Kostoja e luftës së Shteteve të Bashkuara në Iran ka shkuar në 37.5 miliardë dollarë deri tani, ka njoftuar sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth, ndërsa u përball me ligjvënës skeptikë për herë të parë qyshse rifilluan bombardimet, duke kërkuar fonde urgjente për konfliktin jopopullor, raporton Reuters .
Vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve të mesmandatit ku republikanët e presidentit Donald Trump mund të përballen me betejë të vështirë për ta ruajtur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, demokratët po dalin lart në sondazhet e opinionit publik ndërsa përpiqen ta lidhin luftën jopopullore të Iranit me përballueshmërinë ekonomike.
Hegseth u ka deklaruar kongresistëve në një seancë dëgjimore në Uashington se 37.5 miliardë dollarët përfshijnë aspekte të caktuara të luftës, si dhe kostot e parashikuara deri më 30 shtator. Nuk ishte e qartë sesi Pentagoni e nxori këtë shifër.
Një burim i ka deklaruar Reutersit në mars se administrata e Trump vlerësoi se gjashtë ditët e para të luftës kishin kushtuar të paktën 11.3 miliardë dollarë.
Trump i ka kërkuar Kongresit muajin e kaluar gati 90 miliardë dollarë fonde shtesë, pjesa më e madhe e të cilave lidhej me konfliktin e Iranit, duke përgatitur terrenin për një tjetër luftë me kongresistët e frustruar nga lufta dhe që përballen me zgjedhjet e mesimandatit në nëntor.
Qëkur SHBA-ja dhe Izraeli filluan bombardimin e Iranit më 28 shkurt, ligjvënësit republikanë dhe demokratë janë ankuar se Trump dhe ekipi i tij nuk i kanë informuar rreth konfliktit ose planeve të tij.
“Presidenti po kërcënon me përshkallëzim dhe krime lufte, dhe po sugjeron se kjo mund të jetë një tjetër luftë e përhershme”, ka deklaruar në seancën dëgjimore senatorja Patty Murray, demokratja kryesore në Komitetin e Buxhetit. Trump ka bërë vazhdimisht kërcënime të ashpra kundër Iranit, përfshirë infrastrukturën civile, të cilën kritikët e quajnë krim lufte.
Republikanët e Trumpit kanë diferenca kaq të pakta në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin saqë projektligjet e buxhetit zakonisht kanë nevojë për mbështetjen e demokratëve për miratim. “Arsyeja pse ata (njerëzit) janë kaq të mërzitur me ju dhe këtë administratë është sepse fjalët që keni përdorur në të kaluarën nuk përputhen”, ka theksuar senatorja demokrate, Kirsten Gillibrand.
“Ose ka mbaruar, ose nuk ka mbaruar. Ose brenda dy javësh, ose nuk janë dy javë, ose janë raketa ose nuk janë raketa”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
