Pica turke me mish, perime dhe djathë: Receta e butë, e pasur dhe tepër e shijshme

0%

Një specialitet turk që ia vlen ta provoni në shtëpi. Ato dallohen për formën e zgjatur, të ngjashme me një varkë, si dhe për mbushjen e pasur me mish, perime dhe djathë. Zakonisht shërbehen sapo dalin nga furra, të shoqëruara me sallatë të freskët dhe salcë jogurti. Përbërësit: ▪ 500 g miell ▪ 7 g maja të thatë ▪ 300 ml ujë i vakët ▪ 3 lugë gjelle vaj ulliri ▪ 1 lugë çaji sheqer ▪ 1 lugë çaji kripë ▪ 400 g mish viçi i bluar ▪ 1 kokë e madhe qepë ▪ 2 domate ▪ 1 spec i gjelbër ▪ 200 g kaçkavall i grirë ▪ 2 lugë gjelle majdanoz i grirë ▪ 1 lugë çaji spec i kuq pluhur ▪ kripë dhe piper sipas shijes Përgatitja: Përzieni ujin e vakët me majanë dhe sheqerin, pastaj lërini për disa minuta që të aktivizohen. Shtoni miellin, vajin dhe kripën, më pas ngjesheni derisa të formohet një brumë i butë dhe i njëtrajtshëm. Mbulojeni dhe lëreni rreth një orë që të vijë. Grini imët qepën, domatet dhe specin. Përziejini me mishin e bluar, majdanozin e grirë, specin e kuq pluhur, kripën dhe piperin. Përziejini mirë, në mënyrë që mbushja të shpërndahet njëtrajtshëm. Ndajeni brumin në katër pjesë të barabarta. Hapeni secilën pjesë në formë ovale të zgjatur. Vendoseni mbushjen në mes të brumit, ndërsa anët palosini nga brenda dhe bashkoni skajet, në mënyrë që të krijohet forma karakteristike e varkës. Piqini rreth 15 minuta në 230 gradë Celsius. Nxirrini nga furra, spërkatini me kaçkavall të grirë dhe kthejini edhe për disa minuta në furrë, derisa djathi të shkrihet dhe të marrë pak ngjyrë. Lërini të pushojnë pak pas pjekjes, më pas pritini në copa dhe shërbejini me sallatë domatesh dhe kastravecësh. Ju bëftë mirë, – transmeton Telegrafi.

Burimi: Telegrafi