njëjtën kohë, edhe opozita ka përgjegjësi ndaj shtetit dhe nuk duhet ta shndërrojë mosmarrëveshjen politike në paralizë institucionale. Kosova nuk duhet të bjerë në iluzionin se mbështetja e aleatëve është e garantuar përgjithmonë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, miqësitë ndërtohen mbi vlera të përbashkëta, por edhe mbi interesa të përbashkëta.

Mbështetja nuk është çek i bardhë; ajo fitohet vazhdimisht përmes seriozitetit, stabilitetit dhe besueshmërisë. Prandaj, Kosova duhet t’i përvjelë më në fund mëngët, të krijojë institucione stabile, t’i mbajë ato funksionale dhe të ecë përpara me punë konkrete e rezultate. Në një botë që po ndryshon me shpejtësi, një shtet që mbetet në vend nuk qëndron aty ku është – ai mbetet prapa.

Vetëm duke qenë një shtet funksional, serioz dhe i besueshëm, Kosova mund ta rikthejë peshën e saj ndërkombëtare dhe respektin e partnerëve strategjikë ”, përfundoi njohësi për çështje politike, Eduard Gashi për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot