Rugova për debatin publik: Po e zëvendësojmë kërkimin e së vërtetës me spektakël

0%

Shpërndaje në: Akademiku Bardh Rugova ka thënë se debati publik në Kosovë shpesh zëvendësohet nga kërkimi i së vërtetës te spektakli dhe zhurma mediatike. Duke folur për fenomenin e debateve të zhurmshme publike, Rugova ka thënë se shoqëria po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi përplasjeve dhe konflikteve, në vend të analizës së fakteve dhe thelbit të çështjeve. “Ne e zëvendësojmë kërkimin e së vërtetës me një spektakël dhe në një shoqëri të spektaklit kërkohet kjo, a do të zihen mes veti, a do të rrihen në studio dy njerëz, a do të shahen. Kjo prodhon spektakël. Spektakli nuk ka esencë, është vetvetja”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së. Sipas Rugovës, shpesh pas krijimit të zhurmës publike qëndrojnë interesa të caktuara, të cilat synojnë ta largojnë vëmendjen nga problemet reale ose nga skandalet që mund të kenë ndodhur. Ai ka theksuar se në vend të analizimit të proceseve dhe gjetjes së së vërtetës, fokusi zhvendoset te përplasjet verbale dhe te pyetja se kush e fitoi debatin. “Kështu humbet esenca e problemit. Në vend se të gjendet e vërteta dhe të analizohet procesi, shohim vetëm nëse dikush e mundi tjetrin me fjalë”, ka deklaruar Rugova. Akademiku ka shtuar se ky fenomen që ndodh në Kosovë lidhet me faktorë të ndryshëm shoqërorë, përfshirë edhe sistemin e arsimit, duke e cilësuar si një nga problemet me të cilat përballet shoqëria.

Burimi: Koha