Profesori i ekonomisë dhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berim Ramosaj, ka deklaruar se ekonomia private është baza që e mban dhe e financon shtetin. Në një diskutim në “Përballje Podcast”, Ramosaj tha se historia e zhvillimit ekonomik dhe vetë mendimi ekonomik kanë dëshmuar rolin vendimtar të sektorit privat në funksionimin e një vendi.
“Unë ende besoj se shtetin dhe ekonominë e një vendi e mban ekonomia private. Këtë na e kanë treguar edhe historia e zhvillimit ekonomik, por edhe zhvillimi i mendimit ekonomik”, ka deklaruar Ramosaj shkruan Telegrafi. Ai ka thënë se ekonomia private është burimi kryesor prej nga financohet buxheti i shtetit. “Privatët, ose ekonomia private, faktikisht e financojnë shtetin.
Ekonomia publike nuk e financon shtetin, absolutisht”, është shprehur ai. Sipas Ramosajt, taksat që paguhen nga bizneset dhe qytetarët mblidhen në buxhetin e shtetit, ndërsa institucionet publike kanë përgjegjësinë për t’i menaxhuar ato. “Këto taksa të privatëve mblidhen në një buxhet”, ka thënë ai.
Profesori i ekonomisë ka kritikuar mënyrën se si përfaqësuesit e institucioneve i paraqesin shpesh investimet publike si arritje personale. “Kur del një kryetar komune dhe thotë: ‘Unë po jua shtroj këtë rrugë’, ose del kryeministri dhe thotë: ‘Unë po e bëj këtë rrugë apo këtë urë’, kjo është dëshmi se ende nuk e kuptojmë jetën normale”, ka deklaruar Ramosaj.
Ai ka theksuar se rrugët, urat dhe projektet e tjera publike nuk financohen me paratë personale të politikanëve, por me tatimet dhe taksat e qytetarëve dhe bizneseve. Sipas tij, politikanët nuk janë pronarë të parave publike, por vetëm menaxherë të mjeteve që u janë besuar nga qytetarët përmes votës dhe institucioneve.
Ramosaj ka vlerësuar se sektori privat duhet të trajtohet si partner kryesor në hartimin e politikave ekonomike, pasi ai krijon vende pune, gjeneron të hyra dhe mban pjesën kryesore të barrës së financimit të shtetit. .
